5d56b7b4199497c9c4116c87f813a9cc

Pasqyrë e sundimit të Mehdiut në versetet  Kuranore dhe Biblike

Spread the love

 

Pasqyrë e sundimit të Mehdiut në versetet  Kuranore dhe Biblike

 

Kurani Fisnik për ardhjen dhe kryengritjen e Imam Mehdiut flet – si edhe për shumë gjëra të tjera – pa u futur në detaje, në kuptim të përgjithësuar dhe duke u marrë me parimet. Pra, flitet për fitoren e plotë dhe përfundimtare të të mirëve në Tokë. Komentuesit ( myfesirët)  islam ajetet e tilla, duke u mbështetur në hadithet si argument, i ndërlidhin me hazreti Mehdiun, paraqitjen dhe kryengritjen e tij.  Këtu në mesin e ajeteve të cilat dijetarët i konsiderojnë që flasin rreth kësaj teme kemi zgjedhur tri ajete të cilat do t’i analizojmë në vazhdim: Ne e kemi shënuar në Zebur (në librat e shenjtë) pas shënimit (në Lehvi Mahfudh), se me të vërtetë tokën do ta trashëgojnë robtë e Mi të mirë. ( Surja Embija 103 )

Duke e interpretuar këtë ajet, të theksojmë që dhikri në parim do të thotë tërë atë që nënkupton përmendjen respektivisht tërheqjen e vërejtjes, ndërsa në këtë ajet kjo është përkthyer respektivisht është interpretuar si Zebur, respektivisht Libri i hazreti Musait, a.s., pra Tevratin, pasi që bëhet fjalë për Librin e shpallur para Zeburit.

Sipas disa interpretimeve, dhikri këtu do të thotë vetë Kurani, sepse në ajetet kuranore haset që Kurani të quhet kësisoj: Ai (Kur’ani) s’është tjetër pos këshillë për njerëzit! ( surja Takfir 27) .  Prandaj, shprehja min ba’d do të thoshte përveç, veç tjerash, prandaj ky ajet do të mund të përkthehej edhe si: “Ne, përveç në Kur’an, edhe në Zebur kemi shkruar që Tokën Time do ta trashëgojnë robërit e ndershëm.”

Shejh Mufidi në fillim të kapitullit për hazreti Mehdiun, Zoti e shpejtoftë ardhjen e tij, thirret në këtë ajet dhe në ajetin që do ta citojmë më vonë. Sa i përket interpretimit të këtij ajeti, transmetohet që Imam Bakiri, a.s., ka thënë: “Këta robër të ndershëm janë pikërisht shokët e Mehdiut në kohën e fundit.

Mufesiri i dalluar i Kur’anit, Tabersi duke e interpretuar këtë ajet, pas citimit të këtij transmetimi, thotë: “Hadithet të cilat i transmetojnë shi’itët dhe sunitët nga Pejgamberi i islamit, s.a.v.a, e dëshmon qëndrimin tonë:

 “Po sikur deri në fund të botës të mos mbetej më shumë se një ditë, Allahu atë ditë do ta zgjaste derisa të mos ngrihej njeriu i drejtë nga familja ime i cili do ta mbushë Botën me drejtësi ashtu siç do të jetë e mbushur me padrejtësi dhe zullum.”  Et-Takvir, 27.

Bërja me dije e Kuranit për paralajmërimin e robërve të ndershëm në Tokë në tevrat dhe Zebur tregon që kjo çështje është aq shumë e rëndësishme sa që është shpallur në të gjitha Librat qiellore me radhë.

Është interesant të vërejmë që edhe në psalmet e Davudit, të cilat sot janë pjesë e Dhiatës së vjetër (Tevratit), përmbledhjet e lutjeve të Davudit dhe drejtimet e tij Zotit, gjithashtu hasim edhe këtë temë.

