5.1

Kryerja e obligimeve në kohën e duhur dhe mosbrengosja për nesër

Spread the love

Kryerja e obligimeve në kohën e duhur dhe mosbrengosja për nesër

Pejgamberi (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij) këshilloi: “O Ebu Dherr, a pret dikush nga ju diçka tjetër, përveç pasurisë e cila do të përfundojë me zemërim, apo varfëri e cila do të shkaktojë harresë në Zotin, apo sëmundje e cila do t’ia shkatërrojë shëndetin, apo sëmundje e cila e pengon ardhjen e befasishme të vdekjes, apo Dexhallit, e kjo është e keqe e fshehur, e cila pritet, apo arritjen e Çastit të ringjalljes i cili është më i tmerrshëm dhe më i hidhur?!”.

Këto fjalë janë theksim i ri i rëndësisë së shfrytëzimit të rasteve me qëllim të kryerjes së obligimeve. Nëse njeriu nuk e përdor shëndetin dhe kohën të cilin e disponon që t’i kryej detyrimet e tij, atëherë çfarë rasti pret? Këto fjalë janë paralajmërim për ata të cilët – kur u thuhet që t’i kryejnë obligimet e tyre – përgjigjen: “Ka mjaft kohë, më vonë do ta bëjmë atë”.

Njeriu i cili është përtac dhe i shtynë punët e tij, apo merret me punë të kota, apo – mos e dhashtë Zoti! – bën mëkat, atëherë çfarë dite pret për t’i kompensuar obligimet e tij? P.sh., në kohën e skamjes dhe fukarallëkut pret që të kalojë koha e skamjes dhe të bëhet i pasur që pastaj t’i kryej obligimet e veta. Në të vërtetë, ndoshta pasuria me vete sjell vetëm dukuri edhe më të këqija sesa që është rasti me varfërinë dhe skamjen, dhe do ta shtyjë të jetë i zemëruar, sepse njeriu, kur të ndjehet i pavarur, zemërohet: “Jo, është e vërtetë se ai i kalon kufijtë, për shkak se e ndien veten të pavarur”.

Në gjendje të pasurisë dhe panevojës a pret që të të vij koha e skamjes dhe fukarallëkut, e që vështirësitë të cilat t’i ka shkaktuar pasuria dhe paratë të largohen dhe vetëm atëherë t’i kryesh obligimet tuaja? A mendon që me humbjen e pasurisë do të të zvogëlohen vështirësitë në punë dhe jetë dhe lirshëm t’i kryesh obligimet tua? Shpesh edhe skamja bëhet shkak për t’i harruar qëllimet dhe përsosjet dhe kësisoj preokupon njeriun sa që përsosmëritë e spiritualitetit as nuk i bien në mend. Kur je i shëndoshë, mendon që njeriu i sëmurë më shumë e kujton Zotin, megjithëse kjo nuk është kurrfarë rregulle e përgjithshme. Nuk është rregull që secili që është i sëmurë më shumë të bëj dhikër, lutje dhe të kërkoj shefat. Ndonjëherë sëmundja aq shumë e mposhtë njeriun saqë ai nuk ka fuqi për ibadet dhe kujdes ndaj obligimeve.

Në rini njeriu i thotë vetes: “Lëri që pasionet rinore, zbavitja dhe trillet ta bëjnë të veten, e kur të plakem, atëherë do t’i përkushtohem ibadetit”. Me atë rast nuk e di që në pleqëri do të jetë i pafuqishëm, që do të ketë më pak forcë trupore dhe që nuk do të jetë në gjendje t’i kryej obligimet e veta. Atëherë, kur mendon t’i kryej obligimet e tij? Kur t’i vij vdekja? Apo atëherë kur të vij Dexhalli – intriguesi?

(Redaksia e revistës “Vlera”, nr. 26, maj/qershor 2018, fq. 42-43)




There are no comments

Add yours