Uncategorized

Osmani u gjuajt me gurë në xhami gjatë mbajtjes së hutbes – Pjesa IX

Medineja, dikur një simbol i virtytshmërisë dhe i modestisë, kishte ndryshuar. Pas vdekjes së Profetit, qyteti i tij ishte bërë simboli i të gjitha të ligave që i sillte me vete kapitalizmi i pakufizuar dhe pushtimi i vazhdueshëm i tokave të reja. Nuk duhet të mendohet se myslimanët e Medines pajtoheshin me këtë devijim nga shpirti i shenjtë islam. Ata thjesht nuk kishin fuqi për ta kontrolluar punën e qeverisë së tyre. Ata protestuan por protestat u përballën me veshë të shurdhër. Zërat e Ebu Dherrit, Ammarit dhe Abdullah ibn Mesudit, të cilët u ngritën kundër materializmit që po e mbyste Islamin, u heshtën me dhunë.

Duke e gjetur veten në një qorrsokak, në vitin 654, shokët e Profetit (sahabet) filluan t’u dërgonin letra myslimanëve të provincave të ndryshme, duke u kërkuar të dërgonin përfaqësues tek Kalifi, për t’i treguar atij për krimet e Mervanit dhe të guvernatorëve provincialë, duke i kërkuar njëkohësisht që t’i largonte nga detyra të njëjtët.

Myslimanët e provincave, vetë viktima të terrorit dhe të tiranisë, pas një letërkëmbimi me shokët e Profetit, vendosën të dërgonin delegacione në Medine, për t’ia shprehur Kalifit pakënaqësinë e tyre me guvernatorët e provincave. Por në vend që të korrigjohej, Osmani bëri gafa akoma më të mëdha. Në “Historinë” e tij, Taberiu thotë se Osmani ia shkroi letrën në vijim Muavijes, guvernatorit të Sirisë:

Njerëzit e Medines kanë dalë nga feja dhe e kanë thyer premtimin e tyre për bindje ndaj meje. Tani duan të më tradhtojnë. Andaj, menjëherë dërgoi drejt Medines ushtarët më të fortë të Sirisë, të hipur mbi kafshë të shpejta! (“Historia” e Taberiut, vëll.3)

Por Muavije bin Ebu Sufjani nuk kishte ndërmend ta ndihmonte Osmanin. Taberiu thotë:

Kur Muavije e mori letrën e Osmanit, ai vendosi ta vëzhgonte situatën dhe preferoi të mos i kundërshtonte haptazi shokët e Profetit, sepse e dinte se të gjithë ishin të bashkuar në kundërshtimet ndaj Osmanit.

Muavije po vëzhgonte se si do të mund të përfitonte nga situata. Ai nuk ishte një njeri që do të prirej nga principe morale në moskundërshtimin e shokëve të Profetit. Ai e kishte mundësinë për t’i ndihmuar Osmanit por nuk e kishte vullnetin e duhur për këtë gjë.

Ebu’l Fida, një tjetër historian klasik, thotë se në vitin 656, një delegacion prej 700 vetash erdhi nga Egjipti në Medine. Në vazhdim, ai thotë se delegacione të ngjashme mbërritën edhe nga Basra dhe nga Kufeja. Ata erdhën me kërkesa që të përmirësohej administrata e provincave dhe të ndalohej abuzimi me fondet publike, si në Medine ashtu edhe në provincat e tjera.

Sikur Osmani t’i kishte pranuar ata, t’i kishte dëgjuar ankesat e tyre dhe vetëm sikur t’ua kishte shprehur miratimin e tij, ata do të ishin të kënaqur dhe do të ktheheshin nëpër shtëpitë e tyre. Për fat të keq, ai s’e bëri këtë.

Delegatët egjiptianë që ishin vendosur në rrethinat e Medines, i dërguan një letër Osmanit nëpërmjet një lajmëtari, duke i kërkuar që të takoheshin me të. Në letrën e tyre, ata i kërkonin Osmanit që ta largonte nga detyra vëllain e tij të qumështit Abdullah bin Saad bin Ebi Serhun nga pozita e tij si guvernator i Egjiptit dhe njëkohësisht, të ndërmerrte edhe disa reforma administrative. Por në vend që ta konsideronte kërkesën e tyre, Osmani urdhëroi që lajmëtari i tyre të hidhej jashtë.

Atëherë egjiptianët hynë në qytet dhe i treguan popullit se ç’kishte bërë Osmani. Delegacionet e Kufes dhe të Basrës ishin tashmë në Medine dhe i dhanë përkrahje grupit të Egjiptit. Që të tre delegacionet u vendosën përreth pallatit të Kalifit. Të premten e ardhshme, Osmani e udhëhoqi namazin e Xhumasë dhe mbajti një fjalim, në të cilin s’mund të kishte qenë më i pandjeshëm ndaj situatës. Duke qëndruar në foltore, ai tha:

“I Dërguari i Zotit ka parashikuar se njerëz dashakëqij do të vijnë në qytetin e tij dhe se do t’ia prishin paqen. Ai i mallkoi që të gjithë dhe shih se ç’jeni duke bërë!”

Atmosfera filloi të nxehej dhe pati lëvizje në xhami. Dikush hodhi një gur që e goditi në fytyrë Osmanin dhe e bëri të binte nga foltorja. Më pas, ai u dërgua drejt pallatit të tij.

