WhatsApp Image 2021-12-31 at 21.48.12

Lindja  e Shenjtë e  Jezusit – Isaut paqja qoftë mbi të.

Spread the love

 

Lindja  e Shenjtë e  Jezusit – Isaut paqja qoftë mbi të.

Mr.  Arber Berisha

 

Mejremja e nderuar nëna e profetit Isa a.s. vije prej brezit profetit Daudit a.s ( paqja qoftë mbi të).   Nënën ia quajnë Hannah, e të atin Imran. Sipas burimeve bibliografike, Hannas nuk i lindnin fëmijë.[1] Ajo gjithnjë u lakmonte shoqeve që përkëdhelnin fëmijët e tyre, por megjithatë, vazhdimisht shpresonte se do të vinte koha kur edhe atë do ta gëzonte Allahu.

 

Meditimi dhe shfaqja e Xhebrailit a.s.

Një ditë prej ditësh u mbyll në odë të vet si zakonisht, kur falej dhe përkushtohej Zotit me adhurim të plotë, befas hyri brenda dikush që nuk e kishte parë kurrë më parë. Iu paraqit përpara një engjëll prej qielli në formë të njeriut. Merjemja u përpoq të ikë, kërkoi mbrojtje nga Perëndia, duke menduar se ai është mëkatar i pandershëm, e ajo ishte besimtare e devotshme, e paprekur nga mëkatet. Merjemja sado që ishte e përgatitur shpirtërisht dhe fizikisht për detyrën e madhe që do të merrte përsipër, përsëri Xhebraili nuk iu shfaq asaj me pamjen e vërtetë por iu shfaq si një djalosh, dhe kur e shikoi Merjemja atë, ajo filloi të turpërohet ngaqë nuk e njihte.

 

Sihariqi për lindjen e Isait a.s.

Lajmëtari i lajmit të mirë, meleku, e qetësoi dhe pastaj filloi t’i flasë duke i thënë se vetë është i dërguari i Zotit që t’ia dhurojë asaj një fëmijë të mirë e të pastër. Në fillim ajo u hutua, nuk dinte as çka të fliste. Më vonë i kaloi ai ankth që e kishte kapluar dhe pyeti: “Çfarë fëmije do të kem unë që nuk më ka prekur burrë me dorë?!” Engjëlli i tha: “Kështu ka thënë Zoti yt, Ai është në gjendje ta bëjë dëshmi këtë gjë për njerëz dhe të jetë mëshirë nga ana e Tij dhe ajo punë është e caktuar”. Pastaj engjëlli u fsheh. Mejremja u ul. E habitur mendohej lidhur me ato fjalë që i dëgjoi. Ajo paramendonte se ç’do të thotë populli, shtatzënë dhe të lindë pa pasur burrë! Këto mendime e trishtuan. Gjithnjë dëshironte të veçohej që të mos takohej me askënd, frikësohej si ngjau kjo gjë dhe si do të pritej në popull.

Ditët dhe muajt kalonin dhe ajo gjithnjë vuante shpirtërisht. I shtohej përherë e më shumë dëshpërimi sa iu shndërrua një dëshirë që të jetonte e vetmuar. Nuk kishte vullnet jete, nuk dëshironte të hajë e të pijë, nuk i interesonte asnjë punë. Sipas Kuranit, pranuesit e shpirtit nuk janë persona të rëndomtë. Ata shquhen qartë dhe përfitojnë nga një begati e veçantë prej Zotit. Në këtë kategori individësh u spikat figura e të ndershmes ( hazreti) Merjemes.[2]

 

Merjemja largohet nga vendlindja

Më vonë doli nga dhoma dhe vetë shkoi në qytezën Nasire, e pastaj qëndroi e veçuar në një shtëpi fshatare pa kurrfarë zbukurimi. Ajo qëndroi me të vetmin qëllim që të fshihej prej njerëzve, mos të përzihej me ta që të mos e shihnin se si ishte dobësuar e molisur nga shtatzënia. Megjithatë, ajo ishte e bindur se nuk është fajtore dhe nuk kishte bërë kurrfarë mëkati lidhur me shtatzëninë, por gjithnjë parandiente se çka mendon populli: do t’ia përmendin farefisin, babën, nënën, etj. Më në fund iu nënshtrua gjykimit të Zotit dhe priste se çka do t’i sjellë fati i caktuar.

 

Vendlindja e Merjemes së nderuar

Vendlindja e profetit  Isa  a.s., në hartën e vjetër të Izraelit.[3] Për ta qetësuar veten, i ra ndër mend lajmi i engjëllit që i tha: “Do të lindësh atë që do t’u flasë njerëzve qysh në djep”. Ky është argumenti dhe ngushëllimi më i fortë për t’i larguar thashethemet e popullit. Iu afrua koha e lindjes. Kur ndjente dhembjet, doli nga fshati dhe shkoi afër një hurme të thatë. Ashtu e vetmuar, nuk kishte kush t’i ndihmojë e as t’ia lehtësojë dhembjet.
Nën qiellin e hapur lindi fëmija. E shikoi fëmijën me keqardhje dhe njëkohësisht ia dhuronte vdekjen vetes, më mirë të ishte ndarë prej kësaj bote se sa të bëhej nënë pa qenë e martuar. Në Kuran janë të cekura fjalët e saj: “Ah, të  kisha vdekur e të isha harruar para kësaj pune!”[4]

 

Mrekullia e hurmës dhe ujit

Merjemja tani nuk dinte si të vepronte. U ul e zemëruar dhe filloi të qajë. U frikësua dhe iu ndërprenë lotët. U dëgjua një zë, duke thënë: “Mos u dëshpëro se Zoti yt ka bërë të ecë uji pranë teje. Lëkunde trupin e hurmës, se do të pikin hurma të freskëta, ha e pi që të kthehet fuqia (e cila të ka humbur, sepse për nderin tënd e gjelbëroi Zoti hurmën dhe e bëri të burojë ujë në atë pjesë të thatë)”. Surja Merjem, ajeti: 23.

