2.1

Fatime Zehra, burimi i mirësisë

Spread the love

Autore: Zehra HUDUTI

Padyshim, Fatime Zehra është shquar si figura më e dashur e fesë, etikës morale, virtytit, kulturës dhe devotshmërisë, së cilës nuk mund t’i gjendet e dytë para dhe pas saj, deri në ditën e Kiametit. Për Hazreti Fatime Zehranë (Zoti e mëshiroftë) flasin vetë veprat e saj, e neve na mbetet vetëm të mësojmë prej saj. Shembulli i saj ilustron jetën personale, shoqërore, virtytet e pozitën e femrës nga këndvështrimi i Kuranit dhe këshillave të babait të saj, Pejgamberit Muhamed (paqja e Zotit qoftë mbi të dhe familjen e tij).

Ishin vitet e para të predikimit të fesë islame në Gadishullin Arabik, e njëzeta ditë e shenjtë e muajit Xhumadel-Ahir. Nëna Hatixhe Kubra dhe babai i dashur Profeti Muhamed (paqja e Zotit qoftë mbi të dhe familjen e tij) shkëlqenin nga gëzimi i lindjes së kësaj vajze të vogël të veçantë nga të gjitha foshnjat e tjera. Askush nuk gjendej pranë saj për ta ndihmuar në çastet e lindjes. Prania e saj në çdo vend kundërmonte me një aromë të këndshme parajse. Kur shikonte Hatixhen, fytyra e Pejgamberit rrezatonte një ditë të papërshkruar që e ndiente edhe vetë foshnja në trupin e nënën së saj. Dhe ajo komunikonte mrekullisht me nënën e saj, pa ardhur ende në këtë botë. Shpirtrat e tyre u bashkuan si drita të bukura për të përgatitur trashëgimin e përjetshme të imamëve të pagabueshëm.

Persisht:

آتش نيست، بلكی نور است،
نور نور، بسم الله نور،
نور نور، نور علی نور،
.يعنی فاطمه

Transkiptimi:

Atesh nist, belki nur est,
Nurun nur, bismil-lahi nur,
Nurun nur, nurun ala nur,
Ja’ni Fatimeh
”.

Shqip:

Zjarr nuk është, ndoshta është dritë,
Dritë e dritës, në emër të Zotit Dritë,
pra Fatimja është dritë përmbi drita
e dritë mbi të gjithë dritat
”.

Lindja e Fatimes sillte përgëzim dhe përçmim njëkohësisht. Besimtarët e mirëpritën ndërsa injorantët dhe smirëkeqit e ofendonin babain e kësaj foshnje. Në vend të uratës i thoshin “ebter” që do të thotë “farësosur,  i patrashëgimtar”, që në Arabi ishte fyerja më e ulët për një mashkull. Injorantët e pabesimtarët thoshin:

O Muhamed, ti thua se je i Dërguari dhe i Dashuri i Zotit. Po nëse Ai të ka dashur, pse nuk të dërgoi një djalë, pse po punon për Të, kush do ta vazhdoj punën tënde misionin tënd profetik? Ti nuk ke djalë, je farësosur. Kur do të vdesësh emri yt do të harrohet në faqe të dheut, e nuk do të ketë njeri që të vazhdojë rrugën tënde”.

Nga ana tjetër Allahu i Lartësuar e përgëzoi të Dashurin e Tij me premtimin se e gjithë bota do të trashëgohet përmes fëmijës femër nga bijtë e saj liderë shpirtërorë të quajtur Imamë, që ende na udhëzojnë me këshillat e tyre, që janë pranë nesh me Prijësin e kohës Imam Zamanin (paqja qoftë mbi të). Kështu Zoti na tregon se njeriu i thjeshtë nuk do të humbasë kurrë nëse do ta ketë Fatime Zehranë, e babain e saj të ndritur si shembull etike, edukate, përsosmërie, sinqeriteti, mëshire, devotshmërie dhe sakrifice.

(Revista “Vlera”, nr. 7, nëntor 2011, fq. 29)




There are no comments

Add yours