1.55

SURJA FATIHA – ELHAMI

Spread the love

Sipas transmetimeve të haditheve nga Shejh Tabarsi, jepen dhjetë emra për suren e parë të Kuranit Fisnik, Fatihanë:

1) El-Fatiha, ajo që hap, sepse është si portë, që kur hapet, çon tek Libri i Allahut;

2) El-Hamd, lavdërimi, sepse vargjet e saj e lavdërojnë qartë Fuqiplotin;

3) Ummul-Kitab, nëna e Librit, sepse pozita e saj është e epërme ndaj të gjitha sureve të Kuranit të Shenjtë, ose si bajraku në luftë: qëndron gjithmonë në ballë;

4) Es-Seb’, shtatështja, sepse përbëhet nga shtatë ajete duke qenë e vetmja me një numër të tillë vargjesh;

5) El-Methani, surja e shumëpërsëritur, sepse asnjë sure tjetër nuk përsëritet sa kjo në Kuran;

6) El-Kafije, mjaftuesja që nuk ka zëvendësuese, recitimi i saj thjesht nuk mund të zëvendësohet me asnjë tjetër në dy rekatet e para të namazit, ndërkohë që ajo mund të zëvendësojë të tjerat;

8) El-Esas, themeli, apo mbështetësja, çka nënkupton se ajo është baza ku mbështetet Kurani Fisnik, po ashtu siç është Bismil-lahi baza e Fatihasë;

9) Esh-Shifa’, shërimi, sepse i Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij) ka thënë se Fatihaja shëron nga të gjitha lëngatat, përveç vdekjes;

10) Es-Salat, lutja, ose kërkesa bazë e namazeve ditore, pa këndimin e të cilës nuk mund të pranohet asnjë lutje, sidomos pasi i Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij) ka treguar se në një hadith kudsi, Allahu i Madhëruar ka thënë:

I Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij) ka thënë: Ai që reciton suren el-Fatiha do të konsiderohet nga Allahu si të kishte recituar dy të tretat e Kuranit të Shenjtë dhe si t’i kishte dhënë sadaka çdo besimtari dhe besimtareje. Për Atë në dorën e të Cilit është shpirti im, Allahu Fuqiplotë nuk ka shpallur në Teurat, në Inxhil apo Zebur asnjë kaptinë si ajo, ajo është Nëna e Librit (Ummul-Kitab) dhe Shtatëshja e Shumëpërsëritur (es-Seb’ul-Methani) dhe ndahet midis Allahut e shërbëtorit të Tij, i cili do të marrë ç’të lypë; ajo është Surja më e mirë në Librin e më të Lartit dhe shërim për çdo lëngatë, përveç helmit – që është vdekja”.

Vërtet, Allahu i Lartësuar ka zgjedhur vetëm Muhamedin (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij) që të nderohet me të, pa ia dhënë këtë nder asnjë profeti ose të dërguari të Tij, përveç Sulejmanit (paqja qoftë mbi të) të cilit i është dhënë bismilahi (shih suren en-Neml, ajeti 30).

Kush e reciton atë, duke qenë krejtësisht i bindur në ndjekjen e rrugës së Pejgamberit, duke iu përmbajtur urdhëresave të saj dhe duke besuar në kuptimet e saja të brendshme e të jashtme, do të shpërblehet nga Allahu për çdo germë të saj me një bekim që është më i mirë se gjithçka që ndodhet në botën e pasurisë dhe mirësive, ndërsa ai që e dëgjon dikë duke e recituar do të marrë një të tretën e shpërblimeve të recituesit.

Një tjetër hadith kudsi thotë:

Lutjet janë ndarë midis Meje dhe shërbëtorit Tim: gjysma për Mua, dhe gjysma tjetër për të” ndaj kur këndohet: el-hamdu lil-lahi rabbil-‘alemin, Allahu Fuqiplotë thotë: “Shërbëtori im Më ka lavdëruar”, dhe kur këndon: er-rahmanir-rahim, i Gjithëfuqishmi thotë: “Robi im Më ka madhëruar”, e kur thotë: maliki jeumid-din, Allahu thotë: “Shërbëtori im Më ka lartësuar” Dhe, kur reciton: ijjake na’budu ue ijjake nesta’in, Allahu do të thotë: “Ky është pakt midis Meje dhe robit Tim, atij do t’i plotësohen lutjet”. Atëherë, nëse e reciton Fatihanë deri në fund, Allahu do ta konfirmojë sërish premtimin e Vet, duke thënë: “Kjo është për shërbëtorin tim dhe atij do t’i plotësohen dëshirat”.

(Revista “Vlera”, nr. 7, nëntor 2011, fq. 24)




There are no comments

Add yours