Fati dhe vullneti i lirë
Pyetje:
“E gjitha që ka ndodhur, nuk ka si të ndodhte ndryshe”. A do të duhej pikërisht sipas kësaj maksime të kuptohet gjithçka në jetë? Ndërkaq në anën tjetër flasim për vullnetin e lirë andaj më thoni a ka një “kufi” mes fatit dhe vullnetit të lirë përmes shembujve konkret? Ju faleminderit.
Përgjigje:
Në emër të Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëplotit.
Pyetja juaj bie në atë llojin e pyetjeve të cilën besimtarët e kanë shtruar në vazhdimësi. Në të vërtetë në këtë botë mbretëron ligji i kauzalitetit dhe ligje të veçanta të cilat mund të njihen. Nëse njeriu sëmuret mund të shërohet me ndihmën e ligjeve të natyrës të cilat i ka caktuar Allahu i Lartësuar, ndërsa edhe mund ta refuzojë të bëjë përpjekje në shërimin e tij dhe kështu ta rrënojë shëndetin e tij. Ai që bën përpjekje për t’u shëruar, duke i aplikuar ligjet e mjekësisë, ai edhe do të shërohet, meqë e ka kërkuar rrugën dhe metodën e shërimit. Pra, nuk kemi të bëjmë me atë se Zoti ka dashur që dikush të shërohet e për dikë nuk ka dashur.
Allahu i Mëshirshëm ligjet e shërimit nga sëmundjet i ka vënë në natyrë, ndërsa prej njeriut kërkohet që t’i shfrytëzojë dhe të ketë dobi prej tyre për t’u shëruar. Pikërisht sikur që edhe për shërimin e padijes dhe të sëmundjes së shpirtit Allahu ka dërguar lajmëtarët dhe prej njerëzve ka kërkuar pasimin e tyre, për të pasur dobi prej ligjeve që ata kanë sjellë, për të qenë në Rrugë të Vërtetë.
Pra, është e mundur që një njeri duke ndjekur Profetin të bëhet i udhëzuar, ndërkaq ai që nuk i përfillë urdhrat e Profetit të mbetet i humbur. Njeriu i cili bën mëkate nuk mundet që ato t’ia mveshë Allahut të Lartësuar dhe të thotë: “Po të donte Allahu edhe unë do të isha prej të udhëzuarve”. Për të parin që ka përfillur udhëzimet themi se është besimtar dhe se është prej të udhëzuarve, ndërkaq për tjetrin themi se i ka ndjekur udhëzimet e shejtanit e jo të Profetit, andaj ka përfunduar në lajthitje.
Natyrisht, kjo asnjëherë nuk nënkupton detyrimin e dhunshëm ose se Allahu i Lartësuar pa kurrfarë rregullash dhe duke mos e pasur në konsideratë përpjekjen dhe angazhimin e njeriut, disa prej tyre po i udhëzuaka e disa po i dërguaka në lajthitje. Gjithashtu nuk është e vërtetë se Allahu i Lartësuar disa të sëmurë po i shëruaka, ndërkaq disave nuk po iu mundësuaka shërimin.
Mirëpo me këtë rast shtrohet një pyetje tjetër: “A ka ditur Allahu i Lartësuar për të gjitha këto qysh më parë apo jo? A e ka ditur Allahu i Lartësuar se kush prej të sëmurëve do të shërohet, e kush jo? A e ka ditur qysh më parë se kush nga njerëzit do t’i pasojë fjalët e Profetëve dhe të bëhet i udhëzuar ose se kush nga njerëzit do të jetë i padëgjueshëm dhe të përfundojë në lajthitje?”
Ne e dimë se dija e Allahut është e pakufishme, pra nuk është e kufizuar në kohë e hapësirë të veçantë, ngase Qenia e Allahut nuk është e kufizuar dhe të gjitha përkryeshmëritë e tij janë të pakufizuara. Allahu i Lartësuar e di se çfarë do të zgjedhin njerëzit me vullnetin e tyre personal, por nuk i detyron në këtë zgjedhje. Për shembull: jeni duke qëndruar pranë një rruge automobilistike dhe se për shkak të ushtrimeve shpirtërore dhe asketizmit jeni në gjendje ta dini se një automjet i caktuar për shkak të shpejtësisë me të cilën lëvizë do të hasë në ndonjë pengesë dhe do të pësojë aksident, gjë e cila pas disa kohësh edhe ndodhë. Me këtë rast ne nuk themi se ju si vëzhgues jeni fajtor meqë me persiatjen tuaj keni arritur ta dini se kjo do të ndodhë e as që ngasësi ka qenë i detyruar ta bëjë këtë.
Allahu i Lartësuar i sheh veprat tona dhe i njeh para zgjedhjes tonë. Ai i di rrugët jetësore të secilit prej robërve të tij, mirëpo natyrisht, kjo nuk do të thotë se ai t’i ketë detyruar për diçka dhe se ata jetojnë ashtu për shkak se janë të detyruar. Allahu i Lartësuar në suren Er-Ra’d thotë:
Arabisht:
إِنَّ اللَّـهَ لَا يُغَيِّرُ مَا بِقَوْمٍ حَتَّىٰ يُغَيِّرُوا مَا بِأَنفُسِهِمْ
Transliterimi:
In-nAll-llāhe lā jugaj-jiru mā bi-kawmin hat-tā jugaj-jirū mā bi-enfusihim.
Përkthimi:
“Allahu nuk do ta ndryshojë një popull deri sa ai nuk e ndryshon veten” (Surja Er-Ra’d, ajeti 11).
Në një vend tjetër kuranor thuhet:
Arabisht:
مَن جَاءَ بِالْحَسَنَةِ فَلَهُ عَشْرُ أَمْثَالِهَا ۖ وَمَن جَاءَ بِالسَّيِّئَةِ فَلَا يُجْزَىٰ إِلَّا مِثْلَهَا وَهُمْ لَا يُظْلَمُونَ
Transliterimi:
Men xhāe bil-haseneti felehū ‘ashru emthālihā we men xhāe bis-sej-jieti felā juxhzā il-lā mithlehā we hum lā judhlemūn.
Përkthimi:
“Kush vjen me një punë të mirë, ai (në ditën e gjykimit) shpërblehet dhjetëfish, e kush vjen me vepër të keqe, ai ndëshkohet vetëm për të. Atyre nuk iu bëhet e padrejtë” (Surja el-En‘am, ajeti 160).
Po të mos ishte vullneti i lirë në zgjedhjen e lirë atëherë do të ishin të pakuptimta obligimet dhe detyrat dhe shpërblimi për kryerjen e tyre, por sipas ajeteve të lartpërmendura Allahu i Lartësuar e ka obliguar njeriun në pajtim me mundësitë e tij, e mandej mirëbërësin ta shpërblejë me dhjetëfishin ndërkaq kryesin e veprës së keqe do ta ndëshkojë vetëm se me masën e veprës së keqe.
Nga e gjithë kjo mund të konkludojmë se ne njerëzit zgjedhim për t’ia ndërtuar vetit këtë dhe botën tjetër ndërsa në këtë rrugë na ndihmon Allahu i Lartësuar, e nga ndihma e Tij kanë dobi edhe ata që janë rrugës së përkryerjes dhe lartësimit, por edhe ata që gabojnë. Shpresoj sinqerisht se ia kam dalur mbanë t’iu ndihmoj në gjetjen e përgjigjes ndaj pyetjes tuaj.
Prof. Shahrijar Sulejmani
(Redaksia e revistës “Vlera”, nr. 16, shtator/tetor 2015, fq. 41-42)