
Mbajtja e vullnetit lartë
Diçka që është shumë efektive në pakësimin e ndikimit të ankthit dhe të vuajtjes, është të bësh përpjekje për t’u dukur i gëzuar dhe i lumtur:
Aliu, Prijësi i Besimtarëve (Paqja qoftë mbi të!) thotë:
“Mbaje moralin lart në kohë sprovash dhe ji gazmor në periudha vuajtjesh e hidhërimesh.”
“Mba gjithmonë një qëndrim kënaqësie dhe pajtimi në jetë, në mënyrë që të jesh i kënaqshëm e tërheqës.”
Psikologët e ditëve të sotme, konsiderojnë gjithashtu sportivitetin, të qenit tip gazmor dhe të mbajturit e një pamjeje të hareshme dhe të gëzueshme, si një rrugë efektive, të dobishme dhe përfituese për të lehtësuar krizat e dhimbshme, si edhe për të ngritur moralisht personalitetin.
Ata propozojnë këshillën e mëposhtme:
- Përpiquni të mbani një shprehje të këndshme në fytyrën tuaj.
- Bëni përpjekje të dukeni i gjallëruar dhe i çliruar nga trishtimi dhe zymtësia, që çdokush që ju takon të mendojë se ka takuar më të mirin mes shokëve.
- Në qoftë se ndiheni nervoz dhe i brengosur, mos u përpiqni ta shfaqni këtë mërzitje dhe brengosje në takimin me të tjerët.
- Përpiquni të jeni i gëzuar dhe i kënaqur.
Kur jeni me moral të lartë dhe u bëni përshtypje njerëzve se jeni i lezetshëm dhe i përzemërt, të tjerët, gjithashtu, do të sillen në të njëjtën mënyrë me ju. Ata do të hapen duke biseduar me ju dhe të gjithë do të merrni kënaqësi duke qenë në shoqërinë e njëri-tjetrit. Kur jeni në një gjendje hareje, duket qartë një mënyrë sjelljeje që tërheq të tjerët.
Hapi i parë për të qenë i gëzuar dhe energjik është shprehja në fytyrën tuaj. Mos u ngrys, mbaj gjithmonë një buzëqeshje në buzë! Këto shprehje, pa dyshim, do të prodhojnë efekt te ju dhe do të lehtësojnë gjendjen tuaj të brendshme të rënduar. Përndryshe, vrazhdësia do të shndërrohet në zakon për ju.
Njerëzit përpiqen t’i shmangin personat e zymtë dhe me fytyra të vrenjtura. Një fytyrë e gjallë tërheq të tjerët dhe asgjë nuk shkon mirë, nëse dukesh i sertë dhe i pamëshirshëm. Disa njerëz imagjinojnë se, nëse mbajnë një fytyrë të vrazhdë, të tjerët do të impresionohen apo do të frikësohen prej tyre. Kjo nuk është e vërtetë. Sa herë që ndiheni i trishtuar, sillni një buzëqeshje në buzët tuaja dhe do të shikoni sa shpejt do t’ju largohet trishtimi.”
Përgatiti Redaksia VLERA