Kështu në psalmin 37. lexojmë:

“Ule zemërimin, lëre tërbimin; mos u nxit të bësh keq. Sepse do të shkatërrohen ata që bëjnë keq, e të cilët presin Zotëriun që do ta trashëgoj botën.” Në psalmin e njëjtë lexojmë edhe: “Prite Zotëriun dhe mbaju rrugës së tij, dhe ai do të të vendos ta sundosh botën, do të shohësh se si do të shkatërrohen jobesimtarët.”

Ajetet kuranore për Imam Mehdiun paqja qoftë mbi të:

E Ne duam t’i lartësojmë ata që u shtypën në tokë, t’i bëjmë udhëheqës dhe t’i bëjmë trashëgues”. ( surja Kasas 5 )

Siç thamë në kapitullin për Mehdiun në burimet shi’ite, Prijësi i besimdrejtëve, a.s., e kishte recituar këtë ajet pasi që kishte paralajmëruar që njerëzit e botës do t’i drejtohen familjes së Shpalljes.[1]

Muhammed ibn Xhaferi, një nga anëtarët e familjes së Aliut, në kohën e Memunit ishte ngritur në kryengritje kundër pushtetit abasid. Ai tregon: “I isha ankuar Malik ibn Enesit në vështirësitë dhe telashet me të cilat jemi të përballuar, ndërsa ai tha: “Duro derisa të mos realizohet ajeti: E ne duam që ata të cilët…

 

“ Ayre nga mesi juaj të cilët besuan dhe bënë vepra të mira, Allahu u premtoi se do t’i bëjë zotërues në atë tokë ashtu si i pat bërë zotërues ata që ishin para tyre dhe fenë të cilën Ai e pëlqeu për ta, do ta forcojë, e në vend të frikës Ai do t’ju dhurojë siguri. Ata më adhurojnë Mua e nuk më shoqërojnë asgjë. E kush edhe pas kësaj mohon, të tillët janë ata më të prishurit. ( Surja Nur 55)

Duke e interpretuar këtë ajet, Tabersi thotë: “Nga familja e Pejgamberit transmetohet që ky ajet ishte shpallur në lidhje me Mehdiun nga familja e Muhammedit, s.a.a. Ajshja  nga hazreti Ali Ibnul-Hyseini, a.s., transmeton që e kishte dëgjuar këtë ajet, dhe kishte thënë: “Pasha Zotin, këta janë pasuesit tanë të familjes së Pejgamberit. Allahu do ta bëj këtë për ta përmes njeriut tonë dhe ai është Mehdiu i këtij ummeti. Ai është për të cilin Pejgamberi, s.a.v.a., kishte thënë: “Emri i tij është emri im; ai do ta mbush botën me drejtësi ashtu siç ajo do të jetë e mbushur me zullum dhe padrejtësi.”

Tabersi shton: “Një komentim i tillë i ajetit është transmetuar nga Imam Bakiri dhe Imam Sadiku, a.s.”

 

Dobitë nga Imami në kohën e fshehjes

Pasi që shqyrtimi ynë për Imam Mehdiun arriti deri këtu, do të ishte e dobishme të përgjigjemi në një nga pyetjet më të shpeshta për Imam  Mehdiun, ndërsa ajo thotë: Çfarë është dobia e ekzistimit të Imamit në periudhën e fshehjes? Respektivisht, jeta e Imamit në periudhën e fshehjes së madhe plotësisht është e veçantë, dhe kjo nuk është jetë të cilën zakonisht e jeton udhëheqësi shoqëror. Prandaj, çfarë dobie mund të ketë jeta e tij e shenjtë për bashkësinë në përgjithësi dhe në çfarë mënyre njerëzit mund të kenë dobi nga kjo?

