
Vetëpastrimi si faktor i zhvillimit
Vetëpastrimi si faktor i zhvillimit
Nuk ka asnjë dyshim se, nëse dëshiron të ndjekë parime të përcaktuara në jetë, të cilat mund të jenë të karakterit fetar ose jofetar, një njeri duhet të përvetësojë rrugë të mirëpërcaktuara. Në mënyrë që ta bëjë këtë është e rëndësishme të përzgjedhë një objektiv të vetëm dhe të lëvizë në një drejtim të vetëm. Prandaj, njeriu duhet të shmangë përfshirjet e paqëllimshme që mund t’u vijnë për shtat dëshirave të ndonjërit, por që janë në kundërshtim me parimet dhe qëllimet e tij në jetë. Kështu, vetëkontrolli dhe vete disiplinimi është i rëndësishëm në jetë për çdo njeri që dëshiron të kalojë një jetë humane dhe racionale.
Njeriu është një qenie e pajisur me fuqinë e intelektit dhe zotëron dëshira pa kufi. Nëse nuk do të njihte kufizime në jetë, ai do të shndërrohej në një bishë të etur për gjak, që mund të shkaktonte një shkatërrim të madh.
Përsosuria dhe madhështia e njeriut nuk varen nga çështje fizike, të cilat mund të ndikojnë në përvojën e tij vetëm mbi një plan të ndjeshëm. Përparimet në shkencë nuk kanë sjellë përmirësime në të gjitha aspektet e njeriut. Përsosuria e vërtetë qëndron në çlirimin e tij nga nevojat e epsheve të gënjeshtërta dhe kënaqësive fizike dhe në ecjen përpara në rrugën e humanizmit; duke udhëzuar ndjeshmëritë e tij, duke disiplinuar veten dhe duke u njohur me ide më të larta dhe me një horizont më të gjerë.
Ideja e “sumum bonum” (përsosurisë së kërkuar) është rrënjosur thellë në shpirtin e qenieve njerëzore, përndryshe njeriu nuk do të kishte qenë kërkuesi i saj në ditët e fëmijërisë, as do të ishte i aftë për të ndërmarrë fluturime në horizontet e tij të pafundme. Rrezatimi i vlerave sublime është aq shumë tërheqës, saqë njerëzit bien me dëshirë në dashuri me to dhe i ndjekin ato në mënyrë të vullnetshme. Ka rritje të shpejtë të pasionit për forcë nga thellësia e brendshme e njeriut, e cila ndiqet nga përpjekja për ta siguruar apo për ta fituar atë. Të gjithë këta janë tregues të faktit se dashuria për përsosurinë ka rrënjë të thella në shpirtin njerëzor, i cili fillon të zbulojë veten, kur shfaqet një mundësi e përshtatshme.
Muskujt zhvillohen dhe fuqizohen si rezultat i ushtrimeve. Kjo është, gjithashtu, e vërtetë edhe për aftësitë shpirtërore, të cilat bëhen të forta si rezultat i ushtrimit dhe i përpjekjeve ngulmuese, me dallimin se energjitë fizike të trupit janë të kufizuara dhe fuqitë e tyre janë të kufizuara nga kapacitetet e qelizave dhe pejzave të trupit. Megjithatë, çuditë e zbuluara nga historia e njerëzimit janë të gjitha shfaqje të fuqisë së shpirtit të zhvilluar, rritja e të cilit është rezultat i një emancipimi gradual nga kufijtë dhe pengesat e gjërave thelbësore e të rëndësishme. Horizontet e vetënjohjes dhe të vetëdijes zgjerohen vetëm kur kuptohet se, shpirti njerëzor është një kryevepër madhështore dhe e mrekullueshme e krijimit. Ai zbulon veten në mënyrën se si tregon forcën, në dinamizmin e tij, në dominimin mbi gjërat e rëndësishme dhe veçanërisht në aftësitë për të nxjerrë njeriun nga thellësitë e dekadencës, dobësisë dhe të paaftësisë, për të qenë në lartësitë e duhura për lidhje shpirtërore dhe bashkim me Hyjnoren.
Sigurisht, në të njëjtën mënyrë me të cilën trupi është i detyruar të durojë një sërë vështirësish për të përmbushur funksionet e tij jetësore, po ashtu edhe shpirti duhet të përballet me dhimbjen dhe mundimin gjatë periudhës së zhvillimit. Të gjitha konceptet dhe parimet e shumëllojshme në fushën e ndërtimit të karakterit vërtiten rreth boshtit të shpirtit. Shpirti është i aftë për korrigjim dhe disiplinë, si dhe për të realizuar madhështinë dhe për të siguruar cilësitë dhe përsosuritë më të larta njerëzore, si p.sh., përsosurinë shpirtërore. Dhe, së fundi, është shpirti, gjeneruesi i një morie ligjesh etike për qenien njerëzore, të cilën kafsha as e zotëron, as e kërkon.
Dallimi i të mirës nga e keqja
Dr. Alexis Carrel, një dijetar francez, thotë:
“Ne duhet ta mësojmë veten për të dalluar të mirën nga e keqja, me të njëjtën mprehtësi që dallojmë dritën nga errësira, zhurmën nga qetësia dhe më pas të angazhohemi për të shmangur të keqen dhe për të përqafuar virtytin. Sidoqoftë, largimi nga e keqja kërkon një formim fizik dhe psikologjik të shëndetshëm. Pa ndihmën e vetëpastrimit, rritja funksionale e trupit dhe e shpirtit nuk është e mundur.
Për ata që kërkojnë ngritje morale shpirtërore, nuk është e lejueshme asnjë lloj ekstravagance. Rregulli i brendshëm e merr gjithmonë shpërblimin e vet. Gjendja psikologjike përbën bazën më të rëndësishme të personalitetit dhe është si një pedanë kërcimi, nga ku do të fluturojë shpirti.
Rruga e ngritjes morale drejtohet lart në kohë dhe udhëtarët, më së shumti, rrëshqasin nëpër ujërat e moçaleve, ose bien në lugina të thella gjatë udhëtimeve të tyre, ose qëndrojnë pas gardheve që ndodhen në anë të lumenjve dhe i zë një gjumë i pafund, qofshin në lumturi apo në vuajtje, në begati apo në varfëri, në shëndet apo në sëmundje. Megjithatë, njeriu duhet të çojë përpara përpjekjet e tij dhe të ngrihet në këmbë pas çdo rënieje dhe pak e nga pak, të fitojë zellin, besimin, dëshirën për të aspiruar dhe shpirtin e ndihmës së ndërsjellë, aftësinë për të dashur dhe, së fundi, shpëtimin.”[1]
Sot në botë ka mungesë të një ekuilibri të saktë dhe të rregullit midis individit e shoqërisë dhe midis trupit e shpirtit. Kur njeriu lejon që veçantitë e tij të mbeten të plogështa dhe shtyp aspektet delikate, kritike e jetësore të qenies së tij, të cilat janë një pjesë e nevojshme e mëkëmbësit të vetëm të Zotit në tokë, kur ai hedh poshtë dinjitetin tij njerëzor, megjithëse është krijuar si qenie njerëzore, përçmon dhe fyen natyrën e tij të dhënë nga Zoti dhe, së fundi, programon jetën mbi bazat e hedonizmit dhe ndjekjes së dëshirave; kjo nënkupton mohimin e vetes së tij si qenie dhe të arsyes së ekzistencës së tij. Kur kjo gjë ndodh, është e pashmangshme që natyra e dhënë prej Zotit duhet të kërkojë ndëshkime serioze për mendimet e tij joparimore dhe për sjelljen prej të marri, si dhe të zbrazë hakmarrjen e saj mbi të.
Tani njerëzimi po paguan një zhdëmtim të rëndë për sjelljet e tij në lidhje me paqen, lumturinë dhe karakteristikat esenciale njerëzore. Efekti i këtij çrregullimi dhe i kësaj sjelljeje të keqe shfaqet në forma të ndryshme krimesh dhe perversitetesh. Në shoqëritë e ditëve të sotme, ndoshta asnjë minutë nuk kalon pa ndodhur një krim rrëqethës dhe krime të tilla, si: tradhti bashkëshortore, përdhunim, vjedhje e kështu me radhë. Ky është një nga problemet më të mëdha sot në botë dhe duhet të konsiderohet një krizë e rëndë njerëzore e përmasave botërore. Shpenzimet vjetore të bëra për ta parandaluar krimin apo për kërkimin, ndjekjen, gjykimin dhe dënimin e kriminelëve, kapin shuma marramendëse.
Marrë nga libri
Titulli: ETIKA DHE ZHVILLIMI SHPIRTËROR
Autori: Sejjid Muxhteba Musavi LARI
[1] Carrel, Alexis.: Reflextions sur la conduite de la vie, përkthimi persisht Rāh wa rasm-e zindagī, f. 99-100.
[2] Niçe, The Antichrist, te Walter Kaufmann, The Portable Nietzsche (New York: The Viking Press, 1970) f. 572-573.