matrio

Martesa e Ajshes me Profetin s.a.a.

Spread the love

LOGJIKA E DËSHMIVE TË HULUMTUARA

Rreth moshës së martesës së Ajshes me të Dërguarin, Muhamedin (pqmtf)

Në librin “El-Bidaja ve Nihaja” (“Fillimi dhe mbarimi”) të autorit Ibën Kethir, në pjesën e katërt, në faqen 315, thuhet se Esma, vajza e Ebu Bekrit , ishte për 10 vjet më e moshuar se motra e saj Ajsheja. Në të njëjtin libër thuhet se Esma, vajza e Ebu Bekrit r.a. kishte kaluar në botën tjetër kur kishte 100 vjet, gjegjësisht në vitin 73 Hixhri. Në librin “El-Ealam” të Zrikliut, si dhe në shumë libra të tjerë të historisë së Islamit, gjejmë një kronikë të ngjashme. Gjithashtu e dimë se i Dërguari (pqmtf) ishte martuar me Ajshen në vitin e dytë Hixhri. Në bazë të kronikave të përmendura përfundojmë si në vijim:

1. Nëse Esma ka vdekur në vitin 73 Hixhri, gjegjësisht në moshën 100 vjeçare, kuptojmë se para Hixhrit Esma i kishte 27 vjet (100 vjet – 73 vjet të Hixhrit = 27 vjet moshë të Esmas para Hixhrit).

2. Nëse tani më e dimë se Esma ishte 10 vjet më e moshuar se Ajsha përfundojmë se Ajshja, para Hixhrit (dhe dy vite para se të martohej me të Dërguarin Muhamedin (pqmtf) ) kishte 17 vjet.

Në bazë të këtyre dëshmive të paraqitura mund të konkludohet se me rastin e lidhjes martesore me të Dërguarin Muhammedin (pqmtf), Ajsha i kishte pasur 19 vjet, e jo 9 vjet sa thuhet në disa transmetime. E gjithë kjo transmetuesi i rivajetit, qoftë nga pakujdesia ose harresa, ka gabuar me 10 vite dallim në moshën e Ajshes.

Si njëra nga dëshmitë mbi atë se sa vite njëmend kishte Ajsha kur ishte martuar me të Dërguarin Muhamedin (pqmtf) gjendet në librin “El-Marif” nga Ibën Kutejbe, në të cilin thuhet se Ajshja ka vdekur në moshën 77 vjeçare, gjegjësisht në vitin 58 Hixhri. Matematikisht kjo duket kështu: 77-58=19.

Me daljen në dritë të këtyre fakteve më në fund do t’ju mbyllet goja dashakeqëve të cilët lidhur me këtë martesë kanë bërë komente nga më të ndryshmet, të cilat ishin herë të turpshme e herë vetëm njollosësh, por për dallim nga rastet e tjera, për këtë rast si burim shërbente përmbledhja e transmetimeve të haditheve të shkruar nga Buhariu, libri i të cilit naivisht merret si shenjtëri e pakontestueshme.

Përgatitur nga Burim Moravica




There are no comments

Add yours