GRATË PALESTINEZE, IZRAELITE, SERBE, BOSHNJAKE DHE SHQIPTARE I RRËFEJNË KOSOVËS
Një grup aktivistesh dhe feministësh (antimilitariste), rrjet i i përbërë nga gratë prej gjeneratave të ndryshme dhe grupe të ndryshme etnike, me statuse të ndryshme sociale dhe nivele të ndryshme të arsimit, së bashku me organizatën suedeze Kvinna till Kvinna, në bashkëpunim me Rrjetin e Grupeve të Grave të Kosovës (RRGGK), kanë bërë një prezantim të librit “Ana femërore e luftës”. Përpos aktivisteve, nga gratë në të zeza, mysafirë ishin edhe aktiviste nga gratë palestineze, organizata e grave hebreje nga Izraeli, të cilat me përkrahjen e Kvinna till Kvinna e vizituan Kosovën.
Përmbajtja e librit “ANA FEMËRORE E LUFTËS”
Ky libër është botim i grave në të zeza dhe përmban historitë e grave dhe përvojat e tyre, gjatë luftës në Kosovë, Bosnjë Hercegovinë dhe Serbi. Përshkruan rrëfimet e grave që jetuan dhe mbijetuan luftën e tmerrit. Janë gratë në libër, që duan t’i tregojnë botës se nuk ishin ato që filluan të vendosin luftën, por ishin ato që përjetuan luftën. Në libër nuk janë përfshirë/baraspeshuar të gjitha rrëfimet mbi dhunën njerëzore, fizike, shpirtërore, materiale e kohore.
Rrëfimet për përjetimet e luftës në Kosovë, tek libri “ Ana femërore e luftës” janë në numër më të vogël, të përzgjedhur nga ana e redaksisë, megjithatë kjo është një dëshmi për gratë kosovare.
Në libër janë përfshirë zërat e grave viktimë, që flasin në vetën e parë, por edhe zërat e aktivisteve, që flasin në vetën e tretë, për të keqen që sjellë lufta. Libri është një dëshmi e vajit të gruas, përtej kufijve të qenies, me arsye të asaj të shkatërruar fizikisht.
Për ngjarjet e luftës së Kosovës, foli me mjaft entuziazëm dhe trimëri, zonja Sevdije Ahmedi, aktiviste e njohur, e cila na u drejtua me fjalët se lufta nuk është zgjidhje se “kasapit po s’iu pre koka me kohë, e keqja të zë“. Sevdije Ahmedi thekson: “Shumë nga gratë kanë shkuar si dëshmitare e kohës, është vështirë të shkruash, të raportosh mbi tmerret e luftës në Kosovë, të jesh e pazëshme vetëm e vetëm për të qenë e besuar. Ishim tokë e mbyllur, e ngulfatur në lumë, që na la pasoja të pashërueshme. Nuk mund të jemi indiferent ndaj flijimit të nënave gjakovare, e shumë të tjerave për më të dashurit e tyre. Femrat, edhe pse mund të jenë viktima të rënda, qajnë për të dashurit e tyre, e jo për veten.”
Gratë e kanë vendin e tyre në histori, por edhe porosisin botën, se gratë, kurrsesi, nuk pranojnë të jenë objekt lufte, pranojnë të jenë vetëm subjekt paqeje. Ky libër është një monografi rrëfimesh e deklaratash, që na obligon të gjithëve, që sa më parë të ndërtojmë në kujtesën tonë, si amanet për gjeneratat e ardhshme, dhe të përshkrimit të historisë së mirëfilltë. Porosia e vetme është ajo që të mos i harrojmë luftërat që kanë kaluar dhe, dhashtë Zoti, të mos përsëritet më, edhe pse plagët kanë mbetur, por historia do t’i mësojë mbesat e nipat tonë dhe të njohin trimërinë e dëshmorëve dhe viktimave të pafajshme, si dhe turpet e krimet që i bënë dushmanët tanë.
Rrëfimet e grave pjesëmarrëse
Nënë Mejra i ka humbur dy fëmijët e saj në vitin 1992. Pas shumë përpjekësh, me vite të tëra, më në fund i ka gjetur dhe i ka varrosur në vendlindjen e tyre. Nëse e kërkoni MEJRËN nuk do të mund ta gjeni, por nënë Mejrën të gjithë e njohin, për arsye se gjatë gjithë viteve në kërkim të fëmijëve të saj, u ka ndihmuar shumë njerëzve, duke ua ofruar ndihmën e saj, grave që i kanë humbur të afërmit e tyre gjatë luftërave. Nënë Mejra vazhdon, duke treguar jetën e saj: ”Si t’u them…. tetë vjet kam gjurmuar, derisa i kam gjetur fëmijët e mi. Kur i kam gjetur, atëherë kam qenë nëna më e lumtur në botë, që së paku t’i varrosi fëmijët e mi. Në Prijedor jetoj prej viteve shtatëdhjetë. Më 30 prill të vitit 1992, vajza ime, rahmet pastë Zoti mbi të, Enda, përgatitet të dalë që të takohet me shoqet e saj. Atë natë ushtria dhe policia serbe e kanë marrë qytetin e Prijedorit. Prej kësaj dite nuk e kam parë vajzën time. Ata, të cilët munden të iknin, iknin për në Kroaci. E luta edhe djalin tim që të ikte, por më tha: ”Nuk jam qyqar të ik, do ta mbroj Prijedorin dhe Bosnjën time.” Atë ditë kur i kam përcjell fëmijët e mi, pamjet e tyre të fundit më janë ngulitur në kokë aq qartë dhe dhimbshëm. Dhe e kam ditur se kurrë më nuk do t’i shoh. Kaluan ditë, muaj, asnjë zhurmë për fëmijët e mi. Pas shumë viteve përpjekësh për t’i gjetur eshtrat e fëmijëve të mi, për t’i varrosur, i kam gjetur. Që ta kenë shpirtin më të qetë fëmijët e mi, si dhe unë.”
Nënë Mejra dhe rrëfimet e saj mund t’i gjejmë në librin “ Prijedorçanët pa pikë faji”, i cili libër u përurua mu në ditën kur u gjetën eshtrat e fëmijëve të nënë Mejrës, si dhe në Milano e në Teheran, në Republikën Islamike të Iranit, u shpalos dhe u shpërblye në konferencat e ndryshme ndërkombëtare, trimëria dhe durimi i kësaj nëne madhështore.
Nënë Mejra nuk e urren askënd, por nuk do ta harrojë të kaluarën, ku në librin “Ana femërore e luftës” ka deklaruar: ” Unë nuk e urrej askënd. Atij që ua ka bërë fëmijëve të mi, këtë nuk mundem t’ia harroj. Këtë nuk mundem ta bëj kurrsesi. Sepse, kjo do të ishte gjynah. E vërteta nuk guxon të harrohet, nuk duhet të varroset. E vërteta duhet të dihet.”
Zonja Naile Aish nga Palestina punon në një qendër të grave. Tregon rastin e saj si nënë aktiviste dhe bashkëshorte. Gjatë okupimit të Gazës është arrestuar dhe e ka humbur (abortuar) fëmijën e saj të parë. Gjatë qëndrimit të saj në burg, burri i saj është depërtuar nga toka e tij. Pas përjetimeve dhe dhimbjeve të shumta është liruar dhe është munduar të jetojë një jetë normale, por nuk ka mundur.
Pas të gjitha këtyre rrëfimeve të dhimbshme, fjalën e morën edhe zonjat nikoqire, të cilat iu bashkëngjitën ndjenjave, shumë prekëse, ku nuk munguan edhe lotët e tyre.
Zonja Ikballe Berisha Huduti nga Organizata Edukative Kulturore “Nisa” iu uroji mirëseardhje të gjitha mysafireve si dhe nikoqireve. “Ju urojmë mirëseardhje grave, që kanë ardhur nga një kontinent shumë i largët aziatik, edhe pse ato shumë pakë na rrëfyen në krahasim me atë se çka kanë përjetuar e përjetojnë, ndërsa ne ndiejmë keqardhje që nuk patën hapësirë, që edhe gratë hebreje të na rrëfejnë nga përjetimet e tyre. Por, sidoqoftë, të gjitha këto rrëfime tuaja shumë prekëse janë mësime domethënëse që na nxisin t’i çmojmë dhe manifestojmë vlerat njerëzore, etiko-morale, kombëtare, tradicionale, e mbi të gjitha, vlerat fetare, të cilat e sendërtojnë një shoqëri të shëndoshë në të ardhmen e gjithë botës mbarë”, u shpreh Zonja Ikballe, kryetare e Organizatës Edukative Kulturore “NISA” në përfundim të këtij tubimi madhështor.
E punoi; Azemine Bytyqi.