AktualiteteFakteHistoriIslamologjiPolitik

Pas vrasjes së Halifit  Osmani – Pjesa XIII

Kur Aliu u zgjodh në postin e Kalifit, ai i gjeti medinasit të ndarë në dy grupe. Njëri grup kërkonte hakmarrje për gjakun e Osmanit kurse tjetri mendonte se Osmani vetëm sa e kishte paguar dënimin e veprave të tija të gabuara dhe se shi për këtë arsye, nuk mund të bëhej fjalë për hakmarrje. Çfarëdo që të bënte Aliu, njëri nga këto grupe do të rebelohej domosdo kundër tij.

Qeveria e re ishte shumë e brishtë dhe Aliu bënte çmos për ta konsoliduar shtetin. Pikërisht në rrethanat e tilla, grupi i parë filloi t’i bënte shtypje dhe t’i kërkonte dënim për vrasësit e Osmanit. Aliu u tha:

“Edhe unë jam i vetëdijshëm për nevojën e dënimit të vrasësve të Osmanit. Por a kemi mundësi ta bëjmë këtë? Tani për tani jo. Ata mund të na imponojnë neve ndonjë gjë por jo edhe ne atyre. Po të duan, mund të na dëmtojnë por nuk  i dëmtojmë dot ata. A dini ndonjë mënyrë për t’i nënshtruar?”

Ato ditë, Medineja ishte e mbushur me rebelët që e kishin kundërshtuar Osmanin. Ishte fuqia e tyre që mbisundonte në Medine dhe askush nuk guxonte ta kundërshtonte këtë autoritet. Po të vendoste Aliu t’i dënonte, ata me shumë gjasa do të rebeloheshin kundër tij. Ata ishin të vetëdijshëm për fuqinë e tyre dhe për dobësinë e qeverisë së Medines.

Grupi i parë, ai i njerëzve që kërkonin hakmarrje, po të kishte parë ndonjë dobësi tek rebelët, do të kishte luftuar kundër tyre qëkur ata e rrethuan pallatin e Osmanit. Por një gjë të tillë nuk e bënë kurrë. Gjatë rrethimit, udhëheqësit e këtij grupi u fshehën. Por sapo Aliu u zgjodh si Kalif i ri, ata u shfaqën dhe filluan t’i kërkonin atij që t’i dënonte vrasësit e Osmanit.

Prijësit e këtij grupi vendosën ta sfidonin Aliun. Mendimi i Aishes, e cila ishte pjesëtare e këtij grupi dhe ndodhej në Mekke, ishte që të sulmohej Medineja, sepse të gjithë rebelët ndodheshin në Medine. Por Talhaja dhe Zubejri, të cilët ishin larguar nga Medineja me pretekstin se do të shkonin për Umre në Mekke, nuk u pajtuan me këtë ide të Aishes dhe thanë:

“O nënë e besimtarëve! Harroje Medinen! Ushtria jonë s’mund të luftojë kundër rebelëve të atjeshëm. Andaj është më mirë të shkojmë në Basra”. (“Historia” e Taberiut, vëll. 3).

Aisheja, Talhaja dhe Zubejri kishin me vete një ushtri të tërë, kishin para dhe kishin armë të mjaftueshme. Megjithatë, ata nuk shkonin në Medine, me arsyetimin se nuk ishin mjaft të fuqishëm sa për t’i nënshtruar rebelët. Nëse ata nuk luftonin dot kundër rebelëve ndonëse kishin një ushtri, si do të mund të luftonte kundër tyre Aliu, i cili nuk e kishte një ushtri si ushtria e tyre?

Nëse Aisheja, Talhaja dhe Zubejri vërtet kërkonin hakmarrje për Osmanin, do të duhej të kishin shkuar drejt e në Medine dhe jo të kishin kaluar qindra kilometra nëpër shkretëtirë, për të arritur në Basra. Por ata e shihnin se rebelët ishin aq të shumtë në numër, sa ishte e pamundur të dënoheshin. Njerëzit e Medines, Egjiptit, Kufes dhe Basrës, të gjithë ishin të përfshirë në vrasjen e Osmanit, drejtpërdrejt ose tërthorazi. Kishte shokë të Profetit që u shkruan letra rebelëve dhe i ftuan në Medine. Përveç tyre, kishte shumë muhaxhirë dhe ensarë të tjerë që i përkrahnin rebelët. Pa përkrahjen e tyre të nënkuptuar, rebelët kurrë nuk do të guxonin ta vrisnin një Kalif brenda shtëpisë së tij.

