3.1

Rëndësia e unitetit të muslimanëve

Spread the love

Autor: teolog Abdullah Krasniqi

Ky ummeti im, është nën hijen e mëshirës se Zotit, ummeti im i përngjan shiut, nuk dihet nëse bereqeti është në fillimin apo fundin e tij” – Pejgamberi Muhamed (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij).

Realiteti i sotshëm flet për gjera absurde që shfaqen nga lloji njerëzor, përkundër avancimit si kurrë më parë, të hapërimit njerëzor drejt arritjeve që njeriut do të duheshin t’ia zbukurojnë jetën e jo t’ia komplikonin atë. Këto përparime e obligojnë secilin që të ketë një  rezonim pozitiv ngase thjesht mosdijes gjithnjë e më shumë nuk po i lihet vend. Të kemi në konsideratë se një ditë do të japim llogari para Krijuesit për veprimet tona të punuara në bazë të asaj çfarë e dimë, dhe për atë ditë Zoti na mëson që askujt nuk i bëhet padrejtësi.

Sot ndoshta më shumë se kurrë obligohemi të mendojmë dhe veprojmë logjikisht dhe moralisht, ngase si ummet/bashkësi e vlerësuar, nga vet Zoti: “Jeni populli më i dobishëm, i ardhur për të mirën e njerëzve” (Surja Ali ‘Imran, ajeti 110). Ndërsa i Dërguari i Tij Muhamedi (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij) i mësuar nga Zoti i Lartësuar, për rëndësinë e këtij umeti thotë: “Ky ummeti im, është nën hijen e mëshirës se Zotit, ummeti im i përngjan shiut, nuk dihet nëse bereqeti është në fillimin apo fundin e tij” (‘Alauddin ‘Ali el-Mutteki, “Kenzul-‘ummal”, hadithi nr. 34452 )”.

Pra na takon që si bashkësi e me të zgjedhurit Pejgamber, t’i japim shembull të tjerëve për një harmoni dhe jetesë normale mes bijve të Ademit, ngase për këtë edhe jemi përgjegjës para Zotit. Vetë i Dërguari (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij) na nxitë që të jetojmë me harmoni: “Njerëzit janë si dhëmbët e krehërit. Dallimi mes tyre është vetëm në devotshmëri”.

Duhet të kemi konsideratë ndaj të tjerëve, edhe kur ata nuk mendojnë si ne. Shembulli më i mirë dhe unik, për botën e trazuar sot është në të jetësuarin e besimit të pastër nga gjeneratat e mëparshme ku në trojet tona rronin harmonikisht të gjitha fetë ekzistuese, duke mos krijuar as më të voglin problem mes vete. Ndërsa për muslimanët as që bëhej fjalë për ndonjë mospajtim që do të lindte armiqësi. Ata burra të ndërgjegjshëm e kuptuan shumë mirë mesazhin hyjnor, ku Zoti ndër tjera u tregon: “Dhe kapuni që të gjithë ju për litarin e Allahut, e mos u përçani!” (Surja Ali ‘Imran, ajeti 103).

Pra mbahuni vendosmërisht për fenë islame, për librin e Tij, drejt mënyrës së vetme në të arriturit drejt synimeve. Kjo gjithsesi nuk është një ‘tren’ që shumë kush arrin, ka plot sish që ‘rrëshqasin’, ngase thjesht i japin përparësi dëshirave personale kundrejt porosive hyjnore. Thirrja për t’u përmbajtur për ‘litarin’ e Allahut nënkupton edhe vazhdimësinë e përhershme në të të udhëzuarit dhe të të ndihmuarit. Kjo porosi vërehet nëse e lexojmë ajetin kuranor: “Përmbahuni me Allahun se Ai është Ndihmëtari juaj. Sa Mbrojtës i mirë dhe sa Ndihmëtar i madh që është” (Surja el-Haxh, ajeti 78).

Në një porosi të lartë Muhamedi (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij) na mëson, kur njëherë ishte krijuar një luftë vëllavrasëse, e hershme nga periudha paramuhamedane, në mes fiseve Evs dhe Hazrexh, të cilët për motive tërësisht banale dëshiruan që ato sherre t’i bartnin edhe në periudhën e besimit, Pejgamberi Muhamed (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij) reagoi duke u thënë: “A jeni duke synuar injorancën, pasi që Zoti ju nderoi me Islam, ju fisnikëroi me iman (besim) dhe tevhid (monoteizëm), ua anuloi të gjitha hasmëritë. Ta dini se ky gjest është ngacmim shejtani, dhe kurth armiqësor, ulni armët, kërkoni falje, pendohuni nga kjo, të jeni të devotshëm, duhuni dhe të jeni pranë të Dërguarit”.

Pa dyshim që i Dërguari Muhamed  (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij) na mësonte që të kemi mirëkuptim të ndërsjellë e assesi armiqësi, në këtë aspekt Ai ishte në pozitën e të kujdesurit ndaj mirësisë për ummetin e Tij, edhe më shumë sesa dëshirat e një prindi ndaj fëmijëve të vet, siç thotë një hadith: “Unë për ju jam në pozitën e prindit për fëmijët e Tij”. Bile kërcënonte ndaj atyre që punojnë për atë që në mes njerëzve të kishte përçarje, kur thoshte: “Kushdo që shkakton polarizime ndaj bashkësisë qoftë sa një pëllëmbë, nuk do t’i shijonë mirësitë e Xhennetit, dhe kush thërret në injorancë e armiqësi parapejgamberike, i tilli është në Xhehenem”.

Vazhdon

(Revista “Vlera”, nr. 15, qershor/korrik 2015, fq. 13-14)




There are 2 comments

Add yours

Post a new comment