1516658726168.jpg.832x569_q80_box-0,46,800,519_upscale

Zejnebi e bija e İmam Aliut, simboli i durimit dhe i heroizmit

Spread the love

Me emrin e Allahut, të Gjithmëshirshmit, Mëshirplotit.

Falënderimet i takojnë Allahut të Madhëruar. Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi profetin Muhamed, mbi familjen e tij të pastër dhe mbi shokët e tij të zgjedhur!

Es Selamu alejkum ue rahmetullahi ue berakatuhu!

(Paqja, mëshira dhe begatitë e Allahut qofshin mbi ju!)

Zonja e madhe Zejneb (paqja qoftë mbi të!) është gruaja shembullore dhe shembull për të gjitha femrat. Ajo është degë e pemës muahmedane dhe aleviane. Nëna e saj është Fatimeja (paqja qoftë mbi të!), vajza e Profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). Babai i saj është imam Aliu (paqja qoftë mbi të!) dhe gjyshi i saj është Profetit Muhamed, vula e Profetëve. Ajo lindi më 5 Xhemadul Ula në vitin e pestë të hixhrit.

Lajmin për lindjen e Zejnebit ia përcollën Profetit Muhamed. Ai shkoi menjëherë në shtëpinë e Fatimesë dhe i tha: “O bija ime. Ma sill vajzën tënde të poraslindur. Kur profeti e mori në krah të porsalindurën e përqafoi, e vuri faqen e tij mbi faqen e saj dhe qau derisa lotën i rrodhën mbi faqen e tij.” Fatimeja i tha: “Përse po qan? Allahu mos t’i lotoftë sytë o babai im!” Profeti i tha: “O bija ime. O Fatime. Kjo vajzë do të sprovohet me shumë sprova dhe do t’i vijnë shumë fatkeqësi. O pjesë e trupit tim, o drita e syve të mi. Ai që qan për të dhe për fatkeqësitë e saj do të ketë shpërblimin e atij që vajton për dy vëllezërit e saj (Hasanin dhe Huseinin).” Pastaj profeti e quajti Zejneb.

Në terminologji, fjala Zejneb ka kuptimin: Zijnetul Ebijha (hijeshia, bukuria e babait të saj), ashtu siç ishte nëna e saj, Fatimeja “ummu ebijha” (nëna e babait të saj). Në gjuhësi ka kuptimin: Pemë me pamje të bukur dhe me aromë të këndëshme.

Në një transmetim tjetër thuhet: Fatime Zahraja e ka pyetur imam Aliun: “Përse po ia vonon vënien e emrit vajzës. Imam Aliu i ka thënë: Po pres që Profeti t’ia zgjedhë asaj emrin. Fatimeja shkoi te Profeti dhe e lajmëroi për thënien e imam Aliut. Atëherë zbriti Xhebraili (paqja qoftë mbi të!) dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut. Zoti yt të dërgon selam dhe të thotë: O i dashuri Im. Emrin asaj vendosja Zejneb.” Pastaj Xhebraili qau. Profeti e pyeti për shkakun e qarjes. Xhebraili i tha: “Jeta e kësaj vajze do të jetë e shoqëruar me fatkeqësi e mundime që nga fillimi e deri në vdekje të saj.”

Zonja e madhe Zejneb (paqja qoftë mbi të!) ishte e ditur, e devotshme, e guximshme, mbartëse e virtyteve të larta dhe oratore e rrallë. E pse të mos ishte e tillë, ndërkohë që lindi dhe u rrit në shtëpinë që Allahu e zgjodhi, e pastroi dhe në të zbriti mesazhin e Tij. Ajo u mësonte grave komentimin e Kur’anit dhe rregullat e fesë.

Zonja e madhe Zejneb përjetoi vështirësitë, fatkeqësitë, dhimbjet dhe lëndimet. Që në fillim të jetës së saj ajo u përball me keqbërjet që idhujtarët dhe politeistët i bënin gjyshit të saj, Profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!).

Kur nëna e saj Fatime Zahraja ndërroi jetë, Zejnebi ishte shtatë vjeçe. Sigurisht, dhimbja e saj ishte e madhe. Pas vdjekjes së Fatime Zahrasë (paqja qoftë mbi të!), përgjegjësinë e shtëpisë së imam Aliut (paqja qoftë mbi të!) e mori Zonja e madhe Zejneb (paqja qoftë mbi të!).

Zonja Zejneb përjetoi plagosjen e babit të saj, imam Aliu (paqja qoftë mbi të!). Ajo qëndronte pranë tij dhe i fshinte dhe i pastronte gjakun që rridhte nga plaga e tij. Edhe pse e dinte se goditja që kishte marrë babai i saj ishte vdekjeprurëse, ajo kurrë nuk u mposht dhe nuk u dorëzua, përkundrazi e përballoi këtë fatkeqësi me durim e me forcë.

Pas martirizimit të babait të saj, imam Aliut (paqja qoftë mbi të!) ajo qëndroi në krah të vëllait të saj imam Hasanit (paqja qoftë mbi të!). Ajo dëshmoi tradhëtitë dhe pabesitë e Muaviut ndaj imam Hasanit. Zonja Zejneb (paqja qoftë mbi të!) i qëndroi në kokë vëllait të saj imam Hasanit (paqja qoftë mbi të!) kur e helmoi dinastia emevite.

Pas vdekjes së imam Hasanit (paqja qoftë mbi të!), Zonjën Zejneb (paqja qoftë mbi të!) e priste një rol akoma më i madh. Ky rol do të shfaqej në tokën e përgjakur të Kerbelasë, toka e flijimit dhe e martirizimit. Ajo do të qëndronte e palëkundur në krah të vëllait të saj imam Huseinit (paqja qoftë mbi të!), të familjes së tij dhe të shokëve të tij besnikë. Dhe ashtu ndodhi.

Ajo është heroina e Kerbelasë. Ajo u fshinte lotët të vegjëlve dhe ftohte zemrat e nxehta nga etja e nga plagët. Kur u martirizua imam Huseini (paqja qoftë mbi të!), Zonja Zejneb shkoi te trupi i tij dhe hoshte: “O Zoti ynë! Pranoje prej nesh këtë Kurban!” Ajo shpëtoi fëmjët dhe gratë kur ushtria e pamëshirshme e Jezidit i vunë flakën çadrave të tyre. Ajo ishte nëna e grave dhe e fëmijëve pas martirizimit të imam Huseinit (paqja qoftë mbi të!). Ajo i përballoi të gjitha këto fatkeqësi e dhimbje në fushën e Kerbelasë me durim dhe me zemërgjerësi.

Kur ibn Zijadi e pyeti në Kufe: “Si e pe atë që i bëri Allahu vëllait tënd?” Ajo u përgjigj: “Nuk pashë veçse bukuri.” Me këtë thënie del në pah djallëzia e ibn Zijadit, i cili masakrën e tyre ia mveshi Allahut të Madhëruar (Allahu na ruajtë!). Për shak të përballjes së saj me fatkeqