MARTIRIZIMI I EBU FADL ABBASIT (ABAS ALIUT) NË QERBELA
Abasi ishte trupmadh, i fortë. Ai hipte mbi kalë të mrekullueshëm në pamje dhe këmbët i takonin në tokë. Pseudonimi i tij ishte «Hëna e Beni Hashimit» dhe «Ujëdhënës».
Ai iu drejtua Hysejnit dhe i tha: «O vëllai im, a më jep leje?»
Hysejnit i lotuan sytë e mjekra e tij u lag prej lotëve dhe tha:
«Vëllai im, ti je mbrojtësi i vendqëndrimit tim. Nëse vritesh, ne do të shpërndahemi, ndërtesat tona do të shkojnë drejt shkatërrimit.» Abasi tha: «Shpirti i vëllait tënd është kurban për ty, gjoksi m’u ngushtua prej jetës së kësaj bote dhe dua të hakmerrem prej atyre munafikëve.»
Hysejni i tha: “Kërko ujë për ata fëmijë.” Abasi doli në mesin e mejdanit dhe thërriti: “O Umer, i biri i Sa’dit, ky është Hysejni, i biri i vajzës së Profetit të Allahut, i cili ju thotë se ju i vratë shokët e tij, vëllezërit e tij, djemtë e xhaxhallarëve të tij dhe ka mbetur i vetëm me fëmijët e tij dhe familjen e tij dhe ata janë të etur. Etja i ka djegur zemrat e tyre, prandaj jepuni atyre ujë, sepse fëmijët dhe familja e tij po vdesin prej etjes…”
Kur banorët e Kufes i dëgjuan fjalët e Ebi Fadlit, disa prej tyre heshtën, disa u ulën dhe filluan të qanin. Në atë kohë, doli Shimri, së bashku me Shebeth ibn Rabiu (Allahu i mallkoftë ata të dy!) dhe thanë: “O i biri i Ebi Turabit (Aliu), i thuaj vëllait tënd se nëse e gjithë toka do të jetë ujë dhe ai të jetë nën duart tona, ne nuk do t’i japim atij asnjë pikë ujë, derisa të japë betimin për Jezidin.”
Abasi buzëqeshi dhe u kthye tek Hysejni duke e lajmëruar për atë që ai popull i tha atij.
Hysejnit i rrodhën sytë lot dhe Abasi dëgjoi fëmijët që thërritnin: “etja… etja…” Ai i hipi kalit dhe mori shtizën e tij së bashku me kirben (mbajtëse uji prej lëkure).
Umer ibn Sa’di vendosi shumë burra ruajtës të ujit dhe nuk lejonin asnjë nga shokët e Hysejnit të pinin prej tij.
Abasi i sulmoi ata dhe i shpërndau. Po ashtu, vrau tetëdhjetë burra dhe thoshte: “Nuk i frikësohem vdekjes, nëse vdekja është lartësim, derisa të varrosem. Unë jam Abasi që nuk i frikësohet sherrit të ditës së Takimit.”
Ai mbërriti tek uji dhe kur deshi të pinte prej tij, iu kujtua etja e Hysejnit dhe e Ehli Bejtit të tij. Abasi e hodhi ujin që kishte në dorë dhe tha: “O vetja ime, mbas Hysejnit do të jesh e shkatërruar dhe mbas tij, as nuk do jesh. Ky është Hysejni i dashur dhe ti do të pish ujë të ftohtë. Kjo nuk është prej veprës së fesë sime dhe as vepër e të vërtetit dhe besnikut.”
Ai e mbushi kirbeten me ujë dhe e vari në qafë. Pastaj u drejtua nga çadrat. Armiqtë ia prenë rrugën dhe e rrethuan nga të gjitha anët. Ata filluan të gjuanin me shigjeta, derisa mburoja e tij u bë si lëkura e iriqit prej shigjetave të shumta.
Zejd ibn Varkau ishte i fshehur pas pemës së hurmës.
Atë e ndihmoi Hakim ibn Tufejl, i cili e goditi në dorën e djathtë dhe ia preu. Abasi e kapi shpatën me dorën e majtë duke thënë: “Pafsha Allahun, nëse e pritni të djathtën, unë gjithmonë do të mbroj fenë time. Po ashtu, do të mbroj imamin e vërtetë, djalin e Profetit të pastër dhe besnikun.”
Ai luftoi derisa u lodh. Ata ia prenë dorën e majtë dhe ai filloi të thërriste: «O shpirti im, mos iu frikëso të pafeve dhe lajmërohu për mëshirën e të Plotfuqishmit. Ata prej inatit të tyre, ma prenë të majtën time. O Zot, shpërbleji ata me zjarrin më të ashpër.” Një shigjetë goditi kirbeten dhe uji ra përdhe. Abazi qëndroi i hutuar. Për të nuk kishte duar që të luftonte dhe as ujë që të kthehej tek çadrat. Një ushtar i armiqve e goditi me hekur mbi kokë dhe Abasi u rrëzua nga kali duke thirrur: «O vëllai im! O Hysejn, shpëto vëllanë tënd…»
Hysejni shkoi tek ai si shqiponjë dhe e pa me duar të këputura, ballë të çarë, sy të shpuara me shigjeta. Ai qëndroi mbi të i përkulur, u ul pranë kokës së Abasit dhe sytë i lotonin.
Në ato momente, Abasi dha jetë dhe Hysejni tha: «O vëllai im, tani m’u thye shpina ime, m’u pakësuan fuqitë dhe armiqtë u gëzuan.»
Pastaj u ngrit dhe u kthye tek çadrat. Atë e priti vajza e tij, Sukejna dhe i tha: «O baba, a ke dijeni për xhaxhain tim, Abasin?» Hysejni filloi të qante dhe tha: «O bija ime, xhaxhai yt u vra.»
PAQJA QOFTË MBI TY JA ABA FADL !