
Osmani dhe Ajshja “Çifut i Medines” – Pjesa VIII
Shkaqet e vrasjes së Osmanit
Osmani sundoi rreth 12 vjet. Forca sunduese e trashëguar nga Umari pati efekt të mirë në gjysmën e parë të sundimit të tij, në të cilën pati paqe për myslimanët dhe për atë vetë. Por në gjysmën e dytë, pakënaqësia kundër tij filloi të rritej derisa e arriti kulmin në vitin 656, kur një grup i zemëruar demonstruesish e vrau Osmanin brenda pallatit të tij në Medine.
Njerëzit kishin arsye të mjaftueshme për të qenë të pakënaqur. Ata e dinin se sasi të mëdha ari dhe argjendi po derdheshin drejt thesarit shtetëror, pa u reflektuar kjo pasuri në gjendjen e popullit. E gjithë pasuria po zhdukej në xhepat e pjesëtarëve të klasës sunduese që përbëhej ekskluzivisht nga fisi Umejje, të cilit i takonte edhe Osmani. Nën sundimin e Osmanit, Umajjadët arritën të kishin një ndikim të paëndërrueshëm deri atëherë. Myslimanët ishin të zemëruar me arrogancën e tyre dhe me shfaqjen e tyre ekstravagante të pasurive dhe të fuqisë që kishin.
Osmani i liroi nga detyra të gjithë komandantët dhe guvernatorët e emëruar nga Ebu Bekri dhe Umari. Në vend të tyre, ai vendosi njerëz, “merita” e vetme e të cilëve ishte fakti se ishin Umajjadë. Njerëzit e provincave të ndryshme po shkeleshin nën thembrën e sunduesve të tillë. Të dehur me fuqinë, siç ishin, teprimet dhe ekstravagancat e tyre nuk njihnin kufij. Ata e konsideronin veten përtej ligjit dhe pas një kohe, çështjet private të Umajjadëve u bënë më të rëndësishme se punët publike. “E drejta” e tyre për të plaçkitur ishte mbi të drejtat e shoqërisë myslimane. Shoqëria e dinte mirë se ata s’ishin aspak të virtytshëm dhe se s’ishin tjetër veçse oportunistë dhe parazitë që e kishin marrë nën kontroll aparatin shtetëror të Islamit. Si pasojë e gjithë kësaj, provincat e shtetit vlonin nga pakënaqësia dhe nga rebelimet.
Por mbrojtësit e vërtetë të Umajjadëve kishin qenë Ebu Bekri dhe Umari. Ata të dy e kishin hapur kapakun dhe tani dukej se shoqëria myslimane kurrë nuk do të mund ta fuste sërish në shishe këtë helm. Osmani e ndryshoi edhe baraspeshën politike të shtetit mysliman, fillimisht duke u distancuar nga veteranët e luftës si Abdurrahman bin Auf dhe Amr bin As. Më pas, ai u armiqësua me fisin Ghiffar, kur e syrgjynosi Ebu Dherrin në Rebeze dhe e la të vdiste atje. Me fisin Benu Makhzum u armiqësua për shkak të problemeve që i pati me Ammar bin Jasirin, kurse pas rrahjes së Abdullah bin Mesudit, i prishi marrëdhëniet edhe me fiset Hudhail dhe Zuhra.
Osmani ishte i sigurt për sa kohë që i dëbonte ose i rrihte shokët e Profetit si Ebu Dherri, Ammar bin Jasiri dhe Abdullah ibn Mesudi. Asnjëri prej tyre nuk i takonte ndonjë fisi të fuqishëm dhe nuk përbënte një rrezik për Osmanin. Por më pas, Osmani e liroi nga detyra Amr bin Asin, guvernatorin e Egjiptit.
Me këtë hap, ai e përgatiti fundin e vet. Amr bin Asi do t’i shkaktonte shumë kokëdhimbje më pas. Por me sa duket, Osmani me shumë zell kërkonte “rekrutë” të rinj për listën e armiqve të tij. Së shpejti, kësaj liste do t’i bashkëngjitej edhe Aisheja, e veja e Profetit.
Në kohën e Ebu Bekrit dhe Umarit, ajo ishte trajtuar thuajse si një mbretëreshë. Por Osmani nuk e shfaqte të njëjtën sjellje ndaj saj. Përveç kësaj, ai e uli edhe pagesën e saj nga thesari shtetëror, me çfarë i shkaktoi shumë zemërim. Nga ana tjetër, Aisheja do ta quante “na’thal” (çifut i Medines) dhe do t’i nxiste njerëzit hapur kundër tij, duke thënë: “Ky na’thal i është kthyer paganizmit. Vriteni atë, e vraftë Zoti!”
R.V.C. Bodley citon:
Osmani kurrë s’kishte qenë ndonjë figurë e jashtëzakonshme në të gjallë të Profetit. Por tani si Kalif, ai tregonte se nuk i kishte as aftësitë e paraardhësve të tij. Ai bindej shumë lehtë dhe nuk e kishte të vështirë t’i zëvendësonte guvernatorët dhe gjeneralët me ndonjë nga familjarët e tij, pavarësisht aftësive të tyre. Përveç kësaj, ai e bëri edhe gabimin e të ofenduarit të Aishes.
Ky gabim ishte i vogël në dukje por ishte i mjaftueshëm për ta ngjallur instinktin më hakmarrës të Aishes: Osmani e kishte ulur pagesën e saj në një nivel të barabartë me vejushat e tjera.
Aisheja gjithnjë e konsideronte veten si gruan më të preferuar të Muhammedit. Gjatë sundimeve të Ebu Bekrit dhe të Umarit, ajo ishte trajtuar si në kohët kur ishte gjallë i shoqi. Por me vdekjen e tyre, ajo e dinte se do të duhej të ishte e zgjuar për ta ruajtur pozitën e saj. Andaj, kur Osmani i bëri një sulm të tërthortë, Aisheja vendosi se ai nuk ishte një pasardhës i denjë për burrin e saj të vdekur. Pasi e kishte vendosur këtë, i kishte mbetur të gjente një rrugë për të shpëtuar njëherë e mirë nga ky armik. Arsyetimet dhe metodat nuk kishin kurrfarë ndikimi mbi situatën. Kur Aisheja kërkonte të bënte diçka, ajo gjë bëhej, pavarësisht sa etike ishte. Por në këtë rast, Osmani i kishte dhënë arsyetime të mjaftueshme. (“I Dërguari- jeta e Muhammedit”, New York, 1946).
Marrë nga libri ” Ritregim i historisë së Islamit dhe myslimanëve – Sejjid Ali Asghar Razvi )



