204ac8a38bbba6659acb17e6e78f2080

KURANI LIBËR UDHËZIMI

Spread the love

KURANI LIBËR UDHËZIMI

Kurani është libër i udhëzimit, udhëzim të cilin i madhi Zot ia ka zbritur profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) për të ndihmuar njerëzimin. Zoti në Kur’an i drejtohet arsyes dhe ndërgjegjes njerëzore dhe i mëson njeriut besimin në Teuhid, në një Zot të vetëm e të pashokë.

Gjithashtu, e udhëzon në atë që është e hajrit dhe në interes të tij, si në jetën individuale, ashtu edhe shoqërore; i tregon rrugën më të përshtatshme për të arritur në njohjen e vetvetes, zhvillimit të personalitetit dhe ngritjes së vet shpirtërore në rangjet e përsosjes njerëzore, me qëllim që të mund të përgatisë terrenin e lumturisë së kësaj bote dhe të Botës Tjetër (Dynjasë dhe Ahiretit).

“Ky Kur’an është tregues i qartë, udhërrëfyes dhe mëshirë për njerëzit që kanë besim të patundur.”  “O njerëz, ju ka ardhur këshillë (Kur’ani) nga Zoti juaj, shërim për zemrat tuaja, udhëzim dhe mëshirë për besimtarët.” Sure “Junus”, ajeti 57.


“Ditën kur do të sjellim kundër çdo populli dëshmitarë nga gjiri i tyre, Ne do të të sjellim ty (Muhamed) dëshmitar kundër këtyre. Ne ta zbritëm ty Librin, si shpjegim për çdo çështje, si udhërrëfyes, si mëshirë dhe si lajm të mirë për myslimanët.” Sure “En- Nahl”, ajeti 89.


“Është Ai që u solli analfabetëve një të Dërguar nga gjiri i tyre, për t’u lexuar atyre shpalljet e Tij, për t’i pastruar e për t’u mësuar Librin dhe Urtësinë, ndonëse ata më parë ishin vërtet në humbje të plotë.” Sure “El-Xhumu‘a”, ajeti 24.


“Po kështu, (për të plotësuar mirësinë Time ndaj jush) ju kam sjellë një të dërguar, nga mesi juaj, i cili ju lexon Shpalljet Tona, ju pastron (nga gjynahet), ju mëson librin (Kur’anin) e Urtësinë (rregullat e fesë) dhe ju mëson ato gjëra që nuk i keni ditur.”  Sure “El-Bekare”, ajeti 151.

 

Kurani Fisnik i nxit njerëzit të shëtisin dhe të sodisin universin, qiejt, tokën dhe krijesat e Zotit, të cilat gjenden në qiej e në tokë. Arsyeja e kësaj shëtitjeje është meditimi dhe kërkimi rreth tyre, që nëpërmjet soditjes së çudirave të krijimit, të mund të bien në gjurmë të ekzistencës së Zotit të Madhëruar.

Thuaj: “Udhëtoni nëpër Tokë dhe shikoni se si Ai e ka zënë fill krijimin. Pastaj do të jetë Allahu Ai që do të bëjë krijimin e dytë (ringjalljen). Me të vërtetë, Allahu është i Fuqishëm për çdo gjë.”   Sure “En-Ankebut”, ajeti 202.

“Thuaj (o Muhamed): “O njerëz, unë jam i Dërguari i Allahut për të gjithë ju, i Atij që i përket sundimi i qiejve dhe i Tokës. Nuk ka zot tjetër të vërtetë veç Atij; Ai jep jetë dhe vdekje, prandaj besoni në Allahun dhe në të Dërguarin e Tij, Profetin që nuk di shkrim e lexim e që beson në Allahun dhe Fjalët e Tij! Shkoni pas Tij, që të jeni në rrugën e drejtë!” Sure “El-A’raf”, ajeti 185.

“Vallë, a presin ata ndonjë gjë tjetër, veç diçkaje të ngjashme me dënimin e atyre që kanë jetuar më parë? Thuaj: “Pritni, se edhe unë po pres me ju!” Sure “Junus”, ajeti 101.


Kurani Fisnik na nxit për kërkimin e dijes, për mësimin dhe nxënien e diturisë. Për këtë, nuk ka asnjë argument më të fortë se ajeti i parë i Kur’anit të nderuar, që e fton njerëzimin në leximin dhe në nxënien e diturisë, duke e nderuar, duke e lartësuar pozitën e kalemit (penës), me anë të së cilës Zoti i mësoi njeriut shkrimin dhe dijet që nuk i njihte:

“Lexo me emrin e Zotit tënd, i Cili krijoi (gjithçka); e krijoi njeriun nga një droçkë gjaku!; Lexo! Zoti yt është Bujari më i madh; i Cili, me anë të penës ia mësoi; ia mësoi njeriut ato që nuk i dinte.”  Sure “El- Alak”, ajetet 1-5.

Në Kur’an, Zoti betohet në kalemin (penën). Vetë ky është një tregues i pozitës së lartë të kalemit dhe shkrimit dhe tregon se ata kanë një ndikim përcaktues në punën e mësimit dhe të nxënies së dijes.
“Nûn. Betohem për penën dhe për atë që shkruajnë.” Sure “El-Kalem”, ajeti 12.


Kurani Fisnik e lavdëron virtytin e diturisë, i çmon dijetarët, e lartëson pozitën e tyre dhe e vendos diturinë në rang të lartë, ashtu si rangun e Islamit (Besimit).

“O besimtarë! Kur ju thuhet t’u hapni vend të tjerëve në tubim, atëherë bëni vend, se Allahu do t’ju bëjë vend (në Xhenet)! E kur ju thuhet të ngriheni, atëherë bëni kështu, se Allahu do t’i ngrejë në shkallë të lartë ata midis jush që besojnë dhe që u është dhënë dija. Allahu di çdo gjë që punoni.”  Sure “El-Muxhadile”, ajeti 113.


“Ata, të cilëve u është dhënë dituria dhe besimi, do të thonë: “Ju, me të vërtetë, keni qëndruar aq sa ju ka caktuar Allahu në Libër – deri në Ditën e ringjalljes, e ja kjo është Dita e ringjalljes, por ju nuk e keni ditur.” Sure “Er-Rum”, ajeti 56.

Kur’ani e lavdëron diturinë dhe dijetarët. Ky është një argument i fortë. Këtë e tregon edhe ajeti i mësipërm, duke i përmendur ata para besimtarëve. Ndërsa në ajetin e mëposhtëm dijetarët janë përmendur pas engjëjve.

“Allahu dëshmon, e po ashtu edhe engjëjt, edhe njerëzit e dijes, se nuk ka zot tjetër që meriton të adhurohet përveç Tij, duke mbajtur drejtësinë. S’ka zot tjetër përveç Atij, të Plotfuqishmit, të Urtit. Sure “Ali Imran”, ajeti 185.


Një argument tjetër, që është kallëzues i vlerësimit që i bën Zoti dijes dhe lavdërimit ndaj mirësisë dhe virtytit të saj, është se e ka urdhëruar Profetin që, kur t’i lutet Atij, t’i kërkojë shtimin e diturisë së vet.

“I Lartësuar qoftë Allahu, Sunduesi i Vërtetë! Mos nxito për ta lexuar Kuranin para se të përfundojë shpallja e tij dhe thuaj: “O Zoti im, shtoma dijeninë!”Sure “Ta ha”, ajeti 114.

Marrë nga libri “ Kurani dhe psikologjia “