AktualiteteFakteHistoriOpinionePolitik

Martirizimi i Imam Aliut, komplot i Muavijut – Pjesa II

“Aliu e përfaqëson triumfin më sipëror të karakterit dhe të ideologjisë. Ai ishte një kombinim i rrallë i dashurisë ndaj Zotit, i devotshmërisë ndaj detyrës, i një force të stolisur me butësi, i baraspeshës në sjellje dhe i një integriteti pa kompromis. Trashëgimia më e madhe e Aliut për botën islame ka qenë dhe do të jetë pikërisht karakteri i tij sublim.”

Muavije bëri që vrasja e Aliut të dukej spontane dhe e besueshme, duke e treguar veten dhe Amr bin Asin si viktima “potenciale” të këtij komploti dhe fanatizmi të khavarixhëve. Por që të dy i “shpëtuan” vdekjes, falë “fatit” të tyre. Njëri prej tyre u “sëmur” pikërisht në ditën që duhej të vritej, kurse tjetri shkoi në xhami me një parzmore të veshur nën rrobat e tija. Ai u sulmua por shpëtoi falë parzmores. Po të ishte “sëmurë” edhe i dyti, do të ishte tepër e qartë loja e tyre. Në këtë mënyrë, “sëmundja” dhe parzmorja e shpëtuan edhe Muavijen edhe Amr bin Asin nga vrasësit e tyre khavarixhë.

Por Aliu nuk kishte kaq shumë “fat”. Ai nuk ishte i sëmurë atë ditë dhe nuk e kishte veshur parzmoren e tij në xhami. Brenda xhamisë, Ibn Mulxhemi e priste atë me një shpatë të lyer me helm. Kur Aliu e ngriti kokën nga sexhdeja, ai e goditi në ballë dhe ia çau ballin. Kjo goditje do të ishte vdekjeprurëse për të.

Të gjithë historianët arabë kanë shkruar histori “të frymëzuara” nga Muavije ibn Ebu Sufjani dhe nga pasardhësit e tij. Dhe gjithsesi, Muavije ishte i lirë për të injektuar përshkrime të shumëllojshme në librat e historisë. Andaj, ai dhe Amr bin Asi arritën t’i shpëtonin gjykimit të historisë, e cila do ta dënonte vetëm Abdurrahman ibn Mulxhemin si autorin e vërtetë dhe të vetëm të këtij krimi.

Është një rastësi tjetër interesante se vrasja e Aliut ndodhi pikërisht në vigjilje të pushtimit të tij të planifikuar të Sirisë. Ndonëse anarkistët khvarixhë i kishin drejtuar shpatat e tyre tek të tri figurat kryesore të botës myslimane si Aliu, Muavijeja dhe Amr bin Asi, këta dy të fundit shpëtuan dhe vetëm Aliu u vra.

Në një “rastësi” tjetër shumë interesante, pikërisht këta dy të mbijetuarit ishin miq të afërt të njëri-tjetrit dhe që të dy, sërish “rastësisht”, ishin armiqtë më të zjarrtë të Aliut, i cili ishte viktima e vetme në këtë lojë.

Ka shumë rastësi misterioze, të cilat ua shpëtuan jetën Muavijes dhe Amr bin Asit por që ia morën jetën Aliut.

Periudhën e mbetur të jetës së tij, Aliu e kaloi në lutje dhe në adhurime, e diktoi testamentin e tij, u dha disa udhëzime bijve të vet dhe gjeneralëve në lidhje me qeverisjen, duke u kërkuar me ngulm që të mos i harronin pleqtë, të sëmurit,të varfërit dhe jetimët.

Aliu shpalli se djali i tij më i madh Hasani, do t’ia zinte vendin si prijës i Mbretërisë së Qiejve mbi tokë dhe si sovran i gjithë myslimanëve.

Ndonëse Aliu po dobësohej gjithë kohës nga gjakderdhja dhe nga efekti i helmit, ai mbeti i vetëdijshëm deri në çastet e fundit të jetës së tij. Të gjithë atyre që erdhën për ta parë, ai u tha me ngulm që të ishin gjithnjë të vetëdijshëm për praninë e Krijuesit në jetët e tyre, ta donin Atë, t’i shërbenin Atij dhe t’u shërbenin krijesave të Tija.