Pas këtij rasti, Osmani jetoi në një gjendje rrethimi brenda pallatit. Në fillim, atij i lejohej të shkonte në xhami dhe t’i udhëhiqte njerëzit në namaz. Por pas disa ditësh, protestuesit ia ndaluan hyrjen në xhami, për sa kohë që nuk i dëgjonte fjalët e tyre. Në vend të tij, ata e zgjodhën njëfarë Ghafikiu për t’i udhëhequr myslimanët në namaze.

Në këtë fatkeqësi të tijën, Osmani i kërkoi ndihmë Aliut për t’i larguar protestuesit. Aliu iu përgjigj:

“Ankesat e tyre janë me vend dhe kërkesat tejet të arsyeshme. Ata nuk do të shpërndahen vetëm ngase unë u them të shpërndahen. Ata kanë për t’u shpërndarë vetëm nëse ti u premton se do t’ua plotësosh kërkesat”.

Osmani i tha:

“Ty të jap autoritet që të bisedosh me ta. Çfarëdo kushtesh që të pranosh ti, do të pranoj edhe unë”.

Aliu bisedoi me delegacionin e Egjiptit. Ata u pajtuan të ktheheshin në Egjipt, nëse Osmani e largonte Abdullah bin Sadin e padëshiruar dhe nëse në vend të tij, e emëronte Muhammed ibn Ebu Bekrin si guvernator të ri. Aliu ia tregoi këto kushte Osmanit.

Osmani u pajtua që ta emëronte Muhammed bin Ebu Bekrin si guvernator të ri. Kjo i kënaqi egjiptianët dhe Muhammed ibn Ebu Bekri, bashkë me egjiptasit e tjerë, u nis për ta marrë përsipër detyrën e tij të re. Pas kësaj, Osmanit i lejohej sërish që të hynte në xhami dhe t’i udhëhiqte myslimanët në lutje. Në dukje, ky incident ishte “varrosur”.

Por  e vërtetë nuk ishte ashtu. “Vetja” e dytë e Osmanit, Mervan bin Hakemi, e “zhvarrosi” këtë problem. Kur dëgjoi se egjiptianët po shkonin drejt shtëpive të tyre bashkë me guvernatorin e dëshiruar, ai i tha Osmanit:

Disa nga egjiptianët u larguan por ata të provincave të tjera janë akoma këtu. Shembulli i egjiptianëve ka për t’u dhënë kuroja edhe atyre që të  bëjnë kërkesa të pamundura. Për ta parandaluar këtë, shko në xhami dhe thuaj:

“Egjiptianët vetëm sa kishin dëgjuar ca spekulime në tokën e tyre. Kur erdhën në Medine, ata kuptuan se gjërat që kishin dëgjuar ishin të gënjeshtërta. Ata u kthyen të kënaqur në shtëpi. Tani edhe ju kthehuni drejt provincave tuaja dhe largohuni nga Medineja!”.

Osmani nuk dëshironte të thoshte një gënjeshtër të tillë por Mervani e kishte fuqinë për ta  bindur për këtë. Pas disa hezitimeve, ai pranoi. Osmani i udhëhoqi njerëzit në namaz dhe pas fjalimit të tij, tha:

“O myslimanë! Egjiptianët kishin dëgjuar disa thashetheme dhe erdhën në Medine për ta kuptuar të vërtetën. Këtu kuptuan se të gjitha ishin gënjeshtra dhe  kthyen në Egjipt. Tani edhe ju duhet të kthehehin në shtëpitë tuaja. (“Historia” e Taberiut, vëll.3)

Akoma pa e mbaruar fjalën e tij, në xhami filloi shqetësimi. Gjithkush filloi të bërtiste: “Pendohu Osman! Pendohu! Ti po gënjen. Kije droje Zotin! Ti po gënjen në Shtëpinë e Zotit dhe në foltoren e të Dërguarit të Tij”.

I kapluar nga paniku dhe pa ditur ç’të bënte, Osmani “u pendua”. Ai iu lut Zotit që t’ia falte mëkatet dhe pastaj shkoi në shtëpi. Aliu u tmerrua nga dyfytyrësia e Osmanit dhe nga guximi i tij për të gënjyer hapur në xhami. Megjithatë, ai shkoi tek plaku dhe e kritikoi për atë që kishte bërë. Osmani i kërkoi sërish që të intervenonte dhe të ndërmjetësonte ndërmjet tij dhe myslimanëve.

Aliu i tha se po të donte, ai mund ta fitonte besimin dhe respektin e myslimanëve, duke i pranuar gabimet e veta dhe duke kërkuar sinqerisht falje. Ai gjithashtu e paralajmëroi se nëse nuk bënte një gjë të tillë, të huajt që gjendeshin në qytet do ta rrethonin pallatin e tij dhe se po të ndodhte kështu, atij vetë (Aliut) s’do t’i mbetej asgjë për të bërë. Me disponim për t’u korrigjuar, Osmani e siguroi Aliun se do t’i ndiqte këshillat e tija. Nga ana e tij, Aliu i siguroi njerëzit e Irakut, Egjiptit dhe të gjithë myslimanët e tjerë se Kalifi do t’i pranonte të gjitha kërkesat e tyre, duke u përkujtuar se edhe ata e kishin për detyrim ta nderonin, t’i bindeshin dhe ta përkrahnin si Kalif. 

Vazhdon……………….

Marrë nga libri ” Ritregim i historisë së Islamit dhe myslimanëve – Sejjid Ali Asghar Razvi )

Të ngjashme

Back to top button