
Bazat e bashkëpunimit të shoqërisë
Ka shumë njerëz të cilët e konsiderojnë veten të ndjeshëm dhe emocionohen lehtë; ata janë të frikësuar po të shohin fatkeqësitë dhe pikëllimet e të tjerëve. Por ata nuk kanë dëshirë të kenë ndonjë angazhim ku të marrin përgjegjësi mbi veten
Ndjenjat dhe emocionet delikate që ndriçojnë panoramën e formave të ndryshme të dashamirësisë dhe ndihmesës për një person apo një qenie u përkasin motiveve njerëzore më të madhërishme dhe më krenare. Është pikërisht kjo ndjenjë, e cila ndikon intensivisht shpirtin e njeriut mbi dëshminë e vuajtjeve dhe sakrificave, mjerimit dhe pikëllimit të të tjerëve dhe e përgatit atë për të gjitha llojet e vetësakrifikimit dhe të vetëmohimit.
Është fakt i pamohueshëm se kënaqësia dhe dhimbja, vuajtja dhe gëzimi, varfëria dhe prosperiteti janë një pjesë e detyrueshme e jetës së njeriut. Por, fatmirësisht, shumë nga këto vuajtje, mundime dhe fatkeqësi, me të gjithë hidhësinë dhe barrën që ato lënë si trashëgim, janë të shërueshme dhe shkaqet e tyre që nxijnë horizontet e jetëve të atyre që vuajnë dhe janë të pikëlluar, si re të zeza, të cilat nuk sjellin mbarësi, mund të pastrohen me asistencë të ndërsjellë.
Njeriu nuk është thjesht një organizëm, por është mbartës i mesazhit universal të mirësisë, mençurisë, hijeshisë dhe meritave njerëzore. Lidhja e ndërsjellë e qenieve njerëzore me njëra-tjetrën duhet të bazohet mbi simpatinë e sinqertë dhe reciproke, mbi dashurinë dhe bashkëpunimin e ndërsjellë me njëri-tjetrin dhe jo mbi bazën e luksit, dobisë apo përfitimit dhe qëndrimit të prerë.]
Zgjidhja e problemeve të jetës nuk mund të bëhet pa falje, sakrifica dhe mirësi ndaj njerëzve si unë dhe si ti, në momente vendimtare, pasi simpatia, vetëmohimi dhe falja reciproke janë disa nga kolonat mbështetëse të ndërtesës së jetës sociale, që është e bazuar mbi bashkëpunimin.
Ata, qofshin individë apo grupe, që kanë një shpirt të tillë në sjelljen shoqërore, arrijnë në pjekurinë e tyre të plotë. Ata që kanë interesim për jetën, duhet së pari, të paraqesin shërbimin e tyre dhe të luajnë një rol të qartë dhe të përcaktuar saktë në krijimin e një shoqërie të fortë dhe të shëndetshme. Sa më e lartë të jetë shkalla e pjekurisë emocionale e njerëzve dhe sa më i zhvilluar të jetë botëkuptimi i tyre social, aq më shumë të vëmendshëm për interesat e njëri-tjetrit do të jenë ata.
Mendimi pozitiv dhe dashamirës për të tjerët, si një shenjë e humanizmit të zhvilluar, do të ndihmonte në krijimin e një mjedisi të shëndetshëm dhe të dobishëm për një jetë më të mirë të individëve. Shkencat shoqërore provojnë se egoizmi i vërtetë përfshin interesim për të tjerët, bashkëveprim dhe simpati. Është një thënie: “Ju merrni me të njëjtën dorë me të cilën jepni.” Si mundet një njeri që nuk mbjell farën e dashamirësisë dhe të bujarisë, të korrë frutat e mirësisë? Prandaj, pikëpamja sociale dhe karakteri dominues i njeriut përbëjnë bazën e vlerave njerëzore dhe kriterin e personalitetit të individëve.
