Respektimi i thjeshtë i Islamit nuk të shpie në fitore
Respektimi i thjeshtë i Islamit nuk të shpie në fitore
Në disa prej ajeteve të tij, Kur’ani i Shenjtë jep lajmin e mirë të fitores dhe të forcës superiore të myslimanëve, ndërsa u kujton atyre se këto përparësi nuk do të vinin lehtësisht. Lajmet e mira dhe të shenjta do të ktheheshin në realitet vetëm kur njerëzit do të vepronin me vetëdije në përputhje me detyrat e veta. Besimi i sinqertë është i frytshëm kur bashkohet me karakterin. Prandaj, shpresat për të arritur suksesin e atyre që e ndajnë besimin nga veprat, nuk do të përmbushen kurrë. Është veprimi dhe përpjekja, që e shpëtojnë njeriun nga humbja dhe nga dështimi.
“O besimtarë, nëse e ndihmoni Allahun, edhe ai do t’ju ndihmojë dhe do t’ju bëjë të qëndroni fort në këmbët tuaja.” (47:7)
Gjatë Betejës së Uhudit, myslimanët duhej të përballeshin me një pengesë katastrofike për moszbatim të urdhrave të profetit, duke lënë pozicionet e tyre për hir të grumbullimit të plaçkës së luftës. Si rezultat i këtij frenimi të papritur, morali i tyre u lëkund, pasi ata imagjinonin se për ta ishte e mjaftueshme të ishin myslimanë që të kapërcenin të gjitha elementët armiqësorë dhe nuk do të përballnin kurrë disfatë dhe dështim. “Përse duhet të mposhtemi dhe të detyrohemi të vuajmë në duart e armiqve të Allahut. Përse duhet që plaçka jonë të grabitet prej tyre?”, mendonin ata. Mendime të tilla i demoralizonin jashtëzakonisht. Në mënyrë që t’i sqaronte, t’i ngushëllonte dhe t’i bënte të braktisnin nocionet e tyre jorealiste, Allahu u tregoi rrugën se si të kapërcenin vështirësitë e tyre:
“Ju, me siguri, do të sprovoheni në pasurinë e në jetën tuaj dhe do të dëgjoni shumë fyerje nga popujt që iu është dhe Libri para jush, si dhe nga paganët. Por, nëse ju duroni dhe ruheni (nga të këqijat), atëherë kjo është vërtet përcaktuese e çështjeve.” (3:186)
Në këtë ajet, vështirësitë dhe humbja e jetës, si edhe e pasurisë është konsideruar si një nga aspektet e testimit hyjnor. Njeriu i besimit, si të gjithë njerëzit e tjerë, përballen me ngjarje të padëshirueshme gjatë jetës. Në këtë mënyrë Zoti i teston të gjithë robërit e Tij. Megjithatë, njerëzit e besimit kanë një qëndresë të tillë përballë fatkeqësive, saqë frika e tyre dhe humbja e moralit ndryshohen në qëndrueshmëri dhe në siguri. Besimi i bën ata të kapërcejnë frikën dhe dëshpërimin, duke i bërë të mësohen me sakrificën dhe qëndresën dhe kështu të pastrojnë zemrën, shpirtin dhe ndjenjat e tyre.
Rusoi thotë:
“A mendoni se njeriu mund të gjejë lumturinë e vërtetë, përveçse në gjendjen e tij të natyrshme dhe kur përpiqeni të kurseni për të gjitha vuajtjet, a nuk jeni duke e nxjerrë atë nga gjendja e tij e natyrshme? Në të vërtetë, unë pohoj ose mbroj idenë se për të gëzuar lumturinë e madhe, ai duhet të përjetojë të këqija – sëmundje të lehta, e tillë është natyra e tij. Shumë begati trupore e fizike e korruptojnë moralin. Një njeri që nuk njeh vuajtjet, është i paaftë të tregojë ëmbëlsi dhe brishtësi për bashkëqytetarët e tij dhe ndaj xhahilëve të gëzimit dhe të mëshirës; ai do të ishte zemërgur dhe i pashpirt, i pashoqërueshëm, tamam një përbindësh mes njerëzve.
