Sjellja e individit kundrejt shoqërisë në tërësi
Sjellja e individit kundrejt shoqërisë në tërësi, pavarësisht fesë, shkollës së mendimit ose racës së pjesëtarëve të saj
Në këtë pjesë do të përqendrohemi tek këshillat e Imamit në lidhje me pyetjen se si duhet të sillet besimtari me shoqërinë në përgjithësi dhe si t’i trajtojë pjesëtarët e saj, pa bërë diskriminime mes tyre. Ky aspekt është tejet i rëndësishëm për të siguruar një jetesë të sigurt shoqërore. Është tejet e qartë se në këtë drejtim, Imam Xhevadi (paqja qoftë mbi të) vetëm sa e ndiqte të njejtën mënyrë veprimi si paraardhësit e tij të dëlirë, të cilët gjithnjë e konsideronin mirëqenien e të gjithë njerëzimit. Prandaj edhe të krishterët dhe çifutët mundën të jetonin në qytetin e Profetit (paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij), ndonëse nuk e besonin porosinë e tij. Ata jetuan në paqe, duke i gëzuar të drejtat e tyre dhe duke i kryer detyrimet kundrejt shoqërisë, pavarësisht bindjeve, racës së tyre ose fesë që ndiqnin. Edhe këto fjalë të Imamit janë përqendruar tek aspektet e ndryshme të jetës civile dhe i kanë përmendur rregullat e kësaj jetese.
Në vijim do t’i përmendim disa nga këto:
Hadithi i parë
Imam Xhevadi (paqja qoftë mbi të) ka thënë: Ai që është dëshmitar i një ngjarjeje, me të cilën nuk pajtohet, konsiderohet si të mos ketë qenë i pranishëm, ndërsa ai që pajtohet me një ngjarje që ndodh larg tij, është sikur të jetë i pranishëm në atë ndodhi.
Në këtë thënie të çmueshme mund të vërejme se Imami ka theksuar një çështje shumë të rëndësishme në shoqëri, gjegjësisht faktin se pjesëmarrja ose mospjesëmarrja në një mendim, besim ose vepër arrihet fillimisht dhe para se të gjithash, nëpërmjet pajtimit ose mospajtimit me të, pavarësisht afërsisë ose largësisë fizike. Me fjalë të tjera, njeriu është përgjegjës për çdo gjë, për të cilën shpreh pajtim ose mospajtim, edhe sikur të mos i takojë asaj rryme të caktuar ideologjike ose të mos jetë i pranishëm.
Kjo thënie nuk është tjetër veçse kuptimi i thënies së famshme të Profetit (paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij), ku ai shprehet si vijon: Ai që e pëlqen një grup njerëzish, konsiderohet një prej tyre dhe ai që i miraton veprimet e një grupi të caktuar, do të quhet se ka marrë pjesë në to. Duke u mbështetur në këtë thënie të Imamit, duhet të theksojmë edhe njëherë se njeriu duhet të jetë tejet i kujdesshëm kur merr vendime për ta miratuar ose jo një veprim, sepse miratimi ose kundërshtimi i këtij veprimi do të çojë drejt pasojave të ndërlidhura me të.
Hadithi i dytë
Imam Xhevadi ka thënë: Ta zbulosh një gjë para se të jetë pjekur, do të thotë ta shkatërrosh atë.
Këtu Imam Xhevadi (paqja qoftë mbi të) vendos një rregull shumë të rëndësishëm për secilin person që dëshiron t’i përmbushë nevojat e tija. Ai këshillon që një punë të mbahet e fshehtë dhe të mos zbulohet derisa ende nuk ka përfunduar si duhet, sepse ekzistojnë gjithnjë shumë kundërshtarë ose njerëz xhelozë, që do të mund ta pengonin atë. Andaj, njeriu duhet ta mbajë të fshehur qëllimin e tij dhe të mos e zbulojë një punë para se ajo të piqet plotësisht.
Hadithi i tretë
Imam Xhevadi (paqja qoftë mbi të) ka thënë: Kur dikush shpreson të përfitojë nga një njeri i pamoralshëm, dënimi më i vogël i tij do të jetë mospërmbushja e kësaj shprese.
Në këtë thënie, Imami shpjegon se një njeri i pamoralshëm është i padobishëm për të tjerët, pikërisht për shkak të mungesës së çdo vlere morale dhe fetare. Gjithkush që mbështetet tek një njeri i tillë, vetëm sa rrezikon ta dëmtojë vetveten, sepse një njeri i pamoralshëm është i papërgjegjshëm dhe nuk ka as nder e as vetëdije, njësoj siç nuk ka droje nga Zoti. Prej një njeriu të tillë nuk mund të priten tjetër veçse të liga.
Hadithi i katërt
Imam Xhevadi (paqja qoftë mbi të) ka thënë: Të veprosh pa u mbështetur në dituri, do të thotë të shkatërrosh më shumë nga ç’ndërton.
