
Osmani dhe “Abdullah ibn Sebe” – Çifutë nga Jemeni – Pjesa XIV
Kalifati i Osmanit u kishte falur myslimanëve një qeverisje të dështuar dhe ngjarjet që buruan nga trazirat ekonomike, politike dhe sociale të kësaj qeverisjeje, u ndeshën me reagime kundërthënëse. Më në fund, këto trazira sollën deri në vdekjen e vetë Kalifit.
Shumë historianë sunnitë e kanë të vështirë të pranojnë se Osmani e shkatërroi vetveten. Ata dëshpërimthi kërkojnë një “shpjegim” për ta racionalizuar kaosin gjatë Kalifatit të tij. Por si? Ky dëshpërim i tyre i ka detyruar të krijojnë një personalitet të ligë dhe misterioz, të quajtur Abdullah ibn Sebe.
Krijimi i Abdullah ibn Sebes zgjodhi shumë probleme të historianëve sunnitë dhe u lejoi që të gjenin një njeri për t’ia hedhur gjithë fajin. Sipas krijuesve të këtij karakteri imagjinar, Abdullah ibn Sebe ishte një çifut nga Jemeni, i cili e kishte pranuar Islamin, ishte shpërngulur në Medine dhe gjithë kohës kishte përhapur doktrina të gabuara dhe heretike, të cilat e kishin rritur pakënaqësinë dhe urrejtjen ndaj Osmanit. Sipas tyre, ai ishte përgjegjës për vuajtjet dhe trazirat dhe më në fund, edhe për vrasjen e vetë Osmanit.
Abdullah ibn Sebe, me sa duket, përnjëherë u bë njeriu më i fuqishëm i tokave të Islamit. Në fund të fundit, ishte ai që e rrëzoi Kalifin nga froni dhe e çrregulloi gjithë qeverisjen e myslimanëve.
Ajo që bënte Abdullah ibn Sebe ishte tradhti ndaj shtetit. Nëse ai vërtet ishte në Medine, a kishte gjë më të lehtë për Mervanin sesa ta arrestonte dhe ta vriste me këtë akuzë? Ose mos vallë ishte e pamundur një gjë e tillë për guvernatorët e provincave, të cilët fare lehtë mund ta arrestonin dhe ta vrisnin. Aspak! Por për disa arsye misterioze, ai lëvizi nga qyteti në qytet, nga provinca në provincë, duke e akuzuar Kalifin dhe askush nuk e preku.
Është e çuditshme se Osmani arriti të dëbonte nga Medineja një ndjekës shumë me emër të Muhammedit siç ishte Ebu Dherr el-Giffariu, ta rrihte Ammar bin Jasirin derisa ky i fundit ta humbte vetëdijen dhe të urdhëronte që të rrihej Abdullah ibn Mesudi derisa t’i thyheshin brinjët. Megjithatë, ai i lejonte Amr bin Asit dhe “Abdullah bin Sebes” që t’i nxisnin myslimanët kundër tij.
Kur u vra Osmani, Abdullah ibn Sebe duhet të ketë kuptuar se ia kishte arritur qëllimit të tij dhe duhet të jetë fshehur. Por vetëm disa muaj më pas, ai na “rishfaqet” në vigjilje të betejës së Basrës (Xhemelit). Sipas atyre që e krijuan këtë karakter, ishte pikërisht Abdullah ibn Sebe që e shkaktoi këtë betejë. Megjithatë, menjëherë pas betejës, ai u zhduk sërish dhe përgjithmonë. Është interesante se si ai arriti të zhdukej pa lënë asnjë gjurmë pas vetes. Kjo zhdukje e tij ishte një zhdukje e përsosur, sikur ai fare të mos kishte ekzistuar.
Në të vërtetë, “nevoja” që e bënte të domosdoshme krijimin e Abdullah ibn Sebes, pushoi së ekzistuari. Për këtë arsye, krijuesit e tij e flakën atë. Por edhe sot, ai ringjallet kohë pas kohe, kurdoherë që historianët sunnitë përpiqen t’i shpjegojnë faktet e papranueshme të asaj epoke.
