b738e5310ee4ac34a97eabb3d5e622c5

Hadithi i parë – Anija e Shpëtimit

Spread the love

Hadithi i parë – Anija e Shpëtimit

 

Hadithi 1: Resulullah, Muhamed (s.a.a.) ka thënë:

 

“Shembulli i Ehli Bejtit në mesin tuaj është sikur shembulli i anijes së Nuhut (a.s). Çdokush që i hip anijes do të shpëtojë dhe çdokush që e kundërshton do të fundoset e shkatërrohet!”

Pse e ka krahasuar i Dërguari (s.a.a.) Ehli Bejtin e tij me anijen e Nuhut (a.s)? A është paraqitur përmbysja e Nuhut (a.s) mbas ndërrimit jetë të të Dërguarit (s.a.v.)? Përgjigja në këtë pyetje është fare e thjeshtë. Prej shumë haditheve sahih ne kuptojmë se i Dërguari  ka ditur se mbas tij ymmeti do të bie në mosmarrëveshje dhe kundërshtime. Këto mosmarrëveshje u janë përngjarë përmbysjes. Si rezultat i mospajtimeve të brendshme të ymmetit ka pasuar derdhja të gjaqeve të mijëra myslimanëve të pafajshëm. Kur t’i lexojmë librat e historisë, nuk mund t’i pranojmë si bekime (nimet) luftërat në mes myslimanëve.

 

I Dërguari (s.a.a.) na ka bërë të ditur se do të vijnë fatkeqësitë mbas tij dhe na ka treguar rrugën e shpëtimit. Edhe Nuhu (a.s) ia ka bërë me dije popullit të tij se do të vijë përmbysja por edhe vetë djali i tij nuk i besoi atij. Madje, edhe gruaja e Nuhut (a.s) nuk i kishte besuar. Në fund, të gjithë jobesimtarët, pa dallim dhe pa përjashtim, u fundosën. A mund të themi të njëjtën edhe për ymmetin tonë? A mund të themi se ymmeti i është përmbajtur testamentit të të Dërguarit (s.a.v.) kur na ka bërë me dije se Ehli Bejti është anija e shpëtimit? Kur e lexojmë historinë, vërejmë se ymmeti është sjellë në mënyrë të vrazhdë dhe tradhtare kundrejt Ehli Bejtit mbas të Dërguarit (s.a.a.). Se sa ia kanë dhënë rëndësi sahabet e shquar zotërisë së Ehli Bejtit, Hz Aliut, mund të shihet qartë. Ata janë dhënë mbas nefsit të tyre dhe dashuria ndaj kalifatit triumfoi mbi ta. Ata e kishin kryer këtë punë në mes veti pa i lajmëruar apo kërkuar leje nga Ehli Bejti. Ndërsa, testamenti i të Dërguarit (s.a.v.) ishte i qartë dhe i kuptueshëm për të gjithë. Rruga e vetme e shpëtimit mbas tij është Ehli Bejti. Sikur të kishte pasur ndonjë rrugë tjetër, a do të kishin shpëtuar edhe ata që nuk kishin hipur në anijen e Nuhut (a.s)?

 

Çka do të thotë hipja në anijen e Ehli Bejtit? Kjo do të thotë nënshtrimi ndaj urdhrave dhe ndalesave të tyre; duke qenë ata prezent, mos me dalë përpara tyre dhe duke i pasur ata afër, mos me kërku këshilla prej të tjerëve. Thjesht, braktisja e tyre do të thotë braktisja e të Dërguarit (s.a.a.) dhe nënshtrimi ndaj urdhrit të tjetrit.

 

Kur ta shikojmë gjendjen e ymmetit mbas të Dërguarit (s.a.v.) do të vërejmë se më së shumti i përngjan përmbysjes. Urrejtja dhe armiqësia që ishte fshehur nëpër gjokse përnjëherë shpërtheu jashtë dhe kishte shkuar aq larg sa që gjendja kishte mbërritur deri aty që të digjet shtëpia e Ehli Bejtit nëse nuk ia japin betimin Ebu Bekrit. Kjo është një e vërtetë që sikur të kishte mbetur besnik ymmeti testamentit të të Dërguarit (s.a.v.), nuk do të kishte mbetur vend për mospajtime. Nëse shkojmë më larg se ky përfundim logjik atëherë nuk mund të paramendojmë se i Dërguari (s.a.v.) e ka lënë krye në vete ymmetin. Pra, çdo mysliman që ka iman duhet që të mbahet për anijen e Ehli Bejtit. Në të kundërtën, ymmeti do të fundoset edhe më shumë në mospajtime e kundërshtime.

Hadithin e nderuar e përcjellin këta dijetar:

Hejsemi në librin “Mexhma’uz-Zevaid”

Tabarani në librin “Mu’xhem”

Hakim en-Nishaburi në librin “Mustedrik”

Ibn-i Haxher el-Hejtemi në librin “Savaik’ul-Muhrika”

Ibn Asakir në librin “Tarih Medinetu-Damask”

Sujuti në librin “Xhami’us-Sagir”

Ebi Nu’ajm el-Isfahani në librin “Hiljet’ul-Evlija”

Muttaki el-Hindi në librin “Kenz’ul-Ummal”

Hatib el-Bagdadi në librin “Tarih Bagdad”

Muhib et-Tabari në librin “Zahair’ul-Ukba”

Munavi në librin “Kunuz el-Hakaik”

Darakutni në librin “Efrad”

dhe në shumë libra tjera.

Në lidhje me hadithin e lartpërmendur, i Dërguari (s.a.a.) ka thënë: “Në mesin tuaj, Ehli Bejti im është sikur dera e shpëtimit. Çdokush që hyn përmes asaj dere është besimtar, dhe kush del prej saj, është jobesimtar”.

 

Në këtë hadith është bërë e qartë domosdoja e lidhjes me Ehli Bejtin. Lidhja e përgjithshme e ymmetit me Ehli Bejtin është prej çështjeve të fesë dhe të imanit. Kjo nuk është një çështje e zgjedhjes së lirë së njeriut. Çdokush që ka iman këtë duhet ta qartësojë përmes lidhshmërisë së imanit të tij me ata. Si mund të flasim për lidhshmërinë e një myslimani për ata kur nuk e njeh identitetin e tyre? Dhe, çka është më e keqja, mjerë për ata që ende mundohen të na bindin se i duan dhe se janë të lidhur për Ehli Bejtin por që kanë mbetur si shikues gjatë vrasjes mizore të tyre! Si mundet njeriu që ta lë të dashurin e tij që të vritet? Sigurisht që do të vijë dita kur do të japin llogari ata që ende mundohen t’i mbulojnë lojërat që u janë luajtur Ehli Bejtit. Askush të mos dyshojë për atë se nuk do t’i arrijë ata dënimi i ashpër i Allahut.

 

Përkthyer nga gjuha turke, Titulli i librit:  EHLI BEJTI NË KURAN
Autori:   Enis Emir