
Nënës…
Nënës …
Të kam munduar në rini, gjumin ta kam marrë unë ty,
Të kam dhënë dhimbje në bark — ah moj nënë, Zoti të dashtë.
Sa net ti nuk ke fjetur, sa shumë me mua paske hequr,
Sa net mbi kokë ke vajtuar — a thua kam për t’u shëruar?
Me mospasje e me mundim, më ke ushqyer, më ke rritur,
Më ke dhënë edukatën — bashkë me gjirin tënd të artë.
Këshillat e tua të bukura kurrë nuk i harroj,
Sa të jem në këtë jetë — unë do t’i jetoj, do t’i zbatoj.
Prandaj, moj nënë, ma bëj hallall — se malli shumë më ka marrë,
Ti je shembull i përkryer — që më mësove, më dhe dritë e farë.
Nuk e dua veten time, pse ndonjëherë nuk jam si ti,
Sa mundime ke fshehur brenda — e ke falur veç dashuri.
Emrin “nënë” do ta kuptosh, kur ti nënë të bëhesh vetë,
Atëherë loti do të rrjedhë — për dhimbjet që të dhashë në jetë.
Nuk e kam ditur, kam qenë e re, s’kam njohur asnjë vlerë,
Të mirat që nënat japin — qofshi të lumtura në çdo derë.
Prandaj, moj nënë, ma bëj hallall — se malli shumë më ka marrë,
Të puth ballin tënd krenar — që dha shembull anembanë.
Është mirësi dhe ibadet — ta shikosh nënën drejt në sy,
T’ia puthësh faqet e sytë — siç të puthi ajo ty, kur ishe fëmijë.
Nga syri i saj është syri yt, nga trupi i saj trupi yt,
Nga zemra e saj zemra jote — ndaj saj mos kurse kurrë dritë.
Kurrë mos kurse për nënën tënde — foli, afrohu, gëzoje,
Mjafton një fjalë e thjeshtë: “Si je?” — dhe zemrën ia ndriçoje.
Është mall e është gëzim — kur ajo zërin ta dëgjon,
E me lot në sy pëshpërit: “Evlati im nuk më harron.”
Nëse ti kursen për të — do të mbetesh i/e kursyer,
Një ditë pendimi vjen — kur zëri i saj s’do të dëgjohet më kurrë.
Prandaj, moj nënë, ma bëj hallall — se malli shumë më ka marrë,
Të të prek, të të marr erë — në prehërin tënd të qetë të pushoj pak.
Nga prehri yt u bëra njeri — për t’i shërbyer për hir të Tij,
Nga gjiri yt që u rrita — mirënjohëse do të jem përjetësi.
Prandaj, moj nënë, ma bëj hallall — se malli shumë më ka marrë,
Të të puth e të të përqafoj — ah, sa shumë po më mungon…
Ikballe Berisha Huduti



