2.2

Tatuazhi – dekor me sëmundje

Spread the love

Hyrje

Në Kuran e Shenjtë theksohet: “Vërtet, Ne e krijuam njeriun në formën më të bukur”. (Surja et-Tin, ajeti 4)

Trendi i tatuazheve është shpërndarë gjerësisht në mbarë botën dhe kryesisht te të rinjtë, mirëpo disa studime tregojnë se shëndeti i njeriut mund të rrezikohet prej tyre. Disa ngjyra të tatuazheve përmbajnë substanca të cilat shkaktojnë tumor, njoftohet nga disa specialistë të Britanisë së Madhe. Ata, në zbulimin e tyre më të ri kanë theksuar rrezikun e nanopartiklave nga ngjyra e tatuazheve që mbahen në shpretkë përmes gjakut dhe veshkave. Kjo e zvogëlon kapacitetin e trupit për t’u bërë ballë helmeve.

Rreziku i ngjyrave të tatuazheve

Studimi nga dr. Georgina Serua nga Kopenhagen, ka demonstruar se ka agjentë që shkaktojnë kancerin në 13 nga 21 ngjyrat që zakonisht përdoren për tatuazhe në Evropë. Sipas hulumtimeve nga ekspertë në ShBA, ngjyra e zezë e tatuazheve prodhohet duke e përdorur benzopirenin, përbërës i cili gjatë eksperimenteve në kafshë ka dëshmuar se e shkakton kancerin në lëkurë.

Ky hulumtim i ri pajtohet me ato të mëhershmet të cilët kishin demonstruar se ngjyrat e kuqe përmbajnë mërkur, ndërsa ngjyra e gjelbër dhe e kaltër përmbajnë kobalt. Këto kimikate janë shkaktarë të kancerit, prandaj duhet të keni kujdes.

Historia e tatuazhit

Tatuazhi ka prejardhje idhujtare, që ndërlidhet me besimet e hershme primitive dhe përdorej si formulë magjike (hajmali) kundër vdekjes, kundër syrit të keq, ose për t’u mbrojtur nga magjia. Sipas bindjes së atëhershme, tatuazhi njihej si flijim i shpirtit për perënditë. Një praktikë e këtillë ka qenë e përhapur edhe tek arabët në periudhën paraislame për qëllime zbukurimi, ose ka shërbyer për identifikimin e përkatësisë së klanit përkatës.

Ndërkohë, egjiptasit e vjetër (faraonët) e kanë praktikuar në cilësi të hajmalisë, e cila ka shërbyer për mbrojtje nga zilia ose me qëllim shërimi nga disa sëmundje. Në Egjipt e në Libi janë gjetur mumje me tatuazhe, e këto mumje kishin qindra vjet para kohës së Krishtit (Mesihut Isa). Mumje me tatuazhe janë gjetur edhe në Amerikën e Jugut. Shumë figura të punuara në tatuazhe kishin lidhje të drejtpërdrejtë me adhurimin e perëndive pagane.

Nga ana tjetër, njeriu i mençur, në këtë rast muslimani, duhet të ishte vigjilent nga pasojat negative si në aspektin fetar, po ashtu edhe në atë shëndetësor, si pasojë e kultivimit të traditave dhe veseve nga të cilat Islami me kohë është distancuar. Muslimani në asnjë mënyrë nuk guxon të lëshohet në veprime të pakontrolluara dhe të paargumentuara.

Sipas thënies së Pejgamberit (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij), thuhet që: “Allahu i Madhëruar i ka mallkuar ata që bëjnë tatuazhe në trupin e tyre”. (Sahih el-Buhari, libri “El-Libās (Veshjet)”, kapitulli: “El-Mutefel-lixhāt lil-husn”, hadithi numër 5931; Sahih Muslim, libri “El-Libās (Veshjet)”, hadithi numër: 5573)

Pra siç e shohim dhe ne thënien e Pejgamberit (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij) të mallkohesh për një vepër do të thotë që ajo vepër është e ndaluar rreptësisht. Jo vetëm në Islam por edhe në Krishterizëm dhe Judaizëm tatuazhet nuk lejohen. Në Bibël thuhet: “Nuk do të bëni asnjë prerje në mishin tuaj për një të vdekur, nuk do të bëni asnjë tatuazh mbi trupin tuaj. Unë jam Zoti”. (Libri i Levitikut, kapitulli 19, citati 28)

(Redaksia e revistës “Vlera”, nr. 20, tetor/nëntor 2016, fq. 50)




There are no comments

Add yours