Përkundrazi, mungesa e një shpirti të tillë tek individët dhe te grupet e njerëzve është shenjë e prapambetjes dhe mungesë e pjekurisë. Indiferenca e tyre, shkujdesja dhe mungesa e sensit të përgjegjësisë morale janë simptoma të një sëmundjeje dhe të një çrregullimi psikologjik, po aq sa dhe janë shenja të papjekurisë shoqërore. Ata nuk e perceptojnë dhe nuk e kuptojnë lidhjen dhe afërsinë që ekziston midis jetës së tyre dhe lumturisë dhe mirëqenies së të tjerëve. Një shoqëri e tillë i shëmbëllen një anije që po fundoset në det si rezultat i një stuhie, ku secili nga personat që ndodhet në të kërkon të shpëtojë veten e tij.
Pa dyshim, shprehitë e sakrificës, të faljes dhe të altruizmit nuk mund të fitohen lehtësisht. Një mendimtar thotë:
“Altruizmi është i vështirë në fillim, por sa më tepër të përparojmë në këtë rrugë, aq më i madh bëhet kapaciteti ynë për ta përdorur atë, pasi veprimet bujare e dashamirëse ishin nëna, të cilat gjatë kohërave kanë lindur pasardhës të shumtë!”
Ky është fakt. T’u shërbesh njerëzve dhe të sakrifikosh për hir të tyre është e vështirë për ndonjërin që është egoist apo egocentrik, që në mënyrë të babëzitur kërkon gjithçka për veten e tij dhe sakrifikon çdo gjë vetëm për të arritur qëllimet dhe interesat e veta personale. Çdo përpjekje apo orvatje përfshin siklet dhe shqetësim, madje edhe të menduarit dhe të kuptuarit. Ka forma të ndryshme të përpjekjes. Një lloj përpjekjeje jep vizion, zgjeron horizontin e të menduarit, drejton njeriun drejt së vërtetës dhe njohjes së realiteteve të botës, duke e ndihmuar atë të marrë shpërblimin më të lartë në Jetën e Përtejme. Ndërsa, lloji tjetër i përpjekjes e drejton njeriun drejt shmangies dhe e armiqëson me realitetin. Një përpjekje, e cila në mënyrë të vazhdueshme zgjeron rrethin e egoizmit dhe të interesit pa kufizime të arsyeshme, do të shkojë drejt shpërbërjes apo shkatërrimit të aftësive të brendshme që drejtojnë sjelljen morale të njeriut.
Ka shumë njerëz të cilët e konsiderojnë veten të ndjeshëm dhe emocionohen lehtë; ata janë të frikësuar po të shohin fatkeqësitë dhe pikëllimet e të tjerëve. Por ata nuk kanë dëshirë të kenë ndonjë angazhim ku të marrin përgjegjësi mbi veten. Ata shmangin çdo përgjegjësi që mund të kenë, që përfshin ndihmën në të holla ose në ndonjë formë tjetër që duhet t’u japin njerëzve në nevojë ose kërkon ndonjë përpjekje nga ana e tyre apo përfshin heqjen dorë nga një pjesë e kënaqësive të tyre të mëparshme. Arsyeja që fshihet pas këtij qëndrimi është se ata nuk kanë dashur të mësohen qoftë dhe me detyra të vogla dhe të thjeshta, që do t’i përgatisnin për detyra më të rëndësishme në të ardhmen.
Të ndjesh pikëllimin dhe vuajtjet e të tjerëve është një e mirë e admirueshme. Por çfarë vlere do të ketë, në qoftë se kjo nuk do të vihej në veprim për të lehtësuar barrën e atyre që vuajnë? Çfarë përfitimi do të ketë njerëzimi nga kjo ndjenjë e fjetur që fshihet në shpirtin e njerëzve dhe që deri tani nuk ka asnjë efekt të çfarëdolloji në jetën reale? Dashamirësia e thjeshtë për jetën njerëzore nuk është e mjaftueshme. Shpirtmirësia e vërtetë përfshin në mënyrë të pashmangshme veprimin.
Përgatiti Revista Vlera.



