Pjesëmarrja e femrës në shoqëri
Pjesëmarrja e femrës në shoqëri
Kohëve të fundit flitet shumë për pozitën e femrës në Islam dhe vihet në dukje se si feja po penguaka dhe nuk po i lejuaka ato që të afirmohen si personalitete në planin privat dhe shoqëror. Përmendet mbulesa islame për të cilën kinse burrat e tyre i detyrojnë, rrethprerja (synetimi) barbare në disa fise në Afrikë, ndalimi i edukimit të grave në Afganistan e tjera. Rrëfehen shumë emigrantë muslimanë, që shkojnë për të punuar në vendet evropiane dhe si e ruajnë plotësisht identitetin e tyre kulturor dhe si i mbeten besnik fesë së tyre. Femrat e reja kur vijnë në Evropë ato nuk punojnë, dhe të moshuarve nuk i lejohet të mësojnë gjuhën e vendit ku ata jetojnë dhe në këtë mënyrë bëhen të izoluara. Ndonjëherë në rrugë mund të vërehet si shembull i keq, sjelljet e një mashkulli musliman ndaj gruas së tij, se si nuk flasin me njeri-tjetrin gjatë të ecurit, pastaj se si gratë ecin mbrapa burrave e tjera. Të huajt duke e pas në dijeni se këta persona janë muslimanë, ata mendojnë se këto ndodhi janë nga feja islame, por në realitet disa parime e qëndrime që i veprojnë muslimanët, ato nuk janë nga feja por nga tradita apo fanatizmi i tyre tradicional.
Si e trajtonin femrën arabët paraislamik?
Arabët paganë para ardhjes së fesë islame gratë i trajtonin në mënyrë shumë brutale. Foshnjën femër e varrosnin për së gjalli, gratë nuk kanë pasur të drejtë në pronësi dhe i kanë vlerësuar si një mall tregu. Në fillim të shekullit të shtatë pas Krishtit, shpallja e Kuranit i hoqi të gjitha praktikat dhe veset barbare, por për fat të keq nuk iu nënshtruan të gjithë njerëzit këtyre ligjeve kuranore. Disa ende vazhdojnë të mundojnë gjininë e brishtë dhe të dobët, kështu që këto barbarizma me një model më liberal po vazhdojnë edhe sot në këtë periudhë të shekullit XXI.
Çdo person i cili ka udhëtuar në botën islame, kanë vërejtur se në xhamitë dhe shkollat fetare, promovojnë ndarjen e femrave dhe meshkujve, pasi që kjo praktikë e ndarjes së dy gjinive, gati është e pamundshme, prandaj jepen teza të ndryshme se si feja islame parashikon që një grua e mirë dhe besnike duhet të kujdeset për reputacionin e saj, prandaj duhet të qëndrojë në shtëpi dhe kështu nuk do të jetë e nxitur të bëjë ndonjë mëkat me ndonjë mashkull tjetër. Përveç kësaj, përmendet dhe thuhet se zëri i femrës numërohet si një gjë “e turpshme” dhe këtë ia atribuojnë Muhamedit (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij). Në këto vende islame shumica e femrave muslimane që mbajnë mbulesën islame (hixhabin), janë të ndara nga jeta publike dhe e shpenzojnë jetën e tyre midis katër mureve lidhur me shporetin dhe lindjen e shumë fëmijëve. Ndërsa gratë që marrin pjesë në jetën publike dhe që nuk e mbajnë mbulesën islame, konsiderohen si gra të shthurura.
Autore: Ikballe Berisha Huduti
(Redaksia e revistës “Vlera”, nr. 13, janar 2015, fq. 12-13)