
Gënjeshtra e Osmanit dhe hipokrizia e Mervanit – Pjesa e dhjetë
Ditën e ardhshme, Osmani shkoi në xhami, i pranoi gabimet e tija, kërkoi falje dhe mëshirë nga Zoti, premtoi të mos i përsëriste gabimet dhe tha se do të vepronte sakaq për ta reformuar qeverisjen myslimane. Njerëzit e mbledhur u prekën mjaft nga kjo skenë dhe me sigurimet që ua dha Kalifi, të dyja palë “shkëmbyen lot” me njëra-tjetrën. Dukej sikur lotët e kishin larguar pakënaqësinë, armiqësinë dhe mosmarrëveshjet.
Nëpërmjet përpjekjeve të Aliut, ishte arritur një pajtim, i cili në ato rrethana, lirisht mund të quhej një mrekulli. Por siç do të shihej më pas, kjo mrekulli nuk ishte jetëgjatë. Osmani u largua nga xhamia me shumë vendime të virtytshme. Por kur hyri në pallatin e tij, ai u gjet ballë për ballë me Mervanin, këshilltarin e tij kryesor, i cili e priste me këshilla të tjera të freskëta. Para se Mervani të mund të thoshte diçka, gruaja e Osmanit Naileja, e ndali atë dhe ndërmjet tyre u zhvillua dialogu në vijim:
Naileja:
“Për hir të Zotit mbaje mbyllur gojën, me të cilën ke krijuar tashmë dëme të mjaftueshme! Po s’e mbylle gojën, s’ka dyshim se do t’ia përgatisësh fundin këtij plaku (Osmanit). Me ligësinë tënde, ti po e shtyn atë drejt vdekjes”.
Mervani:
“Kush je ti që të përzihesh në këto punë? Mos ke harruar vallë se je e bija e një njeriu që nuk dinte as si merrej abdesti për të falur namaz?”
Naileja:
“Ti je gënjeshtari më i madh. Para se ta përmendësh babain tim, kujto se ti dhe babai yt ishit të mallkuar nga Zoti dhe nga i Dërguari. Po të mos më vinte turp nga ky plak, do të ta jepja një mësim”.
Më pas, Naileja u kthye drejt të shoqit (Osmanit) dhe i tha:
“Mos e dëgjo këtë budalla të devijuar! Kush është ai? Kush ia var veshin? Nëse dëshiron të jesh i sigurt, dëgjoi fjalët e Aliut! A nuk sheh se sa prestigj dhe ndikim ka tek myslimanët?”
Kjo ishte mbase këshilla më e mirë që Osmani ndonjëherë e kishte marrë nga familjarët e tij. Por ai s’e pranoi atë. Pas kësaj, Naileja u largua dhe skena i mbeti Mervanit. Ai tha:
“Ti bëre gabim të madh që i pranove gabimet e tua në xhami dhe që u pendove në publik. Pranimi i mëkateve të tua vetëm sa e solli rrëmujën e xhamisë para shtëpisë tënde. Ata janë këtu vetëm ngase e panë dobësinë tënde. Po të ishe më i vendosur, ata nuk do të guxonin të vinin. Mënyra e vetme për t’u marrë vesh me ta dhe për të lënë përshtypje me fuqinë dhe autoritetin tënd, është që të jesh “i vendosur” kundër tyre”.
Një grup njerëzish ishte mbledhur vërtet jashtë pallatit të Kalifit por nuk ishte një grup armiqësor. Shumë myslimanë nga Medineja dhe nga jashtë Medines ishin mbledhur për t’i kuptuar të rejat më të fundit në lidhje me ndryshimet në qeverisje. Osmani do të duhej t’i përshëndeste. Por në vend të kësaj, ai i dha leje Mervanit që të përballej me ta dhe “të linte përshtypje” me “vendosmërinë” e tij.
Ideja e Mervanit për një “vendosmëri ndaj myslimanëve s’ishte tjetër veçse gjuha e dhunës dhe e kërcënimeve. Me “letrën e bardhë” të marrë nga Osmani, ai doli dhe duke iu drejtuar grupit të qetë dhe miqësor, tha:
“Përse jeni mbledhur këtu? Ç’qëllim keni? A keni ardhur për të na sulmuar a për të na plaçkitur? Në është kështu, atëherë dëgjoni mirë! Kurrë s’keni për t’ia dalë. Ju nuk mund ta merrni fuqinë nga duart tona. Ne nuk do të trembemi as nga ju dhe as nga dikush tjetër. Tani zhdukuni që këtu! Zoti ju mallkoftë!
Kësaj radhe, Osmani dhe Mervani e kishin kaluar pikën, pas të cilës nuk kishte më kthim. Myslimanët u habitën dhe u tmerruan nga guximi i dhëndrit të Osmanit. Por në vend që të merreshin me të, ata shkuan tek Aliu dhe ia përcollën atij përmbajtjen e fjalimit të Mervanit.
Aliu u mërzit kur e dëgjoi këtë. A kishte vallë ndonjë gjë që mund të bënte akoma? Ai u mendua dhe pastaj shkoi tek Osmani. Atij i tha:
“A është kjo mikpritja që ua ofron vëllezërve të tu myslimanë? Nëse ke humbur çdo ndjenjë butësie ndaj tyre, atëherë së paku kije droje dënimin e Zotit! Në përpjekjen tënde për ta mbrojtur një jobesimtar dhe gënjeshtar, e ke humbur edhe këtë droje dhe tani gënjen edhe në xhami dhe i thyen premtimet pa t’u trembur syri. Ti ke lejuar që Mervani të të çojë nga dëshiron. Por, mbaje mend se ai ka për të çuar drejt gropës së gabimeve, nëse akoma s’e ka bërë këtë, dhe ti kurrë s’do të mund të dalësh që andej. Pas kësaj s’kam për të ndërmjetësuar mes teje dhe myslimanëve dhe s’do të merrem me punët e tua. Kjo është vizita ime e fundit tek ti. Ti bëj si të duash! Por nëse sërish ke nevojë për mua, atëherë largoje Mervanin më parë! Unë do të qëndroj larg teje, për sa kohë që ndërmjet nesh të jetë Mervani”.
Aliu u larguan nga pallati i Osmanit, për të mos u kthyer më kurrë. Kur Naileja, gruaja e Osmanit, pa se Aliu po shkonte, u pikëllua mjaft. Ngjarjet kishin dëshmuar se gjykimi i saj ishte më i arsyeshëm se ai i njerëzve të tjerë përreth Osmanit. Ndonëse nuk ishte pranuar këshilla e saj, ajo prapë dëshironte ta shpëtonte të shoqin dhe i tha:
“Sa herë të kam thënë të shpëtosh prej Mervanit! Ai është një mallkim në qafën tënde. Ti e di se ai është një njeri me emër, me moral e me mendje të prishur. Gjendja është e rrezikshme dhe po bëhet gjithë më keq. Ti e ke humbur prestigjin tënd duke e tradhtuar mirëbesimin e myslimanëve. Tani nëse ka ndonjë njeri që mund të të shpëtojë, ky s’është tjetër veçse Aliu. Nëse s’të ndihmon ai, askush s’ka për të të ndihmuar”.
Vazhdon …….
Marrë nga libri ” Ritregim i historisë së Islamit dhe myslimanëve – Sejjid Ali Asghar Razvi )



