Islamologji

GRUAJA – LËNDINA E GJELBËRUAR PËRJETËSISHT

Mimoza Sinani

Lumturia e shoqërisë është familja e lumtur. Familje do të thotë grua. Gruaja është themeli i shoqërisë dhe shtylla e familjes. Ajo është lidhësja që i bashkon pjesëtarët e shoqërisë njerëzore.

Ajo është edukatorja jo vetëm e fëmijëve të saj, por e gjithë njerëzisë. Ajo është bijë e prindërve fisnikë, është motër e vëllait të moralshëm, është mbesë e gjyshërve besimtarë, është gruaja e burrit me moral të lartë, është nënë e bijve të saj. Ajo iu përngjan akuareleve të mbushura me shpresë, dritë, mall, adhurim. Ajo është kryevepra e krijimit, simboli i virtytit, burimi i pastër i ndërtimit të brezave, është vetë fama dhe nderi. Nga ajo zënë fill gjërat më tokësore e jetësore si: buka, malli, dashuria, gëzimi, paqja, dashuria, drejtësia, humanizmi…

Ajo në moshën e saj vajzërore është si një petale e butë, është si një lule delikate, është si një manushaqe erëmirë. Është e bukur si një ujëvarë në rënien natyrale, e pastër si një vesë luleje që tringëllon nën petal. Ajo rrezaton flatra bukurie si një engjëllushe që zbret nga qielli i ylbereve, si një zanë diellore që del nga hojet kristalore. Ajo është si një shtojzovalle me një portret të bukur dhe delikat, me një veshje pranverore që bleron degë të gjelbra, nën rrahjet e krahëve të pëllumbave në qiellin e porsalarë mëngjesor. Ajo është si një kopsht me polen lulesh, ku flatrat e fluturave shëtisin ëndrrat e saj të bardha. Atë e ndriçon drita e yjeve të qiellit dhe e shoqëron melodia e këngës së engjëjve.

Ajo është si një perlë me shkëlqim dhe bukuri të pakrahasueshme. Ashtu si perla që qëndron gjithmonë e mbështjellë me guaskën e saj, edhe ajo mbështillet me mbulesën e saj që shkëlqimi i saj të ruhet dhe të mbetet përherë. Në të vërtetë, mbulesa paraqet për të një oazë në hijen e së cilës ajo strehohet. Mbulesa e saj është simbol i një sërë vlerash të larta morale. Allahu ia urdhëroi vendosjen e saj me qëllim që t’i bëhet si një kornizë e pastër përmes së cilës ajo do ta kryejë misionin e saj dhe detyrimet e saj jetësore, me qëllim që pamja e saj dinjitoze e jashtme të jetë në harmoni me brendinë e saj të pastër, me shpirtin e saj të dëlirë e të kthjellët. E kënaqur deri në pejzat e shpirtit, ajo i ngjason rrezatimit të një prizmi që vezullon më shumë nga ajo faqe që i kthehet dritës, si një thesar i vërtetë brilantesh vezulluese.

Ajo është shembulli i vërtetë i dëlirësisë, pastërtisë, krenarisë, dinjitetit, sinqeritetit, fisnikërisë, kryerjes së shumë ibadeteve, sakrificës në rrugën e Allahut, si dhe i kontributit në mësimin dhe gjurmimin e së vërtetës.

Dëshirat e saj të bukura, që mbijnë si fijet e pastra të barit, lëshojnë rreze drite mes reve duke kërkuar ngrohtësinë e diellit. Kur ëndrrat i dallgëzohen, ajo e ndan me duar detin e mbushur me lot që të mos i mbytet ëndrra. Ëndrrat e saj fluturojnë drejt yjeve dhe në këto koordinata qiellore ajo qëndis pëlhurën e saj martesore, të zbukuruar me lulet e besimit, adhurimit dhe ibadetit.

Ajo, pavarësisht nga pasuria, pozita dhe fama e saj, lumturinë më të madhe e gjen në martesë. Martesa është gjëja më e dëshiruar prej saj. Është kjo një ndjenjë e lashtë primordiale, e mbjellë në genet e çdo femre, qoftë ajo mbretëreshë, princeshë, ministre, profesoreshë apo aktore e shquar hollivudi.

Ajo e ndërton që në fillim kështjellën e jetës së vet mbi baza të forta, themelet e së cilës i përforcon me moralin dhe besimin e saj fetar. Ajo e lartëson kështjellën e saj të lumturisë duke vendosur një mbi një gurët e çmuar të fisnikërisë, krenarisë, dinjitetit…

Të ngjashme

Back to top button