
Vrasja e Imam Aliut (pqmt) – Pjesa e parë
Që nga gjysma e dytë e vitit 658, guvernatori i Sirisë Muavije ibn Ebu Sufjani, kishte filluar gjithë më tepër ta rriste dhunën kundër sundimit të Aliut. Disa nga sulmet e ushtrisë së tij kishin arritur deri në Ein et-Tamar dhe Anbar, vetëm 170 milja (rreth 275 km) në veri të Kufes. Populli i Kufes ishte aq i pavullnetshëm për të luftuar kundër sirianëve, sa Aliu e kishte të pamundur t’u kundërpërgjigjej sulmeve të tyre në mënyrë efektive. Vetë Muavije e udhëhoqi një ekspeditë plaçkitjeje nëpër Xhezire, duke filluar nga Rakka-ja dhe duke arritur deri në Mosul, pa u përballur me kurrfarë rezistence.
Më në fund, Aliu shpalli në xhaminë e Kufes se do të largohej nga qyteti bashkë me disa nga ndjekësit e tij besnikë, për të luftuar kundër sirianëve, pavarësisht se kjo gjë do ta çonte drejt një vdekjeje të sigurt. Ky kërcënim i zgjoi banorët e Kufes sepse vdekja e Aliut do të thoshte se Kufeja do të mbetej pa një prijës. Pas këtyre fjalëve, populli i Kufes u zgjua dhe filloi të mobilizohej për të organizuar një mbrojtje.
Beteja e Siffinit kishte qenë testi i parë i fuqisë së Aliut kundër Muavijes. Në aspektin ushtarak, beteja kishte qenë thuajse një fitore e plotë e Aliut por politikisht, ajo kishte mbaruar me barazim. Tani, pasi kishte kaluar pak kohë, dukej se Aliu do t’i përgjigjej sërish sfidës së Muavijes. Por pikërisht në atë kohë, Aliu u vra në xhaminë e Kufes dhe përballja e dytë mes tyre kurrë nuk ndodhi.
Sipas burimeve të besueshme historike, tre khavarixhë u takuan në Kufe (ose në Mekke, sipas disa burimeve) dhe përpiluan një komplot. Secili u bë vullnetar për ta vrarë njërin nga tre figurat më të rëndësishme politike në tokën e Islamit: Aliun, Muavijen dhe Amr bin Asin. Me vrasjen e tyre, këta tre vetë besonin se lufta civile mes myslimanëve do të mbaronte dhe paqja do të rikthehej. Plani i personave që do ta vrisnin Muavijen dhe Amrin shkoi huq dhe ata u arrestuan, për t’u ekzekutuar më pas.
Khavarixhët ishin mundur në Nehrevan dhe shumë prej tyre kishin vdekur në betejë. Vetëm disa kishin mbijetuar dhe ishin arratisur. Njëri prej tyre ishte edhe Abdurrahman ibn Mulxhemi. Ai jetonte me dëshirën për ta vrarë Aliun dhe ishte në pritje të një mundësie të tillë. Krejt rastësisht, ai u takua me një grua të quajtur Kutam, babai dhe vëllezërit e të cilës ishin vrarë në Nehrevan. Edhe ajo ushqente përbrenda një urrejtje të madhe për Aliun.
Abdurrahmani ishte dashuruar tek Kutami dhe i propozoi martesë. Ajo i tha se çmimi i dorës së saj ishte koka e Ali ibn Ebu Talibit. Kjo vetëm sa e përforcoi vendosmërinë e Abdurrahmanit për ta vrarë Aliun. Me shumë kujdes, ai përpiloi një plan për këtë vrasje. Edhe disa khavarixhë të tjerë e ndihmuan në këtë drejtim. Për të qenë i sigurt, Abdurrahmani mori edhe një masë të fundit: shpatën e lyejti me helm.
Në agimin e ditës së nëntëmbëdhjetë të Ramazanit të vitit 40 pas Hixhrit, Aliu erdhi në Xhaminë e Madhe të Kufes dhe e thirri ezanin. Më pas e mori vendin e tij në mihrab dhe pas disa çastesh, besimtarët filluan të mblidheshin. Ata u radhitën pas tij dhe lutja filloi. Në radhën e parë, bashkë me besimtarët e tjerë, ishin edhe Abdurrahmani dhe miqtë e tij, të cilët i ndiqnin lëvizjet e Aliut. Në rrobat e tyre, ata kishin fshehur shpata të mprehura mirë dhe të lyera me helm.
