thumbnail_fences-to-freedom-birds-1552483865

Islami, pasqyrë e karakterit

Spread the love

Islami, pasqyrë e karakterit

Islami, në qendër të vëmendjes, ka mbarëvajtjen dhe zhvillimin e karakterit të njeriut, ose siç mund të thuhet ndryshe, Islami është feja e karakterit. Feja islame ka vendosur një ekuilibër midis të gjitha dimensioneve të karakterit dhe instinkteve të tij dhe asnjë nga këto nuk e mban të ndrydhur, duke krijuar kështu kushte të favorshme për zhvillimin e tyre paralel. Në mësimet islame mund të gjenden shumë shembuj që përmbajnë këshilla dhe instruksione për zhvillimin e secilit prej dimensioneve të karakterit. Të gjitha këto tregojnë qartë se mësimet islame bazohen në karakterin e njeriut.

Po ashtu, në Islam, me të njëjtin kujdes dhe përpikëri trajtohen edhe instinktet trupore të njeriut. Arsyeja e kësaj vëmendjeje është se feja islame u dërgua nga Ai që e krijoi karakterin e njeriut dhe vetë njeriun, për ta udhëhequr atë deri në fund. Këto tregojnë se ekziston një përputhje dhe harmoni e plotë midis krijimit (ekzistencës, gjenezës) dhe vendosjes së ligjeve të Islamit, pra, gjithçka është në ekuilibër të përsosur. Edhe Kur’ani i Madhëruar, në lidhje me këtë pikë, sqaron: “Drejtohu me përkushtim në fenë e pastër monoteiste, natyrën fillestare, në të cilën Allahu i ka krijuar njerëzit.” (“Sure Rrum”, ajeti 31)

Islami është një fe që nuk njeh ngjyrë vjetërsie, nuk plaket. Plakje dhe dalje jashtë kohës do të kishim në rast se nuk do të ekzistonte karakteri i njeriut me të gjitha dimensionet e veta. Ligjet, traditat dhe zakonet, që shoqëritë e ndryshme vendosin mbi njerëzit, do të bëhen pre e harresës dhe e zëvendësimit të tyre, nëse këto ligje nuk përputhen me karakterin e njeriut dhe nuk janë për ngritjen dhe zhvillimin e tij në përgjithësi. Përkundrazi, ligjet që vendosen në bazë të nevojave të karakterit të njeriut dhe i japin gjithmonë përgjigje atij në çdo kohë është e pamundur të vjetërsohen.

A mund të imagjinohet ndonjëherë që dimensionet e karakterit të njeriut, si për shembull kërkimi i së vërtetës, drejtësia, pastërtia njerëzore, guximi, etj, si këto, të bëhen të pavlera për njeriun? Kjo është arsyeja që feja qiellore dhe ligjet e saj, me kalimin e shekujve, nuk vjetërsohen, por përkundrazi, vlera e saj mbetet përherë e vlefshme për njerëzit.

Njeriu dhe liria

“Kushti më i rëndësishëm dhe më i domosdoshëm që njeriu të arrijë lumturinë e merituar nuk është gjë tjetër veçse zgjedhja e lirisë dhe e dëshirës së tij.”

Një nga pikat kryesore të njohjes së njeriut është liria e tij. Kuptimi i lirisë është pikërisht i kundërt me detyrimin, domethënë, njeriu mund të veprojë me dëshirën e tij ose mund ta detyrojnë të kryejë një veprim pa dëshirën e tij, pra, kur është vetë shkaktar i një veprimi me vetëdije ose kur kemi të bëjmë me forca të tjera të jashtme që nuk kanë të bëjnë me këtë njeri që vepron.

Nuk duhet harruar se fjala liri nuk nënkupton që njeriu mund të bëjë ç’të dojë, po ashtu të gjitha veprimet që ndodhin gjatë një kohe të caktuar tek një individ nuk kanë ardhur tërësisht si rrjedhojë e lirisë së tij, pra, dëshira dhe preferencat e tij nuk kanë pasur rolin më të vogël në këto ngjarje.