Ata (prishin fëmijët) janë mësuar të gjejnë gjithçka për t’u hapur rrugën atyre; çfarë befasie e dhimbshme të hysh në shoqëri dhe të përballesh me kundërshti ngado që të kthesh sytë, të shtypesh nën peshën e universit, të cilin ata prisnin ta fitonin sipas dëshirës. Përvojat e mprehta u mësojnë atyre se nuk kanë realizuar as pozitën, as forcën e tyre. Përderisa nuk mund të bëjnë gjithçka, ata mendojnë se nuk bëjnë dot asgjë. Ata janë tmerruar nga pengesa të papritura, janë degraduar nga përbuzja e njerëzve; ata bëhen të pandershëm, frikacakë dhe mashtrues dhe bien shumë poshtë nivelit të tyre të vërtetë, aq sa më parë ishin të lartësuar mbi të.”[1]
Durim nuk do të thotë të presësh që fati të të zgjidhë problemet apo të dorëzohesh përpara tiranisë së vështirësive. Njeriu duhet të jetë i kujdesshëm ta vërejë këtë çështje, kështu që në mënyrë të drejtë do të kuptojë rolin e paracaktimit hyjnor në progres dhe në prosperitet ose në rënie apo fatkeqësi. Ligji hyjnor që lidhet me fitoren është ai që duhet të arrihet me përpjekje dhe me vendosmëri. Kjo është detyra e padyshimtë dhe e sigurt e lidhur me besimin. Allahu shpall lajmin e mirë të fitores, që vjen si rezultat i respektimit dhe i zbatimit të tij në këto fjalë:
“O besimtarë! Bëhuni të durueshëm dhe nxiteni njëri-tjetrin të jeni të tillë; bëhuni të vendosur dhe vigjilentë (në vepra të mira dhe në ruajtjen e kufijve) dhe kini frikë Allahun, që të shpëtoni!” (3:200)
Në këtë ajet, njerëzit kujtohen që duhet të jenë të duruar dhe të vendosur përballë padrejtësive, shtypjes, diktaturës dhe shmangieve dhe drejtimit të keq nga të tjerët dhe të përpiqen së bashku për të kapërcyer problemet e shoqërisë. Ata duhet të mbajnë sytë hapur mbi armiqtë e rrezikshëm dhe të ndalojnë infiltrimin e të huajve me vendosmëri dhe me durim. Është detyrë e njerëzve besimtarë të përballen me agresorët e fuqishëm, të luftojnë armikun dhe të shmangin çdo lloj turpi dhe poshtërimi. Ata kanë si detyrë para Zotit, që të vërejnë devocionin dhe frikën ndaj tij në të gjitha aktivitetet e tyre, kështu që përpjekjet e tyre do të realizohen. Kjo ndodh sepse vetëm nën hijen e besimit të thellë dhe të devocionit një njeri do të zbatojë urdhrat e shenjtë, në mënyrën më të mirë të mundshme, pa harruar asnjëherë detyrat e veta në ndonjë rrethanë të çfarëdollojshme. Presionet e jashtme ndonjëherë mund ta detyrojnë njeriun të shmanget në të majtë apo në të djathtë, por besimi i thellë dhe sinqeriteti i qëllimit prodhojnë një harmoni të ekuilibruar dhe të dëshiruar në shpirtin e tij.
Një studiues europian shkruan:
“Tragjeditë dhe incidentet e pakëndshme përbëjnë një terren trajnimi për devotshmërinë dhe vlerat morale. Vështirësitë sjellin mençurinë dhe vetëdijen në mendje dhe drejtojnë sensin e gjykimit të njeriut. Ato gjithashtu përmbajnë njeriun nga hedonizmi, imoraliteti dhe mëkati. Allahu, i cili udhëheq botën e qenieve njerëzore me mençurinë dhe mëshirën e tij të përkryer ka dërguar vuajtjet dhe vështirësitë në këtë botë, duke ia adresuar veçanërisht njerëzve të zgjuar dhe të mirë, kështu ata mund të mësojnë për të arritur qetësinë dhe prosperitetin e mbarësinë e vërtetë, si edhe t’u bëhet zakon durimi e qëndrueshmëria dhe përballja me vështirësitë, në mënyrë që të afrohen pranë portave të lavdisë dhe krenarisë.
Askush nuk është me më pak fat sesa ai që kurrë nuk ka përballuar fatkeqësi dhe vështirësi në jetë. Karakteri i vërtetë i një personi të tillë, i cili nuk është provuar në raste fatkeqësish, mbetet i panjohur. Vlerat dhe meritat që janë të lindura së bashku me njeriun dhe që janë bërë pjesë e natyrës së tij nuk kanë vlerë apo dobi përpara Zotit. Allahu e shpërblen njeriun vetëm për meritat e vlerat që fitohen nëpërmjet përpjekjeve dhe mundimeve dhe manifestohen me veprime.”[2]
Marrë nga libri “ Etika dhe Zhvillimi Shpirtëror “
[1] Russo, Emile, përkthim pers, f. 547.
[2] Samuel Smiles, Akhlāq-e Samuel, vëll. 2, f. 209.