qerr

VRASJA E ALI AL AKBAR (I BIRI I IMAM HUSEJNIT) NË QERBELA

Spread the love

Në atë kohë, fatkeqësia mbërriti tek beni Hashim dhe i pari i cili u vra prej tyre ishte Ali ibn Hysejn El-Akbar (i madhi).
Nëna e tij ishte Lejla. Një poet, për atë djalë, thotë: “Syri nuk ka parë të tillë si ai, dua të them se është djali i Lejlës. Nuk ndikon dynjaja në fenë e tij dhe nuk e ndryshon të drejtën me padrejtësinë. Ishte më i pashmi në fytyrë dhe më i miri i njerëzve në morale.” Ai i kërkoi leje babait të tij për luftë. Hysejni e vështroi me vështrimin e të hidhëruarve dhe i uli sytë në tokë duke qarë. Pastaj ngriti kokën dhe u drejtua nga qielli duke thënë: “O Zot, dëshmo mbi atë popull, sepse për t’i luftuar ata ka dalë djaloshi më i ngjashëm i Profetit në njerëz, në pamje, në sjellje, në logjikë. Nëse ne na merrte malli për Profetin Tënd, shikonim fytyrën e këtij djaloshi. O Zot, ndaloji për to mirësitë e tokës, ndaji ata nga njëri-tjetri, copëtoji ata copa-copa, kurrë mos i fal ata dhe mos e prano dashurinë e tyre për asnjë person, sepse ata na thirrën që të na ndihmonin, pastaj u kthyen në vrasësit tanë.»

Pastaj, Hysejni thërriti: “O i biri i Sa’dit, çfarë ke? Allahu të lëntë të vetmuar! Kurrë mos të bekoftë në jetesën tënde dhe të sjelltë atë që të theri në shtratin tënd mbas meje, ashtu siç më le të vetmuar dhe nuk e mbrojte afërsinë time!” Pastaj, lexoi ajetin: «Allahu zgjodhi Ademin dhe Nuhun, familjen e Ibrahimit dhe familjen e Omranit mbi të gjithë botën.»
Ali El-Akbar sulmonte armiqtë dhe thoshte: «Unë jam Ali ibn Hysejni ibn Ali. Ne dhe shtëpia e Allahut jemi më të merituar për madhërim. Ju gjuaj me shtiza dhe ju godas me shpatë në mbrojtje të babait tim, gjuajtjen e djaloshit Hashimij Alevij. Pafsha Allahun, nuk na udhëheq ne ibn Daij (I dyshuari në prejardhje).»
Ai sulmoi armiqtë dhe vrau shumë prej tyre, derisa njerëzit u tmerruan prej shumicës së të vrarëve.
Ai u kthye tek babai i tij dhe plagët i rridhnin gjak dhe i tha Hysejnit: “O babai im, etja më vrau dhe rëndesa e hekurave më lodhi. A gjendet një pikë ujë që të forcohem për të luftuar armiqtë?” I ankohet babait më të famshëm për etjen e tij dhe nuk u ankua për etjen e tij, përveçse të eturit.

Hysejnit i rrodhën lot nga sytë dhe tha: “O biri im, lufto edhe pak se së shpejti do të takosh gjyshin tënd, Muhamedin (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) dhe Ai do të të japë ujë ty prej burimit, ku nuk do të kesh etje kurrë. O biri im, afroje gjuhën tënde.” Hysejni mori gjuhën e tij dhe e vendosi mbi gjuhën e vet. I dha unazën e tij dhe i tha: “Vendose në gojën tënde këtë unazë dhe kthehu tek armiqtë tuaj. Unë shpresoj se së shpejti do ta takosh gjyshin tënd. O biri im, shko, Zoti të bekoftë!”

Ai u kthye në fushën e betejës duke thënë:
“Të vërtetat e luftës u dukën. Dhe mbas saj, do të shfaqen vërtetësitë…”
Muretu ibn Munkadh El-Abdij e goditi me goditje të fuqishme dhe të tjerët filluan t’i gjuanin me shpata. Ai u shtrëngua mbi kalin e tij, i cili iu drejtua vendqëndrimit të armiqve, të cilët e copëtuan me shpatat e tyre. Kur po i dilte shpirti, ai thërriti me zë të lartë: «O baba, gjyshi im vërtet më dha të pija prej atij uji ku nuk do gjej kurrë etje.»

Hysejni shkoi tek i biri i tij, Aliu dhe ngriti zërin e tij duke qarë dhe asnjë nuk e dëgjoi zërin e tij. Pastaj tha: «Zoti e vraftë atë popull që të vrau ty! Sa të guximshëm janë për Zotin dhe për degjenerimin e nderit të Profetit. Ndërsa ti, o biri im, vërtet u zhduke prej fatkeqësive të kësaj bote dhe mbërrite në lulishtet e Xhenetit dhe në begatitë e tij. Babai yt akoma është në fatkeqësitë e dynjasë. O biri im, bota për mua mbas teje është vdekje.»