4.1

SHFAQJA E DASHURISË GJATË EDUKIMIT TË FËMIJËVE

Spread the love

Autor: Prof. Dr. Ekber EJDI

Njeriu është i etur për dashuri. Dashuria ngjall çdo zemër. Çdokush e do veten dhe dëshiron të jetë i dashur dhe për të tjerët. Ai që e kupton se nuk është i dashur për të tjerët ndihet i vetmuar, për këtë arsye gjithnjë është i pikëlluar dhe i hidhëruar. Fëmija është një njeri i vogël dhe për këtë ka më shumë nevojë për dashuri se sa të rriturit. Ashtu siç ka nevojë për ushqim, ka nevojë dhe për dashuri dhe përkëdhelje. Me anë të dashurisë mund ta edukojmë fëmijën në mënyrën më të mirë dhe prej tij të formojmë një njeri të denjë.

Fëmija i cili është rritur në një ambient familjar plot dashuri mund t’i përballojë më lehtë problemet. Fëmija i cili sheh tek prindërit e vet dashuri, gjatë adoleshencës së tij ndihet i mbrojtur, kurse fëmija i cili nuk është rritur me dashurinë e prindërve, është e mundur që në moshën e adoleshencës të anojë nga punët e këqija dhe përdorimi i drogës. Fëmija i cili është rritur në ambient të ftohtë dhe nga ana e prindërve nuk ka pasur dashuri, ndihet i lënë anash dhe i nënçmuar. Ai është i përgatitur për çdo lloj devijimi dhe shtrembërimi.

Zemërimi, inatosja, dhuna, dëshpërimi, ikja nga shtëpia, vetëvrasjet – të gjitha këto i kanë nga rrënjët te mungesa e dashurisë. Një vajzë në letrën e saj shkruan: “Unë meqenëse nuk e kisha dashurinë e prindërve, tani jam një individ me frikë, nervoze, xheloze dhe e dështuar. Gjithnjë ikja nga shkolla dhe tani e kam ndërprerë tërësisht atë

Është e nevojshme që t’i këshillojmë të gjithë prindërit që në asnjë mënyrë të mos i dëbojnë fëmijët nga gjiri familjar. Allahu Lavdiplotë Pejgamberit Musa (paqja qoftë mbi të) i kishte thënë: “Vepra më e mirë është dashuri ndaj fëmijëve”.

I Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij) ka thënë: “Duhet t’i dashuroni fëmijët tuaj dhe t’i ledhatoni shumë ata; për arsye se për çdo përkëdhelje që u bëni atyre, grada dhe pozita juaj në xhenet do të lartësohet shumë”.

Një burrë, Pejgamberit të Allahut (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij) i kishte thënë: “Deri më tani nuk kam përdhelur asnjë fëmijë”. Kur burri u largua, i Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij) tha: “Sipas meje, ai është prej banorëve të xhehenemit”.

I Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij) gjithashtu ka thënë: “Ai i cili nuk shpreh dashuri ndaj fëmijëve nuk është mysliman”.

Imam Aliu (paqja qoftë mbi të) në testamentin e vet ka porositur: “Tregohuni dashuri ndaj fëmijëve dhe respektoni të moshuarit”.

Dashuria ndaj fëmijës është instinkt natyror. Të pakët janë ata prindër që nuk e duan fëmijën e tyre me zemër por kjo nuk mjafton. Fëmija ka nevojë që ta ndiejë dashurinë e prindërve me anë të ledhatimit, përkëdheljes, përqafimit dhe fjalëve plot dashuri. Ndonjëherë fëmija madje dëshiron të luaj me prindërit. Një pjesë e prindërve e shfaqin dashurinë e tyre vetëm deri në kohën kur ai është fëmijë, ndërsa me rritjen e tij tregojnë më pak dashuri ndaj tij dhe pohojnë: Tani është rritur dhe nëse veprojmë në këtë mënyrë do ta llastojmë. Ata mendojnë se njeriu i rritur s’ka nevojë për dashuri dhe përkëdhelje, ndërsa duhet pasur parasysh që një mendim i tillë është plotësisht i gabuar. Fëmija gjatë gjithë jetës i gëzohet dashurisë së prindërve. I Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij) ka thënë: “Shfaqeni dashurinë që e ndjeni për një person të preferuar”.

(Revista “Vlera”, nr. 7, nëntor 2011, fq. 41)




There are no comments

Add yours