 

 Merjemja  e nderuar kthehet në vendlindjen e saj

Këto gjëra ishin pa dyshim mrekullitë dhe dëshmitë më të forta për pafajësinë e saj. Por, prapëseprapë ajo mendonte se si do të pritej ngjarja në fshat dhe si do të mbrohej ajo.Perëndia, për t’u mbrojtur ajo, e këshilloi me këtë lloj frymëzimi: “Kur të shohësh dikë thuaj: i kam premtuar Zotit dhe (kam vendosur) që për Zotin të agjëroj dhe kurrsesi të mos i flas sot kujt”. Pas këtij këshillimi u qetësua, u ngrit dhe u kthye në fshat.

Posa hyri në fshat shpejtuan fshatarët nga të gjitha anët që ta shihnin. I flisnin fjalë të ndryshme fyese e qortimi. Mirëpo, Mejremja vetëm heshtte. Kur ja përmendën bujarinë e familjes, paraardhësin e saj Harunin etj., ajo ua bëri me gisht: “Pyetni fëmijën!” Ata u çuditën dhe e nënçmuan duke thënë: “Si t’i flasim atij që është në djep – foshnje?” 

 

 Merjemen e nderuar e mbronë fosnja e saj Isai a.s.

Zoti i Lartësuar i dha fuqi Isait a.s. (paqja qoftë mbi të)  që të flasë qartë, kuptueshëm, por ai nuk u foli pasi zemërohej për paditë dhe mallkimet që ia bënin nënës së tij. Por, që t’i ndalte që të gjithë me fjalën e vet bindëse e ta nxjerrë Mejremen të pastër para tyre, u tha: “Unë jam rob i Zotit – Ai më ka dhënë librin (do t’ma japë), më ka bërë mua pejgamber dhe më ka botuar mua kudo që të jem, më ka porositur mua me namaz dhe zeqat sa të jem gjallë, më ka urdhëruar që unë të sillem mirë me nënën time dhe nuk më ka bërë mua të dëmshëm. Shpëtimi i Zotit qoftë mbi mua, ditën që kam lindur, ditën që do të vdes dhe ditën që do të ringjallemi.” Surja Merjem, ajeti: 30-33.

A do të kishte nevojë pas kësaj bisede për ndonjë dëshmi për mposhtjen e tyre!? Këto ishin faktet dhe mrekullitë më të forta për pastrimin e Mejremes nga paditë e izraelitëve. Ajo fuqi, e cila ia bëri të mundshme të flasë me maturi dhe mençuri në atë moshë, nuk ka pengesa të krijojë fëmijë pa baba. Ky zë i mundi ata, kjo mençuri prej fëmijës në djep, u përhap në fshat dhe çështja e tij u bë objekt bisede. Ndryshuan mendimin e keq dhe u bindën se Merjemja është e pafajshme dhe morën vesh se ky fëmijë nuk është si fëmijët e tjerë të fshatit, por do të jetë njeri i famshëm dhe gojëtar i fortë për të pafetë.

 

Mirëpo, ata që nuk qenë të pranishëm kur foli fëmija në djep, nuk e hiqnin dyshimin në Merjemen, ngase ishin të pagdhendur e shpirtzinj dhe nuk mendonin në fuqinë e Perëndisë: që vepër e tij na janë toka, qielli dhe yjet dhe se kur të dëshirojë Ai mund t’i zhdukë. Ai është i Fuqishëm që ta krijojë një njeri me një fjalë të Tij. Në Kur’an thotë: “Kur të dojë Perëndia që ta bëjë një gjë, Ai urdhëron që të bëhet dhe ajo menjëherë bëhet”. Surja Ja-Sin, ajeti: 82.

 

Merjemja, pas të gjitha dëshmive që i hedhën dyshimet rreth kësaj, nuk çau kokën më për atë grupin shpirtzi që nuk besonte. Ajo qëndroi në fshat dhe kujdesej për djalin e saj që ta edukojë brenda mundësive, sepse ajo ishte e vetëdijshme se Perëndia do ta ruajë derisa do ta kryeje detyrën e Tij.

 

Pra Isai a.s. lindi pa anën e burrit, e vetëm nga ana e nënës – gruas, Ademi a.s. lindi pa nënë e babë, Hava e nderuar u krijua vetëm nga ana e burrit të saj – Ademit a.s., me lejen e Allahut xh.sh.. Allahu xh.sh. sjell shembuj nga të cilët marrim mësim dhe sot, se Ai ka fuqi të bëjë nga asgjëja gjënë, por këto gjëra i beson vetëm ai i cili ka besim të plotë në Krijuesin e kësaj gjithësie fizike dhe metafizike. Në Kuranin Famëlartë,  Merjemja paraqitet si shembull edhe për gratë e profetit Muhamed s.a.a ( paqja qoftë mbi të dhe Familjen e tij) ku thotë: “Edhe Merjemen, të bijën e Imranit, që e ruajti nderin e vet, e ne prej anës sonë i frymëzuam një shpirt e ajo i besoi fjalët e Zotit të saj dhe librat e tij dhe ishte e devotshme.”

 

Gjenealogjia e hz. Merjemes, sipas Ungjillit të Llukës.[7]