
Osmani urdhëroi vrasjen e Abdullahut biri Ebu Bekrit – Pjesa XI
I zgjuar nga këto ngjarje, Osmani e kuptoi se e shoqja kishte pasur plotësisht të drejtë. Ai i kërkoi Aliut që të vinte por Aliu nuk pranoi. Pas kësaj, Osmani vendosi të shkonte tek Aliu dhe për të mos u dukur, shkoi natën.
Para Aliut, Kalifi plak e derdhi tregimin e gjendjes së tij të pashpresë dhe i kërkoi falje për gabimet e shumta, duke i premtuar se në të ardhmen do ta mbante fjalën, sikur Aliu të ndërmjetësonte mes tij dhe myslimanëve. Por Aliu ia ktheu:
“Ti qëndron në foltoren e të Dërguarit të Zotit dhe flet gënjeshtra. U premton myslimanëve se do të veprosh me drejtësi dhe pastaj nuk e mban premtimin.Tani gjithkush ka kuptuar se sa e nderon ti fjalën e dhënë. Kur myslimanët duan të flasin me ty, Mervani i sulmon dhe i mallkon. Si pret akoma që dikush të të besojë? Unë nuk marr përgjegjësi mbi vete për veprimet e tua. Mundësitë janë të qarta dhe ty të takon zgjedhja. Shpëto nga Mervani! Nëse nuk e bën dot këtë, atëherë mos më kërko ndonjë gjë! Me Mervanin si këshilltar të parë tëndin, s’ka asgjë që unë mund të bëj për ty”.
Osmani e donte së tepërmi dhëndrin e tij dhe si pasojë, kushti i Aliut që të distancohej prej tij, ishte i papranueshëm. Këtu duhet theksuar se Aliu nuk i kërkoi Osmanit që ta dëbonte Mervanin nga Medineja, siç e kishte dëbuar i Dërguari. Ai thjesht i kërkoi që të mos i bindej atij. Por Osmani nuk pranoi dhe u kthye në shtëpi.
Teksa Mervani po merrej me myslimanët e Medines, Osmani u dërgoi letra guvernatorëve të tij, në të cilat u kërkonte atyre të dërgonin trupa drejt Medines që të mund t’i “disiplinonte rebelët”. Shpresa e tij më e madhe ishte Muavije ibn Ebu Sufjani, të cilit i dërgoi shumë letra, duke i kërkuar që t’i sillte në Medine ushtarët e tij të prirë nga komandantë të zotë. Por as Muavije dhe as guvernatorët e tjerë të Osmanit nuk iu përgjigjën thirrjes.
Një ditë, një njeri e pa Osmanin jashtë pallatit të tij dhe i tha:
“Sa do të kisha dashur të tërhiqja zvarrë përtoke, bashkë me njerëzit që i ke përreth”
“Njerëzit që i kam përreth s’janë veçse shokët e Profetit”, ia ktheu Osmani. Me shumë gjasa ai mendonte për Hakemin, Mervanin, Velid bin Akaben, Said bin Asin, Abdullah bin Sad bin Ebi Serhun dhe për të tjerët. Më pas, Osmani përshpëriti: “Le të vijë ushtria dhe do t’të jap një mësim të mirë”.
Por ushtria nuk erdhi kurrë. Muavije nuk ngutej dhe kuptoi se sikur kaosi të mbretëronte në Medine, ai do të mund ta manipulonte gjendjen dhe mbase ta merrte edhe vetë Kalifatin.
Kur të gjitha këto gjëra po ndodhnin në Medine, lajme të këqija erdhën nga veriu. Muhammed ibn Ebu Bekri, guvernatori i sapoemëruar i Egjiptit, kishte arritur në Elath pranë Detit të Kuq dhe po përgatitej të hynte në Egjipt. Ai ishte vendosur pranë Elathit kur njerëzit e tij e kishin gjetur një udhëtar të vetmuar mbi deve, i cili ishte nisur nga Medineja. Ata e ndalën për ta marrë në pyetje dhe pas disa përgjigjeve të dyshimta, ia kërkuan trupin. Pas një kërkimi të kujdesshëm të tij dhe të gjërave që kishte marrë me vete, e gjetën një letër të fshehur, e cila e mbante vulën e Kalifit dhe i drejtohej Abdullah bin Sad bin Ebi Serhut, guvernatorit të Egjiptit. Edhe letrën edhe lajmëtarin i sollën tek Muhammed bin Ebu Bekri, i cili pasi e hapi letrën, i lexoi fjalët në vijim:
Kur Muhammed ibn Ebu Bekri dhe ndjekësit e tij të vijnë në Egjipt, kapi dhe vriti të gjithë! Pastaj vazhdo me detyrën tënde si guvernator i Egjiptit!