Duhet theksuar se tërësia e vlerave të karakterit të njeriut lidhet ngushtë me lirinë e tij dhe prania e lirisë bën të mundur zgjerimin e dimensioneve të karakterit dhe asnjëherë nuk mund të zhvillohen më lart se sa e lejon liria. Njeriu ka për detyrë të aplikojë dëshirën dhe lirinë që ka. Në bazë të këtij arsyetimi mund të themi se kushti më i rëndësishëm dhe më i domosdoshëm që njeriu të arrijë lumturinë e merituar nuk është gjë tjetër veçse zgjedhja e lirisë dhe e dëshirës së tij. Në brendësi të njeriut ka disa ndjenja shpirtërore që, shkencat që ne njohim dhe aplikojmë përditë, nuk u përgjigjen dot pyetjeve tona në lidhje me to. Pra, këto ndjenja nuk kanë nevojë për ndonjë vërtetim, sepse njeriu, në mënyrë të drejtpërdrejtë i ka të bashkangjitura në karakterin e tij dhe është i vetëdijshëm për ekzistencën e tyre, siç është i vetëdijshëm për ekzistencën e vetvetes. Për shembull, njeriu gëzohet, ndien frikë dhe për këto ndjenja ai mund të shpjegojë vetë gëzimin, frikën, e të tjera si këto pa pasur nevojë për ndonjë shkencë të përparuar, ose ndonjë ndërmjetës tjetër që të na vejë në dijeni për ekzistencën e tyre. E vërteta është se njeriu është në gjendje të vetë perceptoje me saktësi absolute dhe pa pikë dyshimi se me cilën ndjenjë ka të bëjë sipas rastit.

Nëse dikush do t’ju pyeste se me çfarë arsye e vërtetoni ju gëzimin apo trishtimin tuaj, ju si do t’i përgjigjeshit? A ka ndonjë lloj arsyetimi logjik për të vërtetuar një gjë të tillë? Natyrisht që jo. Dëshira është një e vërtetë që njeriu e ka pranuar dhe e njeh në brendësinë e tij. Për ta kuptuar më mirë këtë gjë po japim një shembull të thjeshtë: Supozoni një njeri që është i sëmurë me të dridhura të forta dhe nuk i kontrollon dot duart e tij, pra, duart e tij veprojnë në mënyrë jo normale dhe me një farë detyrimi. Në rast se ky njeri do të kryejë një punë, do t’i nënshtrohet dëshirës së tij, për shembull në zhvendosjen e një objekti nga tryeza për në një vend tjetër. Veprimi i parë i ngritjes së objektit është i detyruar, kurse se në ç ’vend do ta vendosë atë është në dëshirën e personit. Këto gjëra janë të mirënjohura nga njeriu. Megjithëse dëshira tek njeriu dallohet qartë, ka disa faktorë që tregojnë ekzistencën e saj. Disa prej tyre do t’i diskutojmë më poshtë:

1- Të menduarit dhe të duruarit: Në momente të ndryshme, njeriu, përpara se të kryejë një veprim, mendohet duke e vlerësuar nga shumë pikëpamje dhe në shumë raste qëndron në pritje, duke duruar presione të ndryshme derisa ta kryejë atë. Arsyeja, që njeriu vepron në këtë mënyrë, është se ai është plotësisht i lirë në zgjedhje dhe është i shqetësuar se mos gabon, pra, mendimi dhe durimi tek njeriu janë tregues të lirisë në zgjedhje tek ai.

2- 2- Turpi dhe pendimi: Një tregues tjetër i ekzistencës së lirisë te njeriu është ndjenja e turpit dhe e pendimit. Në qoftë se njeriu nuk do të gëzonte lirinë në veprimet e tij, ai asnjëherë, pas kryerjes së ndonjë veprimi, nuk do të pendohej apo do të turpërohej për gabimin që mund të bëjë. Pra, vetë ndjenja e turpit dhe e pendimit merr kuptim vetëm kur njeriu mund të zgjedhë para se të veprojë.