Helmi e pati ndikimin e vet dhe në mëngjesin e 21 Ramazanit të vitit 40 pas Hixhrit, Ali ibn Ebu Talibi u nda nga kjo botë për të shkuar në prani të Krijuesit të tij, të cilit i kishte shërbyer gjatë gjithë jetës. Qëllimi më i madh i jetës së tij kishte qenë kthimi tek Krijuesi dhe pikërisht kjo ishte arsyeja përse kur shpata e goditi ballin e tij, ai thirri:

“Për Zotin e Qabes! Unë ngadhënjeva!”

Hasani dhe Husejni e lanë trupin e babait të tyre, e mbështollën me një qefin, e falën namazin e të vdekurit dhe më pas e varrosën fshehurazi natën në Nexhef, një vend në pak distancë nga Kufeja. Mbi varr nuk u vendos kurrfarë shenje dhe varri u mbajt i fshehur, në përshtatshmëri me dëshirën e vetë Aliut. Kështu, heroi, shenjtori, politikani, filozofi dhe dëshmori më i madh i Islamit u nda kjo botë, e cila kurrë më s’do të dëshmonte një personalitet më sublim se ai.

Shumë myslimanë vajtuan për Aliun por askush nuk e vajtoi më shumë sesa dhimmi-të (hebrenjtë, të krishterët dhe zoroastrianët), të cilët u fundosën në dëshpërim. Dhe kur të sëmurit, të dobëtit, jetimët dhe vejushat kuptuan se kishte vdekur Aliu, bota e tyre u kthye përmbys. Ai kishte qenë një baba për të gjithë ata dhe i kishte ndihmuar. Të gjithëve u kishte ndarë një vend në lutjet e tija dhe deri në vdekjen e tij, shumë prej tyre nuk e kishin ditur se kishte qenë Aliu ai që i kishte ndihmuar gjithë kohës.

Aliu ishte gjithnjë i qasshëm për të dobëtit e për të mjerët dhe frika e tij më e madhe ishte që të mos ngjante që një nevojtar të mos mund të arrinte t’ia shprehte nevojën. Vetëm nën sundimin e tij, jomyslimanët, të dobëtit dhe të pambrojturit ishin të sigurt. Askush nuk guxonte t’i shtypte dhe t’i shfrytëzonte. Me vdekjen e tij, siguria e tyre do të humbej përgjithmonë.

Është më se e qartë se pushteti dhe pastërtia shenjtërore nuk kombinohen dot. Kur njeriu i merr përsipër punët e shoqërisë, thjeshtësitë morale me të cilat është e mundur të çohet një jetë private, komplikohen aq shumë sa njeriu shpesh e humb ndjesinë e asaj që është e drejtë dhe e gabuar.

Megjithatë, kjo “teori” e ka një përjashtim tek Ali ibn Ebu Talibi. Ai gjithnjë i ndoqi principet e tija, qoftë në jetën publike ose private, pavarësisht se ç’pasoja do t’i sillte kjo gjë. Ai gjithnjë e vendoste atë që është e drejtë para asaj që është më e mençur dhe praktike. Burimi i principeve që e udhëzonin në jetën publike dhe private ishte Kur’ani i Shenjtë, njësoj siç kishte qenë edhe burimi i filozofisë së tij politike.

Aliu ka shumë kritikë dhe shumë armiq. Por asnjëri nuk ka mundur të tregojë një rast të vetëm kur Aliu ka devijuar nga ndonjë princip i tij. Askush nuk mund të gjejë një rast të vetëm, në të cilin ka kundërthënie ndërmjet mendimeve dhe fjalëve të tija ose ndërmjet fjalëve dhe veprave. Mendimet, fjalët dhe veprimet e tija ishin gjithnjë në një vijë të njëjtë dhe pa kontradikta.

Aliu e përfaqëson triumfin më sipëror të karakterit dhe të ideologjisë. Ai ishte një kombinim i rrallë i dashurisë ndaj Zotit, i devotshmërisë ndaj detyrës, i një force të stolisur me butësi, i baraspeshës në sjellje dhe i një integriteti pa kompromis. Trashëgimia më e madhe e Aliut për botën islame ka qenë dhe do të jetë pikërisht karakteri i tij sublim.

Marrë nga  libri ” Ritregim i historisë së Islamit dhe myslimanëve – Sejjid Ali Asghar Razvi )

Të ngjashme

Back to top button