
Fatime Zehra: Drita e gjallë e el-Kewther-it
Sura el-Kewther nuk është thjesht një premtim për begati; ajo është edhe përgjigjja hyjnore ndaj atyre që menduan se drita e Muhamedit ﷺ do të shuhej.
Kur armiqtë e quajtën “ebter” — të këputur, pa vazhdim — Allahu ua përmbysi gjykimin:
“Vërtet, ai që të urren ty, ai është i këputur.” (el-Kewther, 3)
Dhe një prej shfaqjeve më të bukura të këtij el-Kewther-i në histori ishte Fatimeja Zehra: jo vetëm bija e Profetit ﷺ, por edhe loza përmes së cilës vazhdoi trashëgimia profetike, duke mbetur e gjallë, e ndritur dhe e pashuar ndër shekuj.
Fatimeja nuk është vetëm figurë familjare në historinë islame. Ajo është figurë e dëlirësisë, e besimit, e urtësisë, e dinjitetit dhe e dritës së brendshme. Prandaj edhe është quajtur Ez-Zehra — e ndritshmja; Et-Tahira — e pastra; Ez-Zekijje — e dëlira; El-Mubareke — e bekuara; dhe Es-Siddika — e sinqerta.
I Dërguari i Allahut ﷺ nuk e pa thjesht si bijë, por si pjesë të vetvetes. Ai ka thënë:
“Fatimja është pjesë prej meje; më shqetëson ajo që e shqetëson atë dhe më lëndon ajo që e lëndon atë.”
(Buhariu dhe Muslimi)
Kjo nuk ishte thjesht lidhje gjaku. Kjo ishte lidhje drite, lidhje shpirti, lidhje e një afërsie të rrallë profetike.
Edhe bukuria e raportit të tyre është prekëse. Kur Fatimeja hynte te Profeti ﷺ, ai ngrihej për të, e puthte dhe e ulte në vendin e vet. E kur ai hynte tek ajo, ajo ngrihej për të, e puthte dhe e ulte në vendin e vet. (Ebu Davudi, Tirmidhiu – hadith i saktë)
Sa dashuri. Sa edukatë. Sa nderim i ndërsjellë. Sa dritë në një marrëdhënie babë-bijë.
Në transmetime të sakta vjen gjithashtu se ajo është prej grave më të larta të Xhenetit. Profeti ﷺ e përgëzoi me pozitë të lartë, dhe ajo mbeti ndër figurat më të ndritura të shtëpisë profetike.
Por Fatimeja nuk e arriti këtë lartësi vetëm për shkak të prejardhjes. Jo.
Ajo u ngrit me: iman të thellë, takva të lartë, zuhd e thjeshtësi fisnike, durim të palëkundur, turp të dëlirë, dhe forcë morale.
Ajo ishte e butë, por jo e dobët. E heshtur, por jo pa peshë. E dëlirë, por jo e shkëputur nga përgjegjësia. E përulur, por jo e fshirë nga historia. Fatimeja ishte edhe zë.
Ajo nuk ishte vetëm figurë loti, por edhe figurë fjale, vetëdijeje dhe qëndrimi. Në fjalimet e saja të njohura dhe frymëzimet e saja të thella, ajo shfaqet me një mendje të kthjellët, me dije të lartë, me vetëdije për fenë, drejtësinë, përgjegjësinë dhe të vërtetën. Kjo tregon se madhështia e saj nuk ishte vetëm shpirtërore, por edhe intelektuale e morale.
Edhe martesa e saj me Imam Aliun nuk ishte thjesht një lidhje familjare, por një bashkim me peshë të veçantë: shtëpi e thjeshtë, por e mbushur me nur; jetë e varfër në dynja, por e pasur në afërsi me Allahun; strehë e sakrificës, e adhurimit dhe e vazhdimit të dritës profetike përmes Hasanit dhe Hysejnit.
Prandaj, emri Fatime nuk ka mbetur i gjallë rastësisht në kulturën tonë shqiptare e ballkanase. Ai ka jetuar sepse populli ynë e ka ndier gjithmonë se në këtë emër bashkohen dëlirësia, sakrifica, fisnikëria, qëndrueshmëria dhe dashuria për Ehli Bejtin.
Për ne, Fatimeja nuk është vetëm emër. Ajo është kujtesë.
Nuk është vetëm histori. Ajo është prani.
Nuk është vetëm lavdi e së kaluarës. Ajo është dritë që ende mat shpirtin tonë sot.
O Zot, për hir të dashurisë që kemi për Fatimenë e pastër, për atin e saj (Muhamedin ﷺ), dritën që zhduk çdo errësirë, për bashkëshortin e saj (Aliun) dhe bijtë e tyre (Hasanin e Hysejnin) – yje të udhëzimit, dhe për atë Sekret Hyjnor që Ti mbodhe në shpirtin e saj me aq lartësim…
Na mëshiro, na ndriço dhe na bëj prej atyre që këtë dritë e pasojnë me besnikëri!
Amin.
Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi Fatime Zehranë!
E punoi : Msc.Drilon Gashi