Në fillim, Muhammedi nuk u besonte dot syve. Si mund Osmani të kishte urdhëruar një gjë të tillë? Ai e lexoi dhe e rilexoi letrën, duke menduar për atë që duhej të bënte.
Më në fund, ai vendosi të kthehej në Medine. Kur arriti atje, Muhammedi hyri në Xhaminë e Profetit dhe e vendosi letrën para shokëve të Profetit. Disa prej tyre e thirrën Osmanin, ia treguan letrën dhe mes tyre u zhvillua dialogu në vijim:
Njerëzit: “A e shkrove ti këtë letër?”
Osmani: “Jo!”
Njerëzit: “E kujt është vula mbi letër?”
Osmani: “E imja”.
Njerëzit: “I kujt është shkrimi?
Osmani: “I sekretarit tim”.
Njerëzit: “Skllav i kujt është lajmëtari?”
Osmani: “I imi”.
Njerëzit: “Kush e dërgoi drejt Egjiptit?”
Osmani: “Nuk e di”.
Njerëzit:
“Vula mbi letër është e jotja, shkrimi është i sekretarit tënd dhe skllavi është i yti. Nëse je kaq i pavetëdijshëm, atëherë do të ishte më mirë edhe për ty edhe për shoqërinë myslimane, që të largoheshe nga Kalifati. Le ta marrë një tjetër njeri përsiper këtë punë, që do të jetë më i aftë se ti”.
Osmani:
“Kalifati është një këmishë, të cilën ma ka mbathur Zoti dhe unë s’kam për ta hequr kurrë. Por mund të pendohem po të doni”.
Njerëzit:
“Pendimi yt nuk ka më vlerë. Ti je penduar sa e sa herë deri tani. Andaj, lëre Kalifatin dhe lëshoja vendin një njeriu më të aftë se ti. Ti thua se nuk e di se kush e ka çuar letrën. Nëse e thua të vërtetën, atëherë s’mund të jetë tjetër veçse dhëndri yt. Ai e ka shkruar dhe e ka dërguar. Ai është krimineli i vërtetë që do t’ua merrte jetën shumë myslimanëve të pafajshëm. Nëse vërtet je i sinqertë, atëherë na e dorëzo atë dhe na lejo ta marrim në pyetje!
Osmani: Nuk mund t’jua dorëzoj Mervanin”.
Njerëzit:
“Atëherë duhet të kuptojmë se edhe ti more pjesë në këtë krim dhe se edhe ti deshe që myslimanë të pafajshëm të vriteshin sapo të arrinin në Egjipt, vetëm e vetëm sepse ti dhe Mervani nuk i donit ata”.
Më pas, shokët e Profetit shkuan në xhami dhe ua treguan protestuesve rezultatet e bisedimeve me Osmanin. Me ta kuptuar gjendjen, egjiptianët e rrethuan pallatin e Osmanit. Edhe të ardhurit nga Basra dhe nga Kufeja u vendosën përreth pallatit të Kalifit dhe shpallën se ai do të mbetej i burgosur derisa ta dorëzonte Mervanin.
Gjatë rrethimit, rezervat e ujit të pijshëm në pallat mbaruan. Osmani u kërkoi disa shokëve të Profetit që t’i dërgonin ujë por që të gjithë e shpërfillën kërkesën e tij. Më në fund, ai i dërgoi fjalë Aliut dhe ky i fundit i dërgoi ujë bashkë me disa roje të armatosura, të cilat duke luftuar do ta hapnin rrugën për ta dorëzuar ujin.
Osmani akoma shpresonte se njëri nga guvernatorët e tij, me shumë gjasa Muavije ibn Ebu Sufjani, do t’i dërgonte trupat e tija dhe do të arrinte t’i shtypte rebelët. Në ndërkohë, rebelët po e ngushtonin gjithë më tepër rrethimin e tyre.
Vazhdon ……… Vrasja e Osmanit
Marrë nga libri ” Ritregim i historisë së Islamit dhe myslimanëve – Sejjid Ali Asghar Razvi )