Imam këtu sjell një princip shumë të rëndësishëm gjatë zgjedhjes së njeriut të duhur për një punë të caktuar. Ai tregon se njeriu që vepron pa përvojë dhe pa dituri, domosdo do të jetë i papërpiktë në punën që bën. S’do mend se puna e tij do të jetë përplot gabime dhe me pasoja negative. Më në fund, gabimet do të dominojnë dhe puna do të jetë e padobishme.
Sikur ky princip të aplikohej si duhet, të gjitha shoqëritë islame do të përfitonin prej kësaj dhe nuk do t’i poshtërsonin njerëzit e denjë, që meritojnë të vendosen në pozitat përgjegjëse në shoqëri. S’ka dyshim se një gjë e tillë do të mundësonte zhvillim në planin shkencor, ekonomik, shëndetësor dhe administrativ. Përveç kësaj, ky do të ishte edhe një motivim i mirë për çdo njeri që është duke e zhvilluar veten në një lëmi të caktuar. Fatkeqësisht, kjo është një mangësi e madhe e shoqërive tona sot, ndërkohë që shohim se si shoqëritë perëndimore, duke e praktikuar pikërisht këtë princip, kanë hapëruar drejt zhvillimit të qytetërimit të tyre.
Hadithi i pestë
Imam Xhevadi (paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Ai që është besnik ndaj tradhtarëve, është vetë një tradhtar.”
Një nga faktorët kryesorë të shkatërrimit të shoqërive janë pikërisht tradhtarët dhe oportunistët. Të tillët ose u shërbejnë vetëm interesave të veta dhe i shkelin të drejtat e të tjerëve në këtë proces, ose veprojnë si agjentë për një armik që thurr dredhira për shkatërrimin moral, dituror dhe kulturor të shoqërisë. Nëpërmjet veprimeve të fshehta, ky grup luan një rol shumë serioz në shoqëri, si pasojë e të cilës, shoqëria shkatërrohet dalngadalë dhe pa vënë re. Është me rëndësi që njerëzit e tillë të dallohen dhe të tjerët të vetëdijesohen në lidhje me tradhtinë e tyre dhe me metodat që përdorin në shkatërrimin e prapavijës diturore dhe kulturore të shoqërisë.
Në këtë thënie të tij, Imam Xhevadi (paqja qoftë mbi të) e paralajmëron shoqërinë muslimane kundër këtij rreziku dhe heshtjen ndaj tradhtarëve të tillë e konsideron një tradhti të hapur. Çdo njeri që i ndihmon dhe i përkrah aktivitetet e të tillëve, është tradhtar dhe do të dënohet si në këtë botë ashtu edhe në tjetrën.
Sikur ky mësim të praktikohej në shoqëritë tona, për tradhtarët e tillë nuk do të mbetej fare hapësirë dhe si pasojë e mungesës së përkrahjes për ta, ndikimi i tyre do të dobësohej. Në të vërtetë, është me rëndësi që të zbulohen komplotet e tyre, që njerëzit të mund të jenë të kujdesshëm karshi tyre dhe t’i ndjekin nga afër. Një qëndrim i tillë do të kishte patur një ndikim të menjëhershëm dhe do të krijonte një faktor pengues për gjithkënd që ka qëllime t’i tradhtojë të tjerët. Si rezultat përfundimtar, kjo gjë do të jepte një kontribut të rëndësishëm në krijimin e një shoqërie ideale njerëzore.
* * *
Këto ishin disa nga fjalët e ndritura të Imam Xhevadit (paqja qoftë mbi të), i cili njësoj si etërit e tij të dëlirë, dha përpjekje për të krijuar një shoqëri të mbështetur në besim, drejtësi, paqe dhe dashuri. Ai dëshironte që të gjithë besimtarët, si vëllezër të njëri-tjetrit, të merrnin përsipër një rol të qenësishëm dhe pozitiv në drejtim të të mirës dhe reformimit të shoqërisë, duke mos iu shmangur përgjegjësisë individuale.
Si muslimanë, ne nuk guxojmë t’i harrojmë fjalët e Mësuesit tonë të Madh, Muhammedit (paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij), i cili thotë: Në butësinë, dhembshurinë dhe përkrahjen ndaj njëri-tjetrit, besimtarët janë si një trup i vetëm. Kur një pjesë e trupit vuan, i gjithë trupi reagon ndaj kësaj vuajtjeje me një kujdes e përkushtim të rritur.
Ky Imam i madh dëshironte që çdo besimtar të kishte një rol aktiv, i cili do të shkonte shumë përtej adhurimit, asketizmit dhe izolimit. Një besimtar mund të luajë një rol të tillë në shoqëri, që do të ishte më i rëndësishëm edhe se aktet e adhurimit. Imami thotë: T’i drejtohesh Zotit me një zemër të sinqertë ka më shumë vlerë se aktet e vështira të adhurimit.
I lutemi Zotit që të na bëjë nga ata që i ndjekin fjalët e Imamëve, u binden atyre dhe që e kërkojnë gjithkund dritën e tyre! Amin!
Lëvdatat janë për Allahun, Zotin e botëve!