AktualiteteFakteHistoriIslamologji

Halifja Osman dhe lojaliteti i Amr bin Asi – Pjesa VII

Me iniciativën e tij, Amri e kishte pushtuar Egjiptin. Pas pushtimit, ai u emërua guvernator i Egjiptit nga Umari. Pak kohë para vdekjes së tij, Umari e dërgoi pranë tij Abdullah bin Sad bin Ebi Serhun, vëllain e Osmanit, si mbikëqyrës financiar mbi Amr bin Asin.

Kur Umari vdiq dhe Osmani u bë Kalif, Abdullah bin Sadi i shkroi Osmanit se Amr bin Asi po manipulonte me fondet publike. Osmani menjëherë e liroi Amrin nga detyra dhe e emëroi Abdullahun si guvernator të ri të provincës dhe si gjeneral të përgjithshëm të ushtrisë myslimane në Egjipt.

Pas lirimit të Amrit nga detyra, perandori bizantin dërgoi një flotë kundër Egjiptit, e cila arriti ta pushtonte Aleksandrinë në vitin 646. Abdullah bin Sadi nuk arriti ta mbronte këtë zonë dhe Osmani u detyrua ta riemëronte Amrin në pozitën e tij të mëparshme. Amri i mundi forcat bizantine dhe e çliroi Aleksandrinë. Por sapo u eliminuan të gjitha forcat bizantine, Osmani e liroi Amrin sërish nga detyra dhe e emëroi Abdullahun në vend të tij.

Egjipti ishte dashuria e parë e Amr bin Asit dhe ambicia më e madhe e tij ishte të sundonte në Egjipt. Por pas këtyre ndodhive, në të cilat jo vetëm që mohoheshin frytet veprimtarisë së tij por edhe nuk i njiheshin shërbimet e mëdha që kish’ kryer, ai u kthye në Medine si një njeri i zemëruar, i dëshpëruar dhe i mllefosur.

Ngase nuk kishte punë për të bërë në Medine, ai filloi me përgatitjen e intrigave kundër shkakut të mllefit të tij, që nuk ishte tjetër veçse Osmani. Kur ky i fundit u vra nga rebelët, Amri thirri:

“Unë jam babai i Abdullahut. Kur vendos të bëj diçka, asgjë nuk mund të më ndalë”.

Sir John Glubb citon:

Amr bin Asi, i cili e kishte pushtuar dy herë Egjiptin dhe ishte liruar nga detyra për t’ia lëshuar vendin vëllait të Osmanit, ishte duke përhapur pakënaqësi në Medine. (“Pushtimet e mëdha arabe”, fq. 299, botim i vitit 1963).

Amr bin As, pushtuesi i Egjiptit, po jetonte në Medine qëkur Osmani e kishte liruar nga detyra. Ai ishte njëri nga kritikët më të ashpër të Kalifit plak. (“Pushtimet e mëdha arabe”, fq. 324).

Amr bin As pati disa përballje të ashpra me Osmanin në Xhaminë e Madhe dhe në pallatin e këtij të fundit. Në njërën nga këto përballje, ai i kërkoi Osmanit që ta shprehte publikisht “Teuben” (pendimin) e tij për gjërat që kishte bërë.

Sir John Glubb

Kur Osmani deshi të konsultohej me të, Amr bin Asi tha: “Ti e ke lënë gjithë popullin në duart e fisit Umejje. Ti ke devijuar, njësoj si edhe populli. Ose ndrysho dhe bëhu i drejtë ose lëre këtë punë! (“Pushtimet e mëdha arabe”, fq. 300).

Amr bin As e mallkoi publikisht Osmanin dhe nuk e la të qetë as babain e këtij të fundit. Është interesant fakti se Osmani kurrë nuk i përdori instrumentet shtetërore kundër Amrit, siç kishte bërë kundër Ebu Dherrit, Ammarit dhe Abdullah ibn Mesudit. Ai pati shumë përballje me Amr bin Asin dhe prapëseprapë, kurrë nuk e kërcënoi se do ta dëbonte drejt Rebezes dhe kurrë nuk u urdhëroi skllevërve të tij që ta hidhnin jashtë xhamisë ose pallatit dhe ta rrihnin.

Mbase Osmani, si një njeri i kujdesshëm që ishte,  e kuptoi se thumbimet e Amrit nuk po thyenin ndonjë “bri” në trupin e tij dhe si pasojë, ai nuk meritonte t’i thyheshin brinjët.

Për më tepër, ndonëse nuk pajtoheshin me njëri-tjetrin, dallimet e tyre ishin gjithnjë në kornizat e “klubit” ekskluziv të cilit i takonin që të dy. Ebu Dherri, Ammari dhe Abdullah ibn Mesudi kishin qenë “të jashtëm” për këtë “klub”. Kjo ishte arsyeja përse për ta nuk vlenin rregullat e  njëjta si për Amr bin Asin.

Marrë nga libri ” Ritregim i historisë së Islamit dhe myslimanëve – Sejjid Ali Asghar Razvi )

Të ngjashme

Back to top button