thumbnail_10419054_888435437867724_6476870781470467498_n

Pranimi i mosdijes, veti e dijetarëve hyjnor

Spread the love

Pejgamberi Fisnik, paqja e Allahut qoftë me të dhe familjen e tij të ndershme, në hadith thotë:

“Kushdo që fiton njohuri të cilat duhet të arrihen vetëm për hir të Allahut, por, e fiton vetëm për hir të pozitës dhe qëllimit në këtë, nuk do ta ndiej aromën e xhenetit në Ditën e gjykimit.”

“O Ebu Dherr, sa herë të pyetesh për diçka që nuk e di, thuaj: ‘Këtë nuk e di’ do të shpëtosh nga pasojat e saj, dhe mos gjyko për njerëzit për atë që nuk e di — do të shpëtosh nga dënimi i Zotit në Ditën e gjykimit.”

Është e pahijshme që njeriu ta thotë atë që nuk e di, sepse shpesh ajo që thotë mund të jetë shkas për mashtrimin dhe humbjen e rrugës njerëzve të tjerë.

Një nga telashet e mëdha që mund ta godas dijetarin është që, nëse nuk di diçka, ka turp dhe nuk dëshiron ta pranoj padijen e tij. Të pranosh mosdijen është lehtë për të padijshmin, por kur dikush njihet si njeri i ditur, atëherë përpiqet t’i shmanget shqiptimit të fjalisë: “Nuk e di.” Kur e pyesin për diçka që nuk di, e ka vështirë të mos përgjigjet në pyetje, sepse ka frikë që njerëzit do t’i thonë: “Çfarë dijetari je ti kur nuk di të përgjigjesh në pyetje?”

Pse duhet të jetë e vështirë që njerëzve t’i përgjigjet: “Nuk e di”? A është bërë obligim fetar ajo që të gjithë t’i dinë të gjitha? Vetëm Zoti i di të gjitha dhe të tjerëve u ka dhënë dije nga dija e Tij sa një pikë, siç thuhet në Kur’anin Fisnik:

“…e juve ju është dhënë fort pak dije”.

Rahmetliu Alame Tabatabai — Allahu qoftë i kënaqur me të!

Të mërkurave dhe të enjteve mbante ligjërata të cilat ndiqeshin nga një numër i konsiderueshëm nxënësish. Aty shqyrtoheheshin çështje filozofike dhe të tjera. Kur kishin ndonjë pyetje, para fillimit të ligjëratës apo në rrugë, nxënësit e ndalnin dhe ia parashtronin pyetjet e tyre. Një natë në rrugë ia shtrova një pyetje filozofike, ndërsa ai u përgjigj se nuk e dinte. Ia shtrove edhe pyetjen e dytë, ndërsa ai pa hezitim u përgjigj se nuk e dinte. Mandej u mendua pak dhe më tha: “Shikoni, edhe në këtë mënyrë njeriu mund të përgjigjet.” Pastaj ofroi përgjigje të kënaqshme, bindëse. Ai atë natë tha: “Atë që ne nuk e dimë duhet ta krahasojmë me dijen e Zotit. Vetëm atëherë do ta kuptojmë që nuk dimë asgjë dhe që ajo të cilën nuk e dimë është e paskajshme ashtu siç është e paskajshme dija e Zotit.”

Ky është veprim i atyre të cilët janë edukuar në shkollën e pejgamberëve të Allahut dhe dinjitarëve, të cilët me mëdyshje përgjigjeshin në pyetjen për të cilën nuk kishin përgjigje të sigurtë. Shpesh, përgjigja të cilën e jepte Alame Tabatabai ishte më e sigurtë se ajo për të cilën ne ishim të sigurtë, por nësë se ai nuk kishte njohuri dhe siguri për atë që mendonte, metoda e tij ishte që në fillim të thoshte: “Nuk e di!” Në të vërtetë, kjo mënyrë është krijuar si fryt i përpjekjes me shpirtin (nefs) dhe mposhtja e tij.

Kjo është rruga dhe mënyra e atyre të cilët gjashtëdhjetë vjet apo shtatëdhjetë të jetës së tyre përplot mirësi në rrugën e pastrimit të shpirtit, nxënies dhe të mësuarit. Sot, kur ne mësojmë disa fjalë dhe terme dhe shkojmë në qytetin tonë e na pyesin diç, e kemi vështirë të themi se nuk e dimë. Duhet thënë lirisht: “Nuk e di.” Nëse nuk jemi të sigurtë në diçka, të themi: “Ka mundësi të jetë kështu.” Në atë rast e kemi çliruar vetveten nga telashet në atë Botë.

