6.1

Mendimet e dijetarëve për te drejtat e femrave

Spread the love

Mendimi i Muhamed Kutbit (1919-2014) rreth të drejtave të femrës

Egjiptiani Muhamed Kutb, vëllai i Sejid Kutbit të njohur, në librin e tij “Dilemat e Islamit” shkruan: “Në periudhën e parë, puna e gruas jashtë shtëpisë ka qenë e arsyeshme. Islami nuk i ka ndaluar gratë që të dalin nga shtëpia për t’u angazhuar në profesione të ndryshme sipas prirjeve dhe aftësive që posedonin, siç janë: edukatore, mësuese, dado, infermiere, mjeke për sëmundjet femërore, pra gjinekologe, etj. Kontributi i saj me këto profesione ka pasur edhe qëllim për të ndihmuar në sigurimin e mjeteve jetësore, sepse ka pasur edhe prej atyre femrave që kanë qenë të detyruara të fitojnë për jetesë, për arsye se kanë qenë gra të veja, apo kanë pasur burrin e sëmurë, apo burrat i kanë pasur në luftëra të ndryshme, apo për shkaqe tjera të arsyeshme. Nëse femra nuk ka qenë vetëushqyese e familjes dhe ka pasur gjendje të mirë financiare, ajo ka qenë e lirë të dal e të shëtis, të shkojë në vizitë të të afërmve, apo të punojë jashtë shtëpisë nëse ka pasur dëshirë.

Megjithatë, duhet ta kemi parasysh se feja islame i ka ndaluar femrës që të dalë nga shtëpia pa ndonjë nevojë të arsyeshme për t’i nxitur dhe provokuar gjininë e kundërt siç është bërë traditë në botën modern. Feja islame nuk e pamundëson që gratë të marrin pjesë në ngjarjet shoqërore, por vlera e saj e vërtetë vjen në dukje vetëm në shtëpi dhe familje, ku ajo do të ketë mundësi të trajtojë shumë probleme psikologjike, sociale dhe morale brenda familjes, e pastaj nëse ajo ka aftësi dhe prirje mund të shërbejë edhe jashtë familjes. Disa njerëz pretendojnë se puna e femrës jashtë shtëpisë mundëson rritjen e të ardhurave në familje, sepse shpeshherë paga e një anëtari të familjes nuk është e mjaftueshme. Kjo mund të jetë e vërtetë, por nëse të gjitha gratë punojnë jashtë shtëpisë jeta e fëmijëve do të jetë e gjymtë, që mund të rezultojë në rënie morale të familjes. Atëherë a mund të jetë kjo një justifikim nëse një familje gjymtohet, e nga na tjetër gjendja ekonomike, financiare përmirësohet me punën e gruas në shoqëri. Çfarë çmimi do të jepej kësaj pune?

Në çka kishte të drejtë Muhamed Kutbi?

Muhamed Kutbi kishte të drejtë për dy gjëra: e para është se gruaja është edukatore e njerëzimit, dhe e dyta është se feja islame në fillim kishte lejuar femrës të jetë një anëtare aktive e shoqërisë. Por, më vonë ai nuk ka të drejtë kur thotë se femra gjithmonë duhet të qëndrojë në shtëpi, në mënyrë që edukimi i fëmijëve të saj do të jetë i garantuar. Domethënë, në qoftë se një grua arrin të plotësojë detyrimet e saja personale dhe profesionale, nuk ka asnjë arsye që ajo të punësohet jashtë shtëpisë. Gjithashtu është gabim të thuhet se feja islame në periudhën e parë të predikimit, femrës i ka lejuar të dal jashtë shtëpisë, por në rrethanat e tanishme nuk është e pranueshme. Kurani është shpallur për njëzet e tri vite, me të cilin është plotësuar i tërë ligji islamik, dhe redakturat e mëvonshme në të shumtën e rasteve nuk janë të nevojshme. Në qoftë se feja islame në periudhën e parë e ka lejuar pjesëmarrjen aktive të femrës në shoqëri, nuk ka arsye që sot të mos jetë e lejuar.

Muhamed Kutbi beson dhe sugjeron se gratë nuk duhet të ekspozohen në shoqërinë e meshkujve, por nuk e kam të qartë si mundet një femër të ekspozohet dhe të jetë e dëmshme për shoqëri nëse ajo është e mbuluar me një mbulesë islame (hixhab), dhe në qoftë se shihet vetëm fytyra e saj e pambuluar, pa kozmetikë dhe duart e saja pa stoli, që bukuritë i ruan vetëm për burrin e saj? Nëse do t’i përjashtojmë gratë nga shoqëria dhe t’i mbyllim ato në kuzhinë, e kemi mbyllur më shumë se gjysmën e popullsisë botërore. Kjo natyrisht të çon në joproduktivitet, varfërim dhe stagnim të shoqërisë.

Fillimi i kësaj problematike

Pikërisht këto gjëra kanë ndodhur në ish-kalifatet e muslimanëve, që ne mund t’i fajësojmë udhëheqësit religjiozë të cilët me të padrejtë i kanë mbyllur femrat në burgjet shtëpiake, apo nëpër pallate duke i joshur ato me stoli dhe pasuri të mëdha, e duke mos i angazhuar pas emancipimit dhe prirjeve kreative.

Sjellja e talebanëve afganë të cilët nuk lejojnë gratë të vijojnë shkollimin, me të vërtetë është një krim kundër njerëzimit dhe kundër Islamit, që asnjëherë nuk ka mbështetur idenë se gratë nuk duhet të kenë qasje në shkencë, dituri dhe shoqëri, si dhe kjo është gjithashtu kundër urdhrit të Pejgamberit (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij) i cili thotë se: “Kërkimi i diturisë është i detyrueshëm për çdo musliman dhe muslimane”.

Në fakt, kjo është një shkelje e urdhrit të parë të Allahut, është fjala e parë e Kuranit e cila u shpall: “Lexo në emrin e Zotit tënd!” (Surja el-Alak, ajeti 1). Disa muslimanë besojnë që zëri i gruas është ‘avret apo numërohet si një prej organeve të turpshme të njeriut, ata e komentojnë thënien e tyre duke thënë se kështu paska thënë Pejgamberi Muhamed (paqja qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij).

Në fakt, ata gjithashtu interpretojnë se gruaja duhet të mbulojë tërë trupin përveç fytyrës dhe dy duarve, në këtë mënyrë vërehet haptas se feja islame nuk e ndalon një bisedë mes burrave dhe grave që nuk janë në marrëdhënie fisnore. Për shembull, surja kuranore el-Muxhadile (Diskutuesja), e përshkruan një grua që ishte e pakënaqur me sjelljen e burrit të saj dhe shkoi në xhami për të diskutuar me Pejgamberin (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij). Ai as nuk e ka larguar, as nuk i ka thënë se nuk guxon të flet me meshkuj por e ka këshilluar në mënyrën më njerëzore lidhur me problemin e saj. Përveç kësaj, dijetari i njohur (tashmë i ndjerë) Sejjid Muhamed Husein Fadlallah, një prej autoriteteve më të mëdha në Liban, tha se zëri i femrës nuk është vend ose pjesë private e turpshme.

Autore: Ikballe Berisha Huduti

(Redaksia e revistës “Vlera”, nr. 13, janar 2015, fq. 13-14)




There are no comments

Add yours