3- 3- Përgëzimi dhe ndëshkimi: Po ashtu, edhe ky grupim rregullash në shoqëri thekson me forcë për lirinë që ka njeriu në zgjedhjen e tij. Është e qartë se përgëzimi, vlerësimi

material, pozitiv apo negativ, si dhe ndëshkimi janë disa rregulla në çfarëdolloj shoqërie njerëzore, që kanë kuptim vetëm në rast se njeriu ka mundësi të zgjedhë me kushte të lira. Asnjë dijetar nuk do ta pranonte, për shembull, ndëshkimin në kushte të një veprimi të detyruar dhe pa dëshirën e vepruesit.

4- 4- Sistemi i arsimimit dhe i edukimit: Nuk ka asnjë dyshim se, në shoqëritë njerëzore, ekzistojnë sisteme zinxhir të mirë organizuara edukimi dhe arsimimi, për të vetmin qëllim që njeriu të ketë mundësi për të vepruar në mënyrë të drejtë dhe të rrisë aftësinë e tij në zgjedhje. Në qoftë se ai nuk do ta kishte një liri të tillë në zgjedhje, a do të kishte vend për edukimin e tij?

5- Mos kundërshtimi i lirisë në zgjedhje

Liria në zgjedhje, tek njerëzit, është një fakt i pamohueshëm. Megjithatë, në shoqëri të ndryshme, ka njerëz që e hedhin poshtë këtë fakt dhe nuk e pranojnë që njeriu mund të zgjedhë i lirë. Për këtë sjellin fakte dhe arsyetojnë në një mënyrë absurde, sa mohojnë dhe ekzistencën e tyre. Ka të tjerë që e mohojnë me fjalë, por në praktikë, kur vihen përballë veprimit, detyrohen ta pranojnë në një farë forme, gjë që tregon se vetë ata, në thellësinë e brendësisë së qenies së tyre, e pranojnë këtë fakt të pamohueshëm.

Shkencëtari i madh islam, Abu Ali Sina (Aviçenca), në lidhje me këtë temë shpjegon: “Mënyra më e mirë për të bindur njerëz të tillë është të atakohesh në mënyrë të drejtpërdrejtë me ta dhe të argumentosh se nuk është zgjedhja juaj, por se ishit të detyruar të përballeshit me njëri-tjetrin, kështu që ata do ta kuptojnë hilen dhe do të zgjohen nga kjo gjendje e plogët mendimi.”

Liria dhe filozofia profetike

“Sipas të gjitha feve qiellore, njeriu është një krijesë që zgjedh dhe, në bazë të kësaj

zgjedhjeje, përcakton fatin e tij.”

Baza e të gjitha feve qiellore është aftësia që ka njeriu për të zgjedhur. Kjo liri në zgjedhje nuk është e kufizuar nga asnjë faktor fizik ose natyror. Kjo përbën pikën mbështetëse të feve, së bashku me sistemet përkatëse edukativo-morale. Siç dihet, në kohët e hershme, profetët, njëri pas tjetrit, e kanë ftuar njerëzimin drejt rrugës së drejtë dhe t’i shmangen veprimeve të ndaluara.

Përkatësisht, nga secila fe, lind pyetja: Në qoftë se njeriu nuk do të kishte të drejtën e zgjedhjes, a do të kishte kuptim kjo ftesë profetike? Pra, profetët, duke e ditur më së miri një aftësi të tillë te njeriu, i kanë drejtuar atij një ftesë të tillë logjike, të mbështetur më së miri te karakteri i zgjedhjes së tij të lirë.

