AktualiteteHistoriIslamologjiPolitik

Vrasja e Osmanit – Pjesa XII

Gjatë rrethimit të pallatit të Osmanit ndodhën shumë gjëra. Pati raste kur ai i pa shokët e Profetit në mesin e rrethuesve, teksa u jepnin kurajo këtyre të fundit që të vazhdonin me rrethimin.

Një ditë, njëfarë Ibn Ajjadhi, një shok (sahabe) i Profetit, erdhi për të ndërmjetësuar mes rrethuesve dhe Osmanit, me qëllim që ta rikthente paqen në Medine. Ai erdhi deri tek hyrja e pallatit dhe e thirri me emër Osmanin. Osmani u shfaq në dritare dhe iu përgjigj thirrjes së tij. Ibn Ajjadhi iu lut që të largohej nga detyra, për t’i dhënë fund kësaj anarkie në qytet dhe për ta shpëtuar jetën e tij. Akoma nuk kishin mbaruar fjalët e Ibn Ajjadhit, kur njëri nga ushtarët e Osmanit e goditi me shigjetë.

Një klithmë zemërimi shpërtheu nga rrethuesit. Ata i kërkuan Osmanit që menjëherë t’ua dorëzonte vrasësin. Por Osmani u përgjigj: “Si mund t’jua dorëzoj përkrahësit dhe mbrojtësit e mi? Kurrë!”.

Këto fjalë të Osmanit ishin si një shkëndijë në një fuçi baruti. Rrethuesit iu turën pallatit për ta kapur vrasësin e Ibn Ajjadhit. Mervani, Said bin Asi, Mughire bin Khinsi dhe mercenarët e Osmanit u përpoqën ta ruanin pallatin nga brenda dhe t’i dëbonin sulmuesit. Këta të fundit e sulmuan çdo hyrje të pallatit por vërejtën se secila dera ruhej nga një numër i mjaftueshëm ushtarësh.

Derisa në dyert e pallatit po vazhdonin luftimet, një medinas i quajtur Amr bin Hazm i ftoi rrethuesit në shtëpinë e tij, e cila ishte ngjitur me pallatin e Osmanit. Ata hynë në shtëpinë e tij, u ngjitën në kulm dhe prej atje kaluan lehtësisht në pallatin fqinj. Atje pati disa përballje me ushtarët e Osmanit, një pjesë e të cilëve u vranë. Në ndërkohë, të gjithë pjesëtarët e fisit Umejje, duke përfshirë këtu edhe Mervanin, Said bin Asin dhe Mughire bin Khinsin, u arratisën nga një derë e fshehtë.  Përcillet se Mervani u plagos por u shërua më vonë. Gjatë luftimeve brenda pallatit, dikush e vrau Osmanin. Përcillet se e shoqja Naileja e ngriti dorën për ta mbrojtur Osmanin por i humbi gishtat nga goditja e shpatës që e vrau burrin e saj.

Osmani u vra në pallatin e tij, i lënë krejtësisht vetëm nga familjarët e tij umajjadë. Dymbëdhjetë vite pas ardhjes në postin e Kalifit, Kalifati i tij ishte kthyer në një rrënojë, me udhëheqës të vrarë dhe me shumë premtime të paplotësuara.

Osmani ishte 84 vjeç kur u vra. Ai e kishte shkatërruar krejtësisht “veprën” e krijuar nga Ebu Bekri, Umari dhe Abdurrahman bin Aufi. Ai kishte dështuar në shfaqjen e cilësive udhëheqëse, kompetencave dhe frymëzimeve që ishin jetike për Kalifatin. Ai ishte zhytur në moshën e tij të shtyrë dhe e kishte humbur rrugën.  Osmani ndenji i ngujuar për 49 ditë në pallatin e tij. Ai i kërkoi me ngulm Muavijes që të vinte për ta shpëtuar. Por Muavije kishte pasur vetëm një përgjigje për këto thirrje të tija: heshtjen. Duke e gjykuar heshtjen e tij të planifikuar, duket qartë se Muavije nuk mërzitej fare për Osmanin.

