d4

Porosia e Imam Aliut dhënë sahabiut Kumejl ibën Zijadit, shkruan hoxha Drilon Gashi…

Spread the love

Kumejl Ibën Zijadi ka thënë: Prijësi i besimtarëve Ali ibën Ebi Talibi – alejhi selam më mori për dore, ecëm derisa kaluam pranë varrezave, dhe kur e lam pas qytetin, psheretiu thellë dhe më tha:
“O Kumejl i biri i Zijadit, këto zemra janë sikurse ena. Më e mira prej tyre është ajo që zë dhe ruan më shumë. Prandaj ruaje këtë që po ta them!
Njerëzit janë tre lloje: Dijetar i Zotit që i mëson dhe edukon të tjerët, kërkues i diturisë në rrugën e shpëtimit dhe turma fundërrinash që pasojnë çdo thirrës dhe që anojnë kah të fryejnë erërat; nuk kërkojnë të ndriçohen me dritën e diturisë, e as nuk mbështetën te ndonjë fortifikatë e sigurtë.
O Kumejl, dituria është me e mirë se pasuria. Dituria të ruan, ndërsa pasurinë duhet ta ruash ti. Pasuria pakësohet duke e shfrytëzuar, ndërsa dituria shtohet duke e shpërndarë. Edhe ajo që krijohet për hirë të pasurisë, shkon me zhdukjen e saj.
O Kumejl, dashuria ndaj dijetarit është besim me të cilin adhurohet Allahu. Dituria i jep dijetarit nënshtrimin ndaj Zotit në jetën e tij dhe nam të mirë e lavdërim pas vdekjes së tij.
Dituria është sundimtar, ndërsa pasurinë duhet të sundohet.
O Kumejl, grumbulluesit e pasurive ndonëse frymojnë të gjallë, ata janë të vdekur, ndërsa dijetarët janë të gjallë sa t’jet jeta. Trupat e tyre janë zhdukur, mirëpo shembujt e tyre ekzistojnë në zemra.
Ja! Këtu – dhe bëri me dorë kah krahërori i tij- ka shumë dituri. Ah sikur të gjeja një njeri i cili do ta merrte!
Sot ka asi që kërkojnë dituri, mirëpo nuk mund të mbështetesh në ta, sepse e shfrytëzojnë fenë si mjet për të arritur qëllimet e dynjasë, dhe përmes diturisë dëshirojnë të sigurojnë pushtet mbi robërit e Tij dhe përmes argumenteve të Allahut të sundojë mbi miqtë e Tij. Ka edhe të atillë që u beson bartësve të diturisë por nuk ka zotësi për të kuptuar, saqë dyshimi më i vogël e largon nga rruga e vërtetë.
As ata e as këta!
Ose asi që zhytet në kënaqësi dhe bie lehtë në pasione! Apo asi që janë lakmiqarë në grumbullimin e pasurisë dhe deponimin e saj.
Këta njerëz nuk mund të jenë prej thirrësve të fesë dhe kërkuesve të diturisë në asnjë mënyrë.
Shembulli i tyre është sikurse shembulli i bagëtive që kullosin.
Ja, kështu vdes dituria me vdekjen e bartësve të saj.
Pastaj tha: Po o Zoti im, me ndihmën tënde, toka kurrë nuk do të mbetet pa dijetarë të Allahut, qoftë publik e të njohur nga të gjithë, qoftë të fshehur e me frikë, në mënyrë që shenjat e Zotit të mos mohohen. Sa ka të atillë dhe ku janë ata?! Për Allahun, ata janë të pakët, por te Zoti ata janë shumë të nderuar. Përmes tyre Zoti ruan argumentet e Tij dhe shenjat e qarta të Tij. Ata e përcjellin diturinë tek të ngjashmit e tyre dhe e mbjellin faren e vet në zemrat e njëjta. Dituria i çoi ata në të kuptuarit e të vërtetës, e kuptuan vlerën e ulët të dynjasë dhe rendësinë e ahiretit dhe kështu u lidhën me frymëzimin e lartësuar të besimit, duke e nënçmuar atë të cilën e vlerësuan të degjeneruarit dhe duke e konsideruar të rëndësishme atë që e nënçmuan injorantët. E shoqëruan këtë botë me trup, ndërsa shpirtërat e tyre shikonin në vendin më të lartë.
O Kumejl, ja këta janë mëkëmbësit e Allahut në Tokë dhe ftuesit për në fenë e Tij. Eh! Eh! Sa kam mall për ta.
E tani o Kumejl, shko nëse dëshiron!”
————————————–
E ka shënuar Ebu Nuajmi në “Hilje” (1/80), Hatib Bagdadi në “Fekih ve Mutefekih” (nr.176), Mizzi në “Tehdhib Kemal” (24/220). Hadithin gjendet edhe tek Sujutiu në “Xhamiun e tij” (29/276), Ibën Asakiri në “Tarih Dimeshk” (14/18), Kenzul Umal (10/477) etj.
Hatib Bagdadi ka thënë: Ky është prej haditheve më të mira për nga kuptimi, dhe klasifikimi i prijësit e besimtarëve Ali ibën Ebi Talibit në fillim të hadithit është shumë i qëlluar, sepse njeriu s’ka mundësi të del jashta këtyre kategorive te cilat ai i ka përmendur; ose do të jetë dijetar, ose nxënës I diturisë, ose njeri që është i shkujdesur ndaj diturisë dhe kërkimit të saj, as nuk është dijetar e as kërkues dije.”
Ibën Abdulberri në librin e tij që ka shkruar për vlerën e diturisë (2/112) ka thënë: “Ky hadith është i njohur (mesh’hur) sipas dijetarëve, dhe s’ka nevojë fare për zingjir transmetimi, për shkak të shyhretit që ka në mesin e tyre”.
Ka thënë Ibën Kethiri në “Bidaje ve Nihaje” (9/47): “Ky hadith i Ali ibën Ebi Talibit është i njohur. E kanë transmetuar një grup prej hafizlerëve të besueshëm. Në të ka këshilla të dobishme dhe fjalë shumë të mira. Allahu qoftë i kënaqur me thënësin e tij”.

Përktheu hoxhë Drilon Gashi




There is 1 comment

Add yours
  1. dobry sklep

    Wow, awesome blog layout! How lengthy have you been running a blog for?
    you make blogging glance easy. The entire look of your website is fantastic, as neatly
    as the content! You can see similar here najlepszy sklep


Post a new comment