Profetët, përveç udhëzimeve që jepnin për rrugën e drejtë dhe predikimeve që bënin, kishin për detyrë të vinin në dijeni njerëzit për parajsën dhe ferrin. Kjo detyrë e profetëve mbështetet plotësisht te aftësia që ka njeriu për të zgjedhur rrugën e tij. Po ashtu, shprehjet që profetët propagandonin pa pushim, si: përgjegjësia, provat që njeriu jep në jetë, ndëshkimet, udhëheqja, qorrolisja, etj, a do të kishin kuptim nëse njeriu do të kryente gjithçka si një makinë e mirëprogramuar qysh më parë, në mënyrë që të veprojë me përpikëri siç e kërkon inxhinieri i saj dhe pa asnjë shmangie nga programi? Në Kur’anin Famëlartë shkruhet: “Natyrisht që Ne i

treguam atij rrugën e drejtë, që ai të jetë ose mirënjohës, ose mosmirënjohës.” (sure “Insan”, ajeti: 3)

Pra, arrijmë në përfundimin se, sipas të gjitha feve qiellore, njeriu është një krijesë që zgjedh dhe, në bazë të kësaj zgjedhjeje, përcakton fatin e tij.

Rëndësia e lirisë së zgjedhjes nga këndvështrimi praktik dhe shoqëror

Kur një individ në shoqëri nuk ka liri të zgjedhjes për jetën e tij, atëherë dora e shtypësve zgjatet dhe të ligjërohet ndërsa zëri i të shtypurve dobësohet dhe humbet mbështetjen në ligje.

Praktika ka treguar se është me rëndësi të madhe fakti që një njeri të jetë i vetëdijshëm për të drejtën e zgjedhjes në një shoqëri, sepse kjo ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë te sjellja e tij me të tjerët. Kuptohet që sjellja e një njeriu, që e kupton vlerën e lirisë dhe rolin që ajo ka në vendosjen e fatit të tij, me një njeri që mendon se liria e zgjedhjes nuk ka ndikimin më të vogël në paracaktimin e fatit të tij, do të jetë krejt e ndryshme.

Mendoj se është me vlerë të theksohet se në jetë asgjë tjetër nuk e ndrydh më shumë shpirtin e njeriut se sa fakti që ai e ka humbur të drejtën e zgjedhjes dhe mendon se është diçka tjetër që e komandon atë plotësisht dhe ai është duke vepruar sipas urdhrave të saj pa kurrfarë rrugëdaljeje.

Ndryshimi midis njeriut që beson tek liria e tij dhe atij që nuk ka një mendim të tillë është i madh. I pari është njëlloj si ai zogu i lehtë me krahë të hapur, i cili mund të fluturojë kudo me dëshirën e tij, ndërsa i dyti është si ai zogu që i ka krahët e prera dhe nuk e ka privilegjin e fluturimit sipas vullnetit të tij. Kjo gjë i shkakton dhembje të përhershme shpirtërore.

Përveç dëmeve personale, që shkakton mungesa e zgjedhjes së lirë te njeriu edhe dëmet shoqërore janë të konsiderueshme. Mosnjohja e saktë e lirisë, që ekziston te njeriu, në kuptimin e plotë të fjalës, është si virusi që ka infektuar fillimisht vetë personin dhe me pas infekton gradualisht shoqërinë. Më saktë, bën që dora e shtypësve të zgjatet dhe të ligjërohet, ndërsa zëri i të shtypurve të dobësohet dhe të humbasë mbështetjen në ligj.

Ata që zotërojnë pasuri të të tjerëve dhe pasuri të mëdha të përbashkëta, mbi bazën e pretekstit, se gjoja fati deshi të ndodhte kështu, harrojnë të falënderojnë Zotin për një gjë të tillë dhe nuk u japin të drejtë të tjerëve për të protestuar dhe ngritur zërin për një gjë të tillë. Kjo është arsyeja që njerëzit dhe vendet agresore zbatojnë diktatin e tyre mbi të dobëtit dhe i lënë ata në një errësirë absolute lirie. Historia islame dokumenton shumë fakte të tilla, ku qeveri të ndryshme mizore dhe diktatura nga më të shumëllojshmet janë munduar me të gjitha mjetet që të fshijnë nga kujtesa e njerëzimit të drejtën themelore që njeriu ka për të zgjedhur.