thumbnail_istanbul-iftar-ramadan

ÇFARË ËSHTË AGJËRIMI

Spread the love

ÇFARË ËSHTË AGJËRIMI

Dr. Ibrahim Emini

Agjërimi është njëri prej ibadeteve ( adhurime) më të rëndësishme i cili ka rol të veçantë gjatë kontrollimit të epshit. Për vlerën e agjërimit kemi shumë hadithe dhe thënie të dijaterëve. Resulullahi s.a.a. ( paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij) thotë: “Agjërimi është ibadet i cili të ruan nga zjarri i xhehenemit.” Imam Sadiku a.s. thotë: “Allahu Teala ka thënë: “Agjërimi bëhet vetëm për mua dhe unë e shpërblej atë që agjëron.” Në një hadith tjetër i dërguari i Allahut thotë: “Çdo kush që agjëron një ditë (agjërim jo obligativ me dëshirë -synet) për sevapin e tij, atij i është bërë farz falja e mëkateve.” Imam Sadiku a.s. ( paqja qoftë mbi të) thotë: “Çdo njëri nga ju i cili agjëron, gjumi i tij është ibadet, heshtja dhikër (përkujtim i Zotit) dhe i pranohet puna dhe duaja e tij.” Transmetohet nga i Dërguari i Zotit të ketë thënë: “Allahu ka thënë: Përveç durimit (sabrit) të gjitha veprat tjera shpërblehen prej dhjetë deri në shtatëqind shkallë. Kurse për durimin Unë do të shpërblej. Ndërsa sevapin e durimit vetëm Unë ( Allahu) e di, vetëm agjërimi të bën të durueshëm.”

Imam Aliu a.s. lidhur me Miraxhin nga i dërguari transmeton këtë hadith:” Pejgamberi në Miraxh kishte pyetur:

-“Zoti im! Cili është ibadeti më i dobishëm? All-llahu xh.sh thotë: “Ibadeti më i dobishëm është heshtja dhe agjërimi.

Resulullahi prap:- O Zoti im cila është vlera e agjërimit?

-All-llahu iu përgjigj: “Fruti i agjërimit është hikmet (urtësi), bëhet shkak i aftësisë, hap rrugën e saktësisë dhe kur arrin në saktësi për njeriun nuk mbetet aspak frikë për të jetuar deri në fund të jetës.

Agjërimi mund të komentohet në dy mënyra.

Mënyra e parë: Nëse shikohet ana e jashtme agjërimi është largimi nga haja, pija dhe marrëdhënia intime, pastaj largimi, përgënjeshtrimi i Allahut dhe të dërguarit të Tij si dhe braktisja e të gjitha atyre gjërave që janë përmendur në librat e fikhut , jurispodencës Islame.

Mënyra e dytë: Në të vërtet ky adhurim është i lidhur drejtpërdrejt me besimin dhe brendësinë e shpirtit.

E vërteta e agjërimit është se për hir të Allahut duhet të largohesh nga haramet ( gjërat e dëmshme dhe të ndaluara) por edhe nga disa hallalle për një kohë të caktuar, si dhe ruajtja e epsheve dhe largimi nga haja, pija, kryerja e marrëdhënieve intime, gënjeshtra dhe nga gjërat të cilat e bëjnë agjërimin të pavlefshëm.

DEFINICIONI I AGJËRIMIT

Në librat e fikhut definicioni i agjërimit është kështu: ”Agjërim do të thotë: largimi nga haja, pija, marrëdhëniet intime, masturbimi gënjeshtra, përgënjeshtrimi

Allahun dhe profetin e Tij, futja e kokës në ujë dhe ruajtja nga papastërtia duke pasur për qëllim afrimin më afër Allahut prej mëngjesit (lindjes së diellit) deri në mbrëmje (perëndimit të diellit, kur të errësohet. “

Mirëpo, nëpër hadithe agjërimi nuk është përkufizuar si më lart. Është thënë edhe më gjerë. Agjëruesi jo vetëm se duhet të ruhet nga haja, pija, por duhet të ruhet me gjithë organet e trupit. Si duhet të ruhet syri, veshi, gjuha, dora, këmba dhe organet tjera. Nëse shikohet edhe më lart, agjërimi më i mirë është i besimtarëve të devotshëm. Kështu pra agjëruesi pasi ta ketë ndaluar veten nga haja dhe pija, ai duhet ta ndalojë edhe prej veprave të cilat e largojnë dhe e pengojnë atë ta madhërojë dhe ta përkujtojë Allahun. E përgatit vetveten për gosti të Allahut.

Imam Sadiku thotë: “Agjërimi nuk është vetëm lënia e hajes dhe pijes. Kur të agjërosh duhet bashkë me ty të agjërojë: veshi, syri, gjuha, lukthi dhe epshi. Kur të agjërosh ruaju nga mëkatet e dorës dhe epshit dhe mos fol gjë të keqe, fol vetëm nëse ke nevojë. Agjëruesi duhet të sillet me kujdes, le të hesht pos kur ta përmend Allahun. Ditën kur agjëron mos bën ditë sikur kur nuk agjëron.

I Dërguari i Allahut thotë: “Çdo kush që gjatë muajit të ramazanit agjëron dhe heshtë, dhe gjithashtu veshin, syrin, gjuhën, epshin dhe pjesët e tjera të trupit e ruan nga gënjeshtra, haramet dhe gibeti ( thash e thëniet), ai vetveten e ndjen afër Ibrahimit a.s. që është quajtur Halilullah( shoku, jarani i Zotit) dhe i bashkohet Atij.”

Imam Sadiku a.s. thotë: “Agjërimi nuk është vetëm që të ruhemi nga haja dhe pija. Agjërimi për të qenë i plotëfuqishëm ka një kusht, e ai është heshtja. “ Bija e Imranit Merjemja e shenjtë, njerëzve iu tha: “Unë e kam dhënë veten në agjërim për hir të Allahut. Atëherë sot nuk do të flas me askënd, pra nuk dëgjove se jam duke agjëruar për atë dhe nuk mund të flas me askënd? Kur agjëroni ruajeni gjuhën nga gënjeshtra, mbyllni sytë nga harami, mos u grindni mes veti, ruajuni nga përgojimi nga gënjeshtra dhe grindja. Mos i varni fytyrat tuaja. Mos kundërshtoni njëri tjetrin. Mos u nervozoni, mos fyeni, mos e prishni gojën tuaj, ruaju nga shtypja lufta dhe kryeneçësitë, ruaju nga sjelljet me injorancë dhe amoralitetit, mos iu përzini njëri tjetrin, mos e lëni anash dhikrin dhe namazin, jepni rëndësi heshtjes, mendimit, durimit, të vërtetës si dhe largohuni nga njerëzit e ligë. Sa pak janë ata të cilët agjërojnë dhe sa shumë janë ata të cilët vetëm qëndrojnë të uritur.

ROLI I AGJËRIMIT GJATË EDUKIMIT SHPIRTËROR

Agjërimi është një ibadet ( vepër adhurimi) mjaft i posaçëm dhe i vlershëm në qoftë se personi gjatë agjërimit respekton rregullat dhe edukatën e normave Islam dhe agjëron në mënyrë të drejtë, gjithashtu ndikon mjaft në edukimin dhe pastrimin e epshit. Agjërimi ka efekt të mjaftueshëm në pastrimin e epshit nga pisllëqet dhe mëkatet dhe në përfitimin e përkryerjes, boshatisjes (të së keqes) dhe në pjesëmarrje hyjnore. Ai i cili agjëron me anë të braktisjes së mëkateve e frenon epshin emmare (shtazarak) dhe arrin ta futë nën kontrollin e tij.

Me agjërim hyjmë në luftës me epshit ( pasionet) për edukimit të tij. Në këtë kohë kur lihen anash të gjitha, mandej edhe haja, pija dhe nga ushqimet të shijshme, ku duhet përpjekur vetëm për pastrimin e epshit nga mëkatet dhe pisllëqet, me anë të kësaj gjendjeje epshit i jep nur dhe qetësi. Ndërsa uria bëhet shkak i qetësimit të brendisë dhe i koncentrimit në Allahun. Kur njeriu është i uritur vazhdimisht qëndron i gëzuar, kurse kur barkun e ka të mbushur nuk mund ta gjesh këtë gjendje tek ai. Kështu që për të qenë i devotshëm mund t’i

drejtohemi agjërimit, andaj dhe në Kur’an thuhet: “O besimtar! Agjërimin e keni obligim të detyrueshëm, siç e kishin detyrë edhe ata që qenë para jush, ndoshta do të bëheni të devotshëm.”

Deri këtu shpjeguam mbi rëndësinë e agjërimit për pastrimin nga mëkatet dhe pisllëqet. Prandaj agjërimi në përmasa të gjëra luan rol të rëndësishëm si p.sh. gjatë përkryerjes së epshit, gjatë pastrimit të brendësisë dhe gjatë afrimit më afër Allahut. Më poshtë do të shohim vetëm disa nga këto:

1- Agjërim do të thotë të ruajturit e epshit dhe largimi nga disa gjëra të cilat e prishin agjërimin. Andaj, është një ibadet që ka ndikim të jashtëzakonshëm në edukimin e epshit, përkryerjes dhe në afrimin më afër Allahut.

2- Me anë të braktisjes së gjërave të shijshme dhe mëkateve pastrohet dhe ndriçohet zemra e individit. Shpëton nga çdo përkujtim tjetër pos Allahut, fillon të marrë dhunti dhe të mira nga nuri i Allahut dhe bashkohet me Zotin. Kështu që radhitet nën përkujdesjen e Allahut. Ndërsa nëpër librat e haditheve është përmendur që frymëmarrja dhe gjumi i atij që është duke agjëruar janë ibadet.

3- Derisa njeriu është në agjërim është koha më e mirë ibadetit, namazit, leximit të Kur’anit, dhikrit dhe veprave të mira. Sepse zemra në këtë kohë është më e përgatitur se herave tjera, gjithashtu është edhe më e sinqertë dhe koncentruar në Allahun. Muaji i Ramazanit është koha më e mirë dhe është pranvera e ibadetit dhe devotshmërisë. Për këtë dhe nëpër librat e duave është këshilluar shumë që në këtë muaj të bëhet ibadet dhe të adhurohet shumë Allahu. Imam Sadiku a.s. na mëson nga praktika e tij, se kur vinte muaji i Ramazanit fëmijëve të tij u thoshte: “Mundohuni të bëni ibadet më shumë, sepse në këtë muaj ndahet risku ( furnizimi, pasuria) e njerëzve dhe ripërcaktohet fati ynë për një vite ato jetë të ardhshme. Në këtë muaj bëhet e ditur se kush do t’i përgjigjet dhe do të shkojë tek Allahu. Gjatë këtij muaji është një natë që ibadeti i bërë është më i vlershëm se ibadeti i njëmijë netëve tjera.”

Imam Aliu a.s. thotë: “Lutuni shumë gjatë muajit të Ramazanit, pendohuni. Kështu që përshkak të lutjeve tuaja u hiqen belatë ( fatkeqësitë), kurse me anë të pendimit tuaj u falen mëkatet.