 Mënyrat se si të dënohen vrasësitë e Osmanit

Kishte dy mënyra për ta dënuar vrasësin ose vrasësit e Osmanit. Mënyra e parë ishte që të vriteshin të gjithë që kishin marrë pjesë direkte ose indirekte në këto trazira, pavarësisht në ishin muhaxhirë, ensarë, egjiptas ose irakianë. Është më se e qartë se kjo ishte e pamundur. Por edhe sikur të ishte e mundur një gjë e tillë, shteti nuk mund të vriste njëmijë vetë si hakmarrje për vrasjen e një personi të vetëm.

Mënyra e dytë ishte që ky rast të hulumtohej me kujdes, fajtorët të silleshin para drejtësisë dhe pasi të vërtetohej faji i tyre, të ekzekutoheshin.

Aliu dëshironte ta ndiqte këtë rrugë por para se të mund ta bënte atë, duhej të vinte rend në një shtet ku kishte muaj që mbretëronte anarkia dhe kaosi.

Vrasja e Osmanit nuk ishte pasojë e ndonjë provokimi të çastit. Negociata të gjata e të stërzgjatura i kishin paraprirë vrasjes. Ai u vra pasi dështuan këto negociata.

Delegacione të shumta erdhën nga qytetet e largëta për t’u takuar me të dhe për t’i treguar për krimet e guvernatorëve të tij. Ai premtoi ta korrigjonte situatën por dështoi në mbajtjen e premtimit të dhënë.

Kur një delegacion ia përkujtoi premtimin për ta liruar nga detyra një guvernator të vetin, ai tha:

“Ju kërkoni që unë ta liroj nga detyra një guvernator timin, me të cilin ju nuk jeni të kënaqur dhe pastaj ta emëroj në vend të tij një tjetër njeri sipas dëshirës suaj. Po të veproja sipas dëshirave tuaja, unë nuk do të isha asgjë dhe ju do ta kishit gjithë sundimin”. (“Tarikh Kamil”, nga Ibn Ethiri, vëll. 3, fq. 86).

Delegatët u zemëruan me këtë përgjigje të Osmanit dhe i thanë:

“Ti s’je i aftë t’i korrigjosh gabimet e qeverisjes tënde. Andaj, duhet ta lësh pozitën e Kalifit. Po s’e bëre këtë, ne do të marrim masa të ashpra”.

Osmani tha:

“A po më kërcënoni me vdekje? Për cilin krim do të më vrisni? Në Islam, dënimi me vdekje vjen kur të vrasësh një njeri të pafajshëm, kur të dalësh nga feja dhe kur ta përdhunosh një grua të ndershme. Unë s’e kam bërë asnjërën nga këto gjëra. Për çfarë do më vrisni?”

Përgjigja e delegatëve ishte si vijon:

“Për ata që përhapin trazira në tokë dhe e uzurpojnë të drejtën e tjetrit, dënimi i parashikuar në Librin e Zotit është vdekja. Ti ke abuzuar me fuqinë e qeverisë. Ti i dëbove shokët më të nderuar të të Dërguarit nga Medineja dhe disa të tjerë urdhërove të rriheshin. Ti i ke vendosur jobesimtarët dhe të dehurit si udhëheqës të popullit. Ti dhe guvernatorët e tu e keni tmerruar shoqërinë myslimane dhe ua keni shkelur të drejtat. Të gjitha këto i keni bërë dhe keni bërë edhe shumë të tjera. Prapëseprapë, nëse largohesh nga pozita që ke, s’do të kemi punë me ty dhe do të lëmë të qetë”.

Por Osmani nuk dëshironte të largohej sepse, siç thoshte ai, Kalifati ishte një “këmishë”, të cilën ia kishte mbathur Zoti dhe ai s’mund ta hiqte.

S’ka dyshim se Zoti mund t’ia mbathte kujt të kishte dëshirë “këmishën” e Kalifatit. Por “këmisha” që mbante veshur Osmani nuk ishte nga Zoti por nga Abdurrahman bin Aufi.

Ky dialog e bën të qartë se rebelët e ndërmorën hapin e fundit vetëm kur i kishin humbur të gjitha shpresat. Ata ishin tashmë të bindur se ekzekutimi i Osmanit ishte një gjë e drejtë. Bindja e tyre përforcohej edhe më shumë nga fjalët e njerëzve me ndikim si Aisheja, Talhaja, Zubejri dhe Amr bin Asi, secili prej të cilëve, ose drejtpërdrejt ose tërthorazi, e k nga libri ” Ritregim i historisë së Islamit dhe myslimanëve – Sejjid Ali Asghar Razvi )ishte miratuar vrasjen e Osmanit.

Marrë nga libri ” Ritregim i historisë së Islamit dhe myslimanëve – Sejjid Ali Asghar Razvi )

Të ngjashme

Back to top button