b52b4eed0b038c45e07bcd1483c95216

Struktura ndërtuese e poezisë “Libri i fyellit” – nga Mevlana

Spread the love

Struktura ndërtuese e poezisë “Libri i fyellit” – nga Mevlana

 

Versikacioni ose vargëzimi i poezisë së lartcekur ka disa kritere që na mundësojnë analizën e duhur dhe konceptuese të poezisë.

 

  • Poezia është e rangut klasik oriental, andaj sistemi kuantitativ është mjaft i pasur sepse ne këtu kemi paraqitur për analizë vetëm 18 rreshta apo vargje, ndërkaq gjithsej janë 25.000 mijë sish.
  • Pasi që poezia është realitet e përkthyer dhe e përshtatur nga poeti i madh Naim Frashëri, ajo gjatë përkthimit nuk ka mundur të ruaj origjinalitetin e saj sa i përket rimës, edhe pse ritmi është i nevojshëm që vjersha të mbahet mend shpejt, ndërsa çka është më kryesore ja vlen të cekim se Naim Frashëri gjatë përkthimit shumë iu ka përshtatur brumit esencial dhe domethënies konkrete duke përdorur disa fjalë të gjuhës perse të cilat janë të njëjta me fjalët e gjuhës shqipe si për shembull citojmë:

 

“ I ra fyellit zjarri i dashurisë,

Dhe nga dehja ky zjarr i tëri u harlis.”

 

-Pra fjala harlisë që ka domethënien hutim përdoret në të dy dialektet, gegërishte dhe toskërishte.

 

  • Tek vargjet e “Librit të fyellit” vërehet muzikaliteti, përmbajtja shumë domethënëse dhe trajtë të bukur zgjedhuese.
  • Sa i përket përbërjes së vargut, ka kambësh të njëllojta, andaj dhe ka lëvizje ritmike të një trajtëshme.
  • Kjo poezi numërohet si poezi klasike, pra nuk është varg i lirë, andaj secili varg e ka kambën e vet, që ne do të i cekim më poshtë. Kur poezia ka rimën e duhur, atëherë ajo përcillet me një instrument muzikor. Në fusnotat e kësaj poezie ceket se poeti Xhelaludin Rumi këto poezi i ka diktuar në atë mënyrë që fjalët e tij që buronin nga shpirti shoqëroheshin me zërin tingujve të lehtë të fyellit apo najit. Nga kjo kuptojmë se për të arritur deri të motivi krijues i ndonjë poezie është dashur të shoqërohej një muzikë e lehtë e cila në njëfarë mënyre e ka shkëputur fjalën nga brendia e shpirtit të poetit, andaj poezitë e Mevlanës janë vepra të përkryera që kanë një organizim të qëndrueshëm, përmbajtje të shquar, ndjesi të hollësishme, fuqi të madhe vepruese dhe rëndësi shoqërore jo vetëm për kohën e tij, por për të gjitha kohërat dhe deri sa të ekzistojë koha.

 

Për fund do të thosha se poezitë e Mevlanës janë krijuar vetëm njëherë, ajo njëherësh ka qenë momenti i vetëm kur nxënësi i tij Husamedini ka shkruar çdo njërën fjalë të dëgjuar, gjersa Mevlana është sjell me fustanin e tij të bardhë si pelerinë dhe duke frymëzuar nga Zoti i Madhërishëm ka diktuar fjalët që janë përshkruar në 25.000 distikët apo dyreshat e njohur në të gjitha letërsitë e mëdha botërore.

Kur i lexojmë poezitë e Mevlanës, apo Rumiut, ato të pushtojnë, të kënaqin, të gëzojnë, të pikëllojnë të mallëngjejnë dhe të fisnikërojnë. Poezia e fyellit nuk plaket kurrë, sa herë të lexosh do të ripërtërihesh me fjalët mjaftë domethënëse, të cilat në njëfarë mënyre të hipnotizojnë duke të zhytur në brendi të çdonjërës shkronjë që në vete mbanë estetikën e fjalës dhe krijimtarisë morale, etike dhe letrare…

 

E punoi Msc.   Ikballe Berisha Huduti