Është e çuditshme që shumë përkrahës të Osmanit e kritikojnë Aliun ngase ai nuk arriti t’ia shpëtonte jetën, ndonëse Aliu as që kishte ndonjë mundësi për të bërë një gjë të tillë. Në anën tjetër, ata e falin dhe shprehin mirëkuptim ndaj indiferencës së Muavijes, i cili i kishte të gjitha mundësitë për ta shpëtuar Osmanin. Edhe një kontingjent shumë i vogël i ushtrisë së tij, po të dërgohej në Medine, do të ishte i mjaftueshëm për t’i përzënë rrethuesit dhe për t’i vrarë të gjithë rebelët. Por ai nuk bëri një gjë të tillë.

Amr bin As ishte njëri nga shokët e Profetit. Osmani e kishte liruar dy herë nga detyra e guvernatorit të Egjiptit. Amri kurrë nuk e fali Osmanin për këtë gjë dhe ndaj tij, gjithnjë ushqeu një urrejtje. Është tejet e mundur që ai të ketë qenë ideatori i vrasjes së Osmanit, duke e fshehur qëllimin e tij. Por Amri ishte aq i mençur dhe dinak sa t’i shpëtonte dënimit të historisë.

Dy faktorë të tjerë të rëndësishëm në vrasjen e Osmanit ishin Talhaja dhe Zubejri. Që të dy u jepnin fuqi flakëve të zemërimit kundër Osmanit, njësoj si Amr bin Asi. Që të dy, njësoj si Amri dhe Muavijeja, besonin se s’kishin gjë për të humbur sikur të shkatërrohej i gjithë sistemi. Madje kishin shumë gjëra për të fituar. Që të gjithë ishin faktorë në krimet kundër Osmanit, ose me pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë ose me indiferencën e tyre. Kur u vra Osmani, Medineja ishte e mbushur me gra dhe burra me shumë prestigj. Në mesin e tyre ishin të gjitha të vejat e Profetit, përveç Aishes që ishte në Mekke. Sad bin Ebi Vakkasi, Abdullah bin Umar bin Khattabi, muhaxhirët, ensarët, veteranët e betejave të Bedrit e të Uhudit dhe shumë nga shokët e Profetit, të cilit ia kishin shprehur atij bindjen në Hudejbijje, ishin atje. Por askush  përveç Aliut nuk e bëri as përpjekjen më të vogël për t’ia shpëtuar jetën Kalifit.

Aliu nuk la gjë pa bërë për t’ia shpëtuar jetën Osmanit por as ai dhe as dikush tjetër nuk mund të bënte diçka për një njeri që kishte vendosur ta shkatërronte vetveten. Mervani i shkatërroi të gjitha përpjekjet e Aliut për ta parandaluar rrënimin e Kalifatit dhe i pengoi të gjitha mundësitë që ai ta bindte Kalifin e myslimanëve. Osmani nuk i dëgjoi as lutjet e të shoqes dhe as paralajmërimet e Aliut dhe vazhdoi të hapëronte drejt katastrofës. Për të, gënjeshtrat e Mervanit ishin e vërteta e vetme dhe vetëm atij Osmani pranonte t’i bindej.

Në mesin e përkrahësve të tij, Osmani mund të kishte besim vetëm tek Mervani dhe tek Said bin Asi, që të dy të mallkuar nga i Dërguari i Zotit. Juristët sunnitë i japin shumë rëndësi principit të koncenzusit. Në këtë rast, pati një koncenzus në mesin e shokëve të Profetit për të mos e përkrahur Osmanin dhe për ta kundërshtuar atë. Ata të gjithë e kundërshtuan Osmanin. Ata lejuan që Osmani të vritej, siç do të thoshte Umari, “nga ujqit e arabëve”. Kush veproi drejt dhe kush jo? Kjo mbetet një pyetje, të cilës juristët sunnitë duhet t’i përgjigjen.

Marrë nga libri ” Ritregim i historisë së Islamit dhe myslimanëve – Sejjid Ali Asghar Razvi )

Të ngjashme

Back to top button