Natyrisht, duhet pasur parasysh që fshehja e Imamit nuk do të thotë që ai është plotësisht i padukshëm, fizikisht i papranishëm apo ndonjë lloj lugati. Imami jeton tërësisht jetë të natyrshme dhe fizike, për dallim që jetëgjatësia e tij është e madhe. Imami është i pranishëm në shoqëri, lëvizë mes njerëzve dhe jeton në hapësira të ndryshme, por për njerëzit është i panjohur. Është dallim i madh mes shprehjes “të jesh i padukshëm” dhe “të jesh i panjohur”.

Imam Sadiku, a.s., ka thënë: “Njerëzit do ta humbin Imamin e tyre. Ai do të jetë i pranishëm në haxh, do t’i shoh njerëzit, por ata nuk do ta shohin atë.”

 

Dielli i fshehur

Në përgjigje në pyetjen e theksuar të rikujtojmë se nuk bëhet fjalë për çështje të re dhe që ajo nuk ishte paraqitur vetëm në kohën tonë. Nga transmetimet islame del që kjo pyetje ishte shtruar që nga lindja e Imam Mehdiut, a.s., dhe kur Pejgamberi i islamit dhe Imamët e mëhershëm flisnin për Mehdiun, u shtroheshin pyetje kësisoj dhe ata përgjigjeshin në to. Të marrim disa shembuj:

 

  1. Pejgamberi i islamit, si përgjigje në pyetjen se shi’itët a do të kenë dobi nga ekzistenca e Kaimit në periudhën e fshehjes, kishte thënë: “Po, pasha Atë që më ka zgjedhur për pejgamberllëk, do të kenë dobi nga ai edhe në kohën e fshehjes, dhe do të përfitojnë nga drita e velajetit të tij ashtu siç kanë dobi nga dielli atëherë kur ai gjendet pas reve.”

 

  1. Imam Sadiku, a.s., ka thënë: “Që kur Allahu krijoi Ademin, e deri në Ditën e gjykimit, toka nuk është dhe nuk do të jetë pa dëshminë (huxhet) e Tij, por që ajo dëshmi ndonjëherë është e dukshme, e ndonjëherë e fshehur, sepse po sikur të mos ishte ajo dëshmi, nuk do të adhurohej Zoti.

 

  1. Edhe vetë Imam Mehdiu, Zoti e shpejtoftë ardhjen e tij, ishte mbështetur në një qëndrim kësisoj, prandaj në porosinë të cilën përmes Muhammed ibn Osmanit, e kishte dërguar si përgjigje në këtë pyetje për Is’hak ibn Jakubin, kishte shkruar: “E sa i përket dobisë së njerëzve nga unë, ajo është e ngjashme me dobinë që njerëzit kanë nga Dielli kur ai gjendet pas reve.”

Me qëllim të shpjegimit të kësaj parabole, duhet të themi që Dielli dritën e tij e shpërndanë në dy mënyra: shkëlqen drejtpërdrejtë dhe qartë, apo tërthorazi e shpërndan dritën.

Kur dielli shkëlqen qartë, kjo për të gjithë është e dukshme dhe e ndjeshme, mirëpo ndonjëherë ai është i zënë me re dhe drita e tij depërton nëpër to. Mirëpo, ndikimi jetëkrijues i Diellit në krijesat e tij nuk realizohet vetëm atëherë kur Dielli shkëlqen drejtpërdrejtë, por shumë efekte frytdhënëse të dritës së tij në jetën e bimëve, shtazëve dhe njerëzve manifestohen pikërisht atëherë kur ai shkëlqen tërthorazi, respektivisht pas reve. Kësisoj, edhe pse nuk ka mësime të drejtpërdrejta nga udhëheqësi ynë, esenca e ekzistimit të tij është e qartë dhe e pakontestueshme. Në vazhdim do të analizojmë disa nga efektet e ekzistimit të Imam Mehdiut.

 

Punoi Redaksia VLERA ( përmbledhje dhe përshtatje nga disa tema që kanë të bëjnë me Imam Mehdiun.)

 

 

 

 

.