1.1

Martesa e Imam Aliut me Hazreti Fatimen

Spread the love

Aliu martohet me Fatimen

Fatimja (paqja qoftë mbi të) kjo vajzë e bukur, e ndershme, fisnike, jetonte në kraharorin e babait të saj në Medine. Sytë e shikonin, dhe disa sahabë flisnin me vetët e tyre dhe kishin dëshirë të merrnin ndershmërinë e prejardhjes prej babit të saj. Ajo ishte gruaja më e famshme në nder, në fe, dhe pozita e saj ishte e lartë tek Zoti i saj.

Shumë sahabë (shokë) të Profetit (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij) i propozuan atij të martohen me Fatimen (paqja qoftë mbi të), siç ishin Ebu Bekri, Umer ibën Hatabi e të tjerë prej të njohurve Kurejshit. Por Profeti (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij) i kërkonte atyre të falur duke i thënë se akoma nuk ka zbritur urdhri.

Kur Profeti (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij) i kërkoi ndjesë Ebu Bekrit dhe Umeri për kërkesën e tyre, ata të dy shkuan tek Aliu (paqja qoftë mbi të) i cili po ujiste hurmat dhe i thanë atij: “Ne e dime afërsinë tënde me Profetin (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij) dhe se ti je i pari që e pranove Islamin. Sikur të shkosh tek Profeti (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij) dhe të kërkosh prej tij martesën me Fatimen (paqja qoftë mbi të) dhe Zoti do të shtojë favorin”. Imam Aliu e ndërpreu punën, mori abdest, pastaj u la dhe veshi xhyben e tij. Fali dy reqate namaz, veshi shapkat e tij dhe u nis për tek Profeti (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij), i cili ndodhej në shtëpinë e Umi Selemes. Ai e përshëndeti Profetin (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij) edhe Aliu (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij) ia ktheu selamin. Pastaj u ul pranë tij dhe shikonte tokën.

Profeti Muhamed (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij) i tha: “A ke ardhur për nevojë?” Aliu (paqja qoftë mbi të) iu përgjigj: “Po, kam ardhur të kërkoj dorën e vajzës tënde për martesë”. Umi Seleme tha: “Unë shikova fytyrën e Profetit Muhamed (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij) e cila shkëlqente prej gëzimit”.

Pastaj Profeti (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij) i buzëqeshi Aliut (paqja qoftë mbi të) dhe hyri tek Fatimja (paqja qoftë mbi të) dhe i tha asaj: “Ti e di mirë se çfarë favori ka Ali ibën Ebi Talibi (paqja qoftë mbi të) në Islam dhe e di afërsinë tënde fisnore me të. Unë iu luta Zotit tim që të martoi ty me krijesën më të favorshme dhe më të dashur tek Ai. Ai përmendi diçka prej çështjes tënde. Çfarë mendimi ke?” Ajo (paqja qoftë mbi të) heshti dhe Profeti (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij) doli jashtë duke thënë: “Allahu Ekber, heshtja e saj është vendimi i saj”. Pastaj tha: “O Ali! Çfarë zotëron që të martoj ty?” Ai i tha: “Shpatën, mburojën dhe devenë (kurse në një hadith tjetër kalin)”. Profeti (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij) i tha: “Përsa i përket shpatës tënde të nevojitet që të luftosh në rrugën e Zotit dhe të vrasësh armiqët e Tij. Ndërsa deveja jote të duhet për të ujitur hurmat tuaja dhe të udhëtosh. Ndërsa për mburojën bëj ç’të duash”. Aliu (paqja qoftë mbi të) ia shiti mburojën Othman ibën Afanit, 480 dërhem dha ia dha Profetit (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij).

Mbasi Profetit (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij) iu plotësua dëshira e tij me këtë martesë të lumtur me urdhër prej Zotit të Madhëruar, ai dëshiroi që këtë lajm ta përhapte në mesin e muslimanëve. Për këtë ai urdhëroi Enes ibën Malikun që të grumbullojë një grup të sahabëve dhe të përhapin këtë lajm. Enesi tha: “Unë i ftova ata dhe kur u grumbulluan tek Profeti (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij), u ulën në vendet e tyre. Aliu (paqja qoftë mbi të) nuk ishte prezent sepse Profeti (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij) e kishte ngarkuar për të kryer porositë e tij”.

Profeti (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij) tha: “Falënderimet janë për Allahun e mirësive, i Adhuruari për shkak të fuqisë së Tij, i Frikshmi për shkak të dënimit të Tij, Zbatuesi i urdhrave të Tij në tokë dhe qiell i Cili i krijoi krijesat me fuqinë e Tij dhe i dalloi ato me ligjet e Tij, i krenoi ata me fenë e Tij, i nderoi ata me të Dërguarin e Tij Muhamedin (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij). Allahu i Lartësuar dhe Fuqiplotë e ka caktuar martesën shkak për brezat e ardhshëm. Ai (Allahu i Lartësuar) më ka urdhëruar që të martoj Fatimen (paqja qoftë mbi të) bijen e Hatixhes (paqja qoftë mbi të) me Aliun (paqja qoftë mbi të)”.