Pikërisht kur Aliu e preku tokën me ballin e tij për të bërë sexhde, Abdurrahmani eci drejt mihrabit. Kur Aliu e ngriti kokën nga sexhdeja, ai e goditi atë në ballë me aq fuqi sa balli i Aliut u ça.
Nga plaga e krijuar shpërtheu gjaku i Aliut dhe ai thirri:
“Për Zotin e Qabes! Unë ngadhnjeva…”
Njerëzit kuptuan ç’kishte ndodhur dhe sapo mbaroi namazi, u mblodhën rreth tij. Djemtë e tij Hasani dhe Husejni e bartën drejt shtëpisë. Një mjek erdhi, u përpoq ta mbyllte plagën por nuk arriti ta ndalte gjakderdhjen. Goditja e shpatës kishte qenë vdekjeprurëse edhe ashtu. Por në të njëjtën kohë, edhe helmi po përhapej në trupin e tij. Historianët arabë thonë se kjo ishte hera e dytë që Aliu ishte plagosur në ballë. Hera e parë kishte qenë në betejën e Hendekut në vitin 627, kur shpata e Amr ibn Abd Vudit e kishte çarë mburojën dhe helmetën e tij, për t’i krijuar një plagë në ballë. Balli i tij akoma e kishte gjurmën e kësaj plage.
Ky ishte përshkrimi i historianëve arabë në lidhje me vrasjen e Aliut. Ky përshkrim është pranuar si i besueshëm nga shumica e myslimanëve.
Ndonëse ky përshkrim është pranuar me “konsensusin” e historianëve, autenticiteti i tij është i dyshimtë, kur të shihen “dëshmitë”. Në gjithë këtë përshkrim, ka pak tepër “rastësi”.
Askush nuk dyshon në lidhje me faktin se Aliun e vrau Abdurrahman ibn Mulxhemi. Por a thua vrasja e Aliut ishte një ide e tija? Ka më shumë mundësi që kjo ide të jetë mbjellë në kokën e tij nga dikush tjetër, me teknika shumë të sofistikuara. Ibn Mulxhemi nuk e dinte se ai s’ishte tjetër veçse një instrument i dikujt tjetër.
Në këtë kohë, askush në tokën e Islamit nuk e dëshironte të vdekur Aliun më shumë se Muavije ibn Ebu Sufjani. Komploti për ta vrarë Aliun, shkathtësia në ekzekutimin e këtij plani dhe suksesi i tij tregojnë se ky plan ka një dozë të theksuar profesionalizmi dhe fshehtësie, aq karakteristike për Muavijen. Ibn Mulxhemi s’ishte veçse një njeri i rëndomtë. Me të njëjtën “shkathtësi”, edhe në vitet e ardhshme të sundimit të tij, Muavije do të eliminonte shumë kërcënime për pushtetin e vet, qofshin të vërteta ose të imagjinuara.
Spiunët e Muavijes e kishin informuar atë se Aliu po bënte përgatitje për ta pushtuar Sirinë. Në betejën e Siffinit, Muavije nuk i ishte përgjigjur sjelljes bujare dhe trimërore të Aliut. Kësaj radhe, Aliu nuk kishte ndërmend të bënte një betejë të ngadaltë por një sulm të beftë dhe të ashpër, i cili do ta shuante rebelimin e Muavijes dhe do ta rikthente paqen në perandorinë e myslimanëve. Edhe Muavije e dinte se kësaj radhe, Aliu e kishte edhe aftësinë edhe vendosmërinë për t’i dhënë një fund të shpejtë konfliktit. Shpresa e fundit e tij ishte se “aleatët” e tij të vjetër, intriga dhe mashtrimet, do të mund t’i ndihmonin përballë Aliut. Andaj, ai i mobilizoi ato dhe siç do të shihej, mbështetja e tij në këto metoda nuk do të dilte e kotë.
Marrë nga libri ” Ritregim i historisë së Islamit dhe myslimanëve – Sejjid Ali Asghar Razvi )