Shkaku më i madh i pendesës së dijetarit në Ditën e Gjykimit

“O Ebu Dherr, një grup banorësh të xhenetit do të jetë sipër banorve të xhehnemit dhe do t’i pyes: ‘Çka ju ka futur në zjarr, ndërsa ne kemi hyrë në xhenet duke iu falënderuar edukimit dhe mësimeve që kemi marrë nga ju?’ Këta do të përgjigjen: ‘të tjerët i kemi urdhëruar të bëjnë vepra të mirë, ndërsa vetë nuk i kemi bërë.”

Një nga skenat e Ditës së gjykimit, e cila pasqyrohet në Kur’an, është që banuesit e xhenetit gjenden sipër banuesve të xhehnemit; i shohin dhe bisedojnë me ta, sikur xheneti të jetë në një vend të lartë, ndërsa xhehnemi poshtë. Dhe në këtë mënyrë banuesit e xhenetit janë sipër banuesve të xhehnemit. Kur’ani përshkruan se si dikur banuesit e xhenetit u drejtohen banuesve të xhehnemit, ndërsa ndonjëherë e kundërta, banuesit e xhehnemit iu drejtohen banuesve të xhenetit:

Edhe banuesit e xhenetit do t’i ftojnë banuesit e Zjarrit: “Ne e kemi marrë të vërtetë atë që na e është premtuar nga Zoti ynë. E ju a e gjetët vërtetë atë me çka ju pat kanosur Zoti juaj?” Dhe banuesit e Zjarrit do të përgjigjen: “Po!” Atëherë një zëdhënës midis krejt atyre do të kumtojë: “Mallkimi i Allahut qoftë mbi ata që kanë kryer vepra të këqija,

Në të vërtetë, në harmoni me atë që është shënuar në transmetime, banuesit e xhenetit i thonë një grupi të banuesve të xhehnemit: Duke iu falënderuar udhëzimeve dhe bekimit të mësimeve tuaja dhe edukimit e kemi gjetur rrugën deri në xhenet. Çfarë ndodhi të ndëshkoheni ju me xhehnem dhe dënim të Zotit? Ata do të përgjigjen me pendesë dhe keqardhje: Ne nuk kemi vepruar sipas asaj që kemi folur: juve ju kemi ftuar të bëni vepra të mira dhe me vlerë, por vetë nuk i kemi bërë ato. Iu kishim bërë juve thirrje që të bëni vepra falënderuese, ndërsa vetë nuk i kishin bërë ato; ne ju kemi udhëzuar juve të largoheni nga mëkatet dhe shpifjet, por vetë jemi përlyer me mëkat dhe shpifje. Ju i keni dëgjuar fjalët tona dhe keni vepruar sipas tyre dhe kësisoj u vendosët në Shtëpinë e përjetshme, ndërsa ne nuk kemi vepruar sipas dijes që kishim dhe u goditëm nga ky fat i turpshëm dhe i dhëmbshëm.

Ky shpjegim dhe kjo keqardhje është fundi i atyre që nuk veprojnë sipas njohurive të tyre. Sigurisht që kjo keqardhje për ta është më e dhembshme se djegia e zjarrit të Allahut, sepse vuajtjet shpirëtrore janë më të dhembshme se ato fizike. Dhembja që e shkakton keqdashja e armikut është më e madhe se dhembja e shkaktuar nga vuajtja vetanake dhe djegia.

Është e dhembshme që njeriu ndjen që të tjerët nëpërmjet udhëzimeve të tij e kishin gjetur rrugën deri në xhenet, ndërsa ai edhe pse ka mundur që me mundësitë e tij të arrinte shkallë më të lartë ka rënë në vuajtjen e xhehnemit dhe tani nxënësit e tij rrinë dhe e shikojnë! Ata kënaqen në xhenet, e ai përpëlitet në xhehnem. Sikur ai të mos kishte asnjë vuatje tjetër, përveç këtij privimi nga mirësitë që kishin arritur ata të cilët i kishte edukuar, do t’i mjaftonte.

Po vëmë re pikëpamjet të cilat pasqyrohen në këtë hadith, konstatojmë që ne së pari duhet që qëllimet tona t’i bëjmë të drejta dhe të pastra, që duhet të nisemi në rrugë të fitimit të dijes

për hir të Zotit dhe drejt zbatimit të obligimeve. Që nga fillimi duhet ta bëjmë atë që e themi, që kjo veçori të bëhet veti e jona konstante (meleke), e nëse ia dalim të arrijmë në njohuri më të mëdha, të mund të veprojmë sipas tyre. Nëse që në fillim tregohemi sipërfaqësor dhe elastik, nëse në fillim e lëmë zbatimin e ndonje obligimi, e mandej edhe të tjerat dhe kësisoj lejojmë që brenda nesh të forcohet ndjenja e rebelimit, beteja e tutjeshme me vetveten do të bëhet e vështirë dhe e paqartë.