Pastaj urdhëroi që të sjellin hurma dhe i vendosi para nesh dhe tha: “Urdhëroni dhe merrni”. Në atë kohë papritur hyri Aliu (paqja qoftë mbi të) tek Profeti (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij) dhe i Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij) i buzëqeshi atij, e pastaj i tha: “Allahu më urdhëroi që të martoj ty me Fatimen (paqja qoftë mbi të) me shumën 400 mithkalë argjendi nëse pranon”. Aliu (paqja qoftë mbi të) tha: “Po e pranoj atë o i Dërguar i Allahut”.

Enes ibën Maliku tha se Profeti (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij) ka thënë: “Allahu ju bashkoi juve të dyve dhe e lumturoi gjyshin tuaj dhe iu ka bekuar juve të dyve dhe prej jush do të sjelli shumë të mirë”. Enesi tha: “Po pasha Zotin, vërtet Allahu solli nga ata shumë të mirë”.

Martesa e pashoq

Kështu pra përfundoi kontrata e martesës dhe Profeti (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij) martoi Aliun (paqja qoftë mbi të) me Fatimen (paqja qoftë mbi të). Kjo martesë ishte urdhri i Zotit dhe me këtë martesë u bashkuan dëshirat. Profeti (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij) u gëzua pa masë dhe ky gëzim dukej në fytyrën e tij shkëlqyese dhe lumturia mbushte zemrën e tij. Imam Aliu (paqja qoftë mbi të) e priti këtë dhuratë hyjnore me falënderim dhe lavdërim duke i bërë sexhde Allahut në kohën kur Profeti (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij) e lajmëroi për këtë gjë.

Profeti (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij) e martoi Fatimen (paqja qoftë mbi të) me mehër (dhuratë që i jepet vajzës kur fejohet) të pakët dhe shtëpinë e saj e veshi me atë masë sa ishte mehri që ta dinë brezat e të gjitha kohërave se gjërat materiale janë të zhdukura dhe të vogla para vlerave dhe kuptimeve shpirtërore të larta.

Imam Aliu (paqja qoftë mbi të) ia dha Profetit (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij) mehrin dhe Profeti (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij) mori pjesë personalisht në përgatitjen e shtëpisë së vajzës së tij, e vogël në përmasa dhe në pajisje por e madhe në anën njerëzore dhe morale. Profeti (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij) dërgoi në treg disa prej shokëve të tij për të blerë pajisjet e Fatimes (paqja qoftë mbi të) dhe për nevojat e shtëpisë së saj të re. Këto pajisje përmblidhnin: dyshekun, të mbuluarit, hastra, disa pajisje për gatim, pak veshje dhe erëza aromatike. Po ashtu Aliu (paqja qoftë mbi të) shtroi për të përgatitur shtëpinë e tyre të thjeshtë. Ai shtroi tokën e shtëpisë me rërë të imët, vendosi një dërrasë të gjatë në mur për të vendosur rrobat mbi të. Mbasi përfundoi përgatitjen e shtëpisë, Aliu (paqja qoftë mbi të) filloi të priste ardhjen e Fatimes (paqja qoftë mbi të).

Mbas një muaji Profeti (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij) e mori vesh se Aliu (paqja qoftë mbi të) kishte dëshirë ta çonte Fatimen (paqja qoftë mbi të) në shtëpinë e re dhe Profeti (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij) e pranoi kërkesën e tij. Profeti (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij) kujdesej së tepërmi për Fatimen (paqja qoftë mbi të) me qëllim që t’ia zëvendësonte asaj dashurinë e nënës së saj të dashur Hatixhes (paqja qoftë mbi të). Ai e ndihmoi në martesë dhe kërkoi prej grave të tij që ta përgatisin Fatimen (paqja qoftë mbi të) ashtu siç përgatiten vajzat në natën e martesës. Pastaj ftoi që të shtrohet tryeza e gostisë të cilën e përgatiti Aliu (paqja qoftë mbi të) duke i ndihmuar muhaxhirët (emigrantët) dhe ensarët (ndihmuesit).

Sherhabil ibën Said el-Ensari ka transmetuar duke thënë: “Në mëngjesin e ditës së dasmës, Profeti (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij) i tha Fatimes (paqja qoftë mbi të): “Unë të martova ty me zotërinë e kësaj dynjaje, dhe në ahiret ai është prej të mirëve””.

Profeti (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij) hyri tek Fatimja (paqja qoftë mbi të) dhe në dorë mbante një gotë qumështi dhe i tha asaj: “Pije këtë, babai u bëftë kurban për ty”. Pastaj i tha Aliut (paqja qoftë mbi të): “Pije këtë, djali i xhaxhait tënd u bëftë kurban për ty”. Në këtë mënyrë përfundoi martesa dhe u plotësua ndërtimi i shtëpisë së re. Profeti (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij) ishte vendosësi i bazave të saj. Me këtë ai (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij) ndërtoi ligjet, jetën dhe filozofinë e martesës familjare.

(“Përmbledhje e jetës së Profetit (s.a.) dhe Ehli Bejtit (a.s.)”, përktheu: Vullnet Merja, botoi: “Mesxhidi i Ehli Bejtit”, Tiranë 2004, fq. 105-109)




There are no comments

Add yours