1.1

Ftesa e Allahut për unitetin e muslimanëve

Spread the love

Vazhdim

Autor: teolog Abdullah Krasniqi

Synoni t’i përgjigjeni ftesës së Allahut, i cili u quajti robër të Zotit. Besimtarët duhet të kujdeses për librin e ‘lëshuar’ si litar prej qiellit në tokë. Apo edhe siç e kuptoi ajetin Abdullah Ibni Abasi “kapuni për ‘litarin’ e Allahut” tha se ajo kishte edhe kuptimin e ajetit kuranor: “Zbatoni premtimin që më keni dhënë Mua. Unë zbatoj atë që u premtova” (Surja el-Bekare, ajeti 40).

Imam Aliu (paqja qoftë mbi të) transmeton se e kishte dëgjuar Muhamedin (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij) të ketë thënë: “Do të ketë çrregullime”. E pyetën: “Cili është shpëtimi nga to?” Tha: “Libri i Allahut që në të ka edhe ngjarje të mëparshme dhe paralajmërime të mëvonshme, gjykues mes jush dhe ‘litar’ nga Allahu”.

Zakonisht shohim se iniciuesit e përçarjeve rëndom nuk e kuptojnë Islamin si fe hyjnore, ose e mendojnë atë si një ideologji njerëzore, dhe pastaj priren të vijnë në përfundime jofetare. Rëndom përngjajnë me filozofët që pos mendimeve të tyre nuk pranojnë asgjë tjetër që nuk përputhet me të “menduarit” e tyre. Zoti ka vendosur disa kushte me të cilat vepra obligohemi që të kemi konsideratë ndaj atyre që assesi nuk guxojmë t’i trajtojmë ndryshe pos si vëllezër: “Po, nëse ata pendohen, e falin namazin dhe e japin zeqatin, atëherë i keni vëllezër në fe. Ne sqarojmë argumentet për ata njerëz që kuptojnë” (Surja et-Teube, ajeti 11).

Pra siç shohim nga një thënie profetike se Allahu kënaqet nëse përmbushim tre gjëra dhe urren nëse dikush pajiset me tri ligësi të cilat janë: “Allahu është i kënaqur nga secili që kënaqet nëse e adhuron Atë dhe nuk i bën shirk, nëse mbahet për ‘litarin’ e Allahut e nuk përçahet dhe i përmbahet urdhëresave të Tij, ndërsa hidhërohet nëse shfaq pyetje të panevojshme dhe bën shkapërderdhjen e pasurisë”.

Detyrimet që na i mëson feja e Zotit, mund t’i klasifikojmë edhe si marrëdhënie me Zotin, dhe marrëdhënie me krijesat e Tij. Përderisa në marrëdhëniet me Zotin janë tërësisht të padiskutueshme ato me njerëzitë mund të lidhen ndonjëherë edhe me mospajtim, qëndrim ky normal, që nuk guxon të çojë dikë në armiqësi.

Vazhdon

(Revista “Vlera”, nr. 15, qershor/korrik 2015, fq. 14)




There is 1 comment

Add yours

Post a new comment