Dr. Taha Husejn, një historian bashkëkohor nga Egjipti, e ka shkatërruar mitin e Abdullah ibn Sebes në librin e tij “El-Fitne’tul-Kubra” (Trazirat e mëdha). Ai thotë se Taberiu ishte historiani i parë që ka shkruar në lidhje me Ibn Seben, për të cilin kishte dëgjuar nga Umar bin Saifi. Abdullah ibn Sebe kishte lindur në kokën e Umar bin Saifit. Në burimet që i paraprijnë Taberiut, Abdullah ibn Sebe nuk përmendet asgjëkundi. Kjo është vërtet e çuditshme, kur të merret parasysh ndikimi i madh i një “personaliteti” të tillë në përhapjen e trazirave gjatë kohës së Osmanit.
Dr. Taha Husejn më tej thotë se edhe sikur të supozojmë se vërtet ekzistonte një njeri i quajtur Abdullah ibn Sebe që përhapte doktrina heretike dhe të gabuara, a ishte ai që e detyroi Osmanin ta emëronte Mervan bin Hakemin si vezir të vetin? Muhaxhirët dhe ensarët nuk ishin të kënaqur me emërimin e Mervanit sepse për ta, ai ishte një person më se i padëshiruar.
Dhe a thua vallë Mervani vepronte sipas këshillave të Abdullah ibn Sebes kur i lironte nga detyra guvernatorët e emëruar nga Umari dhe i zëvendësonte me personat që kishte dëshirë? Siç dihet, guvernatorët ishin njëra nga arsyet kryesore të pakënaqësisë nëpër provinca. Tregimi i Abdullah ibn Sebes është një përpjekje tipike për ta maskuar historinë. Por kësaj radhe, maskimi duket sikur nuk mjafton.
Nëse mbrojtësit e Osmanit preferojnë të krijojnë një karakter të tillë mitik për t’i maskuar gabimet e Osmanit, ata zgjedhin të bien ndesh me faktet historike. Në shumë vepra në lidhje me historinë e hershme të Islamit, të cilat janë botuar viteve të fundit, mbrojtësit e Osmanit kanë shkuar aq larg sa të thonë se ai në të vërtetë nuk i liroi nga detyra guvernatorët e Ebu Bekrit dhe Umarit dhe se edhe sikur ta bënte këtë, nuk kishte asgjë të keqe.
Është një çështje e mbrojtësve të Osmanit nëse ata vetë duan të jetojnë me gënjeshtra dhe mashtrime. Megjithatë, të vërtetat e hidhura dhe të pakëndshme nuk do të zhduken vetëm sepse dikujt nuk i pëlqejnë këto gjëra. Ja ç’thotë Dr. Taha Husejni në veprën e tij “Trazirat e mëdha”:
S’ka përse t’i ndjekim ata njerëz që e mohojnë vërtetësinë e rrëfimeve të përcjella në lidhje me mospajtimet ndërmjet shokëve të Muhammedit dhe në lidhje me trazirat që kanë ndodhur në kohën e tyre. Po ta bëjmë këtë, do ta mohojnë gjithë themelin historik të Islamit që nga koha kur Profeti e shpalli misionin e tij. Ata njerëz që i përcollën mospajtimet e shokëve të Profetit dhe që raportuan në lidhje me trazirat e kohës së tyre, janë të njëjtit njerëz që kanë përcjellë në lidhje me përpjekjet, ekspeditat, pushtimet dhe jetën e Profeti dhe të dy Kalifëve të parë. Në këtë aspekt, s’do të ishte fare e drejtë që ta zgjedhim vetëm atë që na pëlqen dhe ta lëmë anash atë që s’na duket e bukur. Nuk mund t’i pranojmë disa gjëra që përcillen dhe t’i mohojmë disa të tjera.
Gjëja e vetme, për të cilën nuk mund të dyshohet, është se myslimanët ishin të ndarë në lidhje me Osmanin. Kjo ndarje e tyre solli deri në vrasjen e tij dhe që atëherë, myslimanët nuk janë bashkuar më.
Këto ndarje dhe mospajtime i kishin shkaqet e tyre. Është e vërtetë se myslimanët e vranë Osmanin por këtë gjë nuk e bënë pa pasur arsye. (“El-Fitne’tul-Kubra”-”Trazirat e mëdha”, Kairo, 1959).
Marrë nga libri ” Ritregim i historisë së Islamit dhe myslimanëve – Sejjid Ali Asghar Razvi )



