KËSHILLA PRAKTIKE, “Pastërtia është gjysma e besimit”
KËSHILLA PRAKTIKE
“ENEDHAFETU NISFUL IMANI”
“Pastërtia është gjysma e besimit”
LAJMË E THAJMË
Duke ecur nëpër rrugët e qytetit, apo kur rastësisht gjendemi tek një shoqe, tek e cila vëreni se rrobat e saj, sidomos ato të bardhat kanë një shkëlqim dhe bardhësi më të ndryshme sesa rrobat tuaja, atëherë ndiheni jo aq mirë. Me siguri se keni lakmuar që edhe ju apo fëmija juaj të ketë rroba të bardha dhe të kenë dukje të freskët, e jo të ketë ngjyra të zymta apo e bardhë e fruktë, pra në të verdhë.
Që është më e keqja se edhe ju e bëni ndoshta të njëjtin mund, por nuk e dini sekretin e punës. Por, ka edhe femra të tilla që nuk kanë inat dhe e pyesin shoqen për mënyrën e larjes, por, ja ne tani do t’iu japim disa këshilla konkrete që nëse veproni sipas tyre me siguri do të shihni rezultatin e duhur.
PARA LARJES
-Ndani rrobat në grupe: rrobat me ngjyra, të bardhat që janë për zierje, për larje me dorë dhe ngjashëm.
– Kurrë mos i lani rrobat të përziera, rezultati do të jetë katastrofal.
– Para se të filloni larjen e rrobave kontrolloni gjepat, apo më mirë mësoni anëtarët e familjes, që çdo njëri për vete kur i hedh rrobat për larje le të praktikojë zbrazjen e gjepave. Mbyllni patentat për të mos i dëmtuar rrobat tjera, po ashtu mbërtheni pullat, sepse rroba do të jetë më e ruajtur nga shqepjet e padëshiruara.
– Nëse në rroba ka ndonjë vrimë, e cila duhet arnuar, më mirë është që ta arnoni para larjes, se pastaj do të hapet vrima më e madhe apo do t’i shkojë fija e thurjes.
-Rrobat e bardha, të brendshme, brekët, pizhamet etj., mos i lani me peshqirët e kuzhinës, sepse ato kanë njolla apo janë më të yndyrshme dhe do të kundërmojnë.
-Lavatriqen mos e mbushni plot, sepse larja do të jetë më e dobët si dhe lavatriqja do të dëmtohet më shpejt.
ZBUTJA
-Zbutja e rrobave (të lënit në ujë) është një mënyrë më efikase për rrobat që janë më shumë të përlyera.
-Rrobat zbutni në ujë të vakët ose të ftohtë, sepse uji i nxehtë papastërtinë e mbanë në pëlhurë.
-Rrobat zbutni në enë më të madhe, sepse sa më lirë të jenë aq më mirë e lëshojnë papastërtinë.
-Para se t’i zhytni rrobat në ujë, detergjenti duhet të jetë krejtësisht i shkrirë, për arsye që të mos ketë efektin e pjesërishëm.
-Bëhuni të durueshme, se zbutja me kohë më të gjatë do të ketë efekt më të madh, sesa larja e fuqishme. Mjafton t’i lini rrobat të zbuten gjatë tërë natës.
-Mos i zbutni rrobat prej lëkurës, mëndafshit apo pëlhurat që lëshojnë ngjyrë, si dhe ato materiale që nuk hekurosen.
-Mos i zbutni bashkë rrobat e bardha dhe ato me ngjyra.
– Mos i zbutni rrobat që kanë pjesë metali, p.sh. pullat, sepse mund të ndryshken brenda një nate dhe të ju prishen rrobat.
TESTI I NGJYRËS
Kur keni dyshimin më të vogël tek ndonjë rrobë se a mund të lëshojë ngjyrën apo jo, atëherë bëjeni këtë test.
-Merreni një pjesë të pambukut, lageni me ujë dhe nga brendia e rrobës vëreni për një kohë 10 minutëshe në ndonjë pjesë ku nuk vërehet aq shumë. Nëse pambuku merr ngjyrë nga rroba, atëherë dërgojeni në pastrim kimik, nëse e keni blerë shtrenjtë, apo nëse nuk ka kushtuar shtrenjtë atëherë lajeni me dorë për të mos i dëmtuar rrobat tjera.
LAJMË RROBAT ME LAVATRIQE
-Përdorni pak detergjent. Shumica e prodhuesve preferojnë përdorimin më të madh të detergjentit, sesa që ka nevojë. Kjo, ndoshta, preferohet, por jo për neve që tani i dimë rregullat e zbutjes.
-Nëse ndodh që ndonjëherë pas shpërlarjes uji të jetë i shkumuar, e sidomos kur lahen perdet, atëherë në shpërlarjen e fundit hidheni në lavatriqe një filgjan uthull.
-Nëse vëreni se rrobat tuaja kanë marrë ngjyrë, nga ndonjë copë tjetër, atëherë gjejeni cila ka qenë ajo copë që ka lëshuar ngjyrë, nxirreni nga lavatriqja dhe menjëherë përsëriteni larjen, sepse sa më i shpejtë të jetë aksioni, mund t’i shpëtojë rrobat tjera.
ZBARDHIMI
-Kurrë mos përdorni mjete zbardhuese që nuk janë të kloruara, thartirat e forta, sepse ato mund të hapin vrima në rrobat tuaja.
-Para se të fillojmë zbardhimin, lexojeni etiketën se a mund të zbardhohen.
-Pasi t’i zbardhoni, mos i përzini me rrobat tjera, sepse nga fërkimi mund të dëmtohen rrobat tjera.
-Kur i zbardhoni rrobat, mos i futni në enët e metalta, por në të plastikës, për arsye se mund t’i kapë ndryshku.
GJËRAT PROBLEMATIKE
Gjërat që i përdorni më shpesh, siç janë leckat e kuzhinave, sofrabezat, mbulojat e tryezave, peshqirët etj., lani më shpesh, sepse edhe nëse ka ndonjë njollë yndyre, ajo mund të largohet më shpejt dhe gjësendet nuk do të kundërmojnë.
-Jakat, mëngët e këmishëve, më mirë është që së pari t’i lagim me ujë dhe t’i lyejmë me sapunë, e pastaj t’i lëmë të ndikojnë në papastërtinë 5 minuta dhe i fusim në lavatriqe apo i lajmë me dorë.
-Rrobat që kanë pjesë elastike, p.sh. jakat e këmishëve, kurrë mos i zini në 90 gradë C.
-Këto rroba lani në 50-60 gradë, por të mbështjella në material të frotirit dhe me shumë pak centrifugë apo sjellje.
-Rrobat e leshit lani me shumë kujdes dhe me detergjent të lëngët, mos e lëshoni centrifugën.
-Xhemperin e thurur nga fijet e leshit, pas larjes shtrijeni mbi peshqir, që t’ia thithë ujin dhe
pastaj tereni të shtrirë horizontalisht.
THARJA E RROBAVE
-Në etiketë lexoni a lejohet tharja me makinë tharëse.
-Kurrsesi mos i thani rrobat që janë të mbushura me lesh sintetik apo me pendla, mund të dëmtohen shumë keq.
-Rrobat e pambukta më mirë është t’i thani në mënyrë të thjeshtë në tel, sepse dielli edhe më mirë do t’i zbardhojë.
-Në diell mos i thani rrobat e mëndafshit, leshit dhe najlonit. Leshi dhe mëndafshi e humb kualitetin, ndërkaq najloni rrudhet dhe prishet.
-Kurrë mos i vëni në dollapin tuaj rrobat e pa tharë mirë.
-Nëse e keni ballkonin nga rruga, gjatë ditës ka pluhur, atëherë rrobat thani natën.
-Perdet, të cilat, ndoshta, nuk kanë nevojë për hekurosje, mos i thani, por vendosni menjëherë në kapëset e duhura, arnishta (shina të perdeve).
-Pasi të thahen rrobat, mos i merrni në krah, sepse ato mund t’iu bien në tokë, por më bukur është që të keni shportën e plastikës.
-Mbasi të thahen rrobat dhe doni t’i ndani dhe palosni, mos i lëshoni në tepih, por lini në ndonjë tavolinë apo çarçaf, sepse sado kudo tepihu dhe kolltukët, zakonisht janë më të përlyera, sepse janë më shumë në përdorim.
-Para se t’i fusni në dollap, ndani rrobat që kanë ndonjë defekt të vogël, nëse keni kohë riparoni aty për aty, nëse nuk keni kohë ndani në një qese najloni, e pastaj kur iu del kohë, uluni dhe qepini. Është më mirë të mos kesh në disponim ndonjë rrobë, e cila do t’iu bëjë nervoz, prandaj mos e vendos në varëse.
-Telat e tharjes duhet të jenë të radhitur, në atë mënyrë që era të depërtojë nëpër mesin e telave, e jo era të thajë vetëm rreshtin e parë të rrobave.
Të nderuar, feja islame na këshillon që fëmijët, kur fillojnë të dinë për vendet e turpshme, atyre u ndalohet, bile, edhe të hynë në dhomën e prindërve pa kërkuar leje, prandaj ka disa arsye pse ne këshillohemi që të kemi kujdes që brekët dhe rrobat që janë më intime të të rriturve, mos të jenë të shpërndara nëpër banje, për arsye të fëmijëve dhe ndoshta, rastësisht, mund t’iu vijë ndonjë mysafirë dhe kjo vërtetë është turp për ata që kuptojnë.
Po ashtu eleganca juaj dhe karakteri juaj, do të vlerësohet tek rrobat tuaja që i keni shtrirë për tu tharë, prandaj brekët dhe jelekët e gjinjve, mos i shtrini në rendin e parë të telit, apo nëse veç nuk keni rrugëdalje atëherë mbuloni me ndonjë pëlhurë të hollë.
Motra të nderuara, eleganca dhe bukuria juaj vërehet tek burri dhe fëmijët tuaj, apo njerëzit, të cilët i keni nën kujdesin tuaj, prandaj mos e kurseni kohën për gjëra të mira, sidomos për pastërti, sepse Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë :
“ENEDHAFETU NISFUL IMMANI” që do të thotë “Pastërtia është gjysma e besimit”
Kjo nuk ka nevojë për komentim, sepse në një shtëpi ku ka pastërti ka shëndet, Allahu lëshon mëshirë dhe të gjithë jetojnë në harmoni..
E përktheu dhe punoi për ju H.Ikballe Berisha Huduti
Një pjesë e materialit është marrë nga revista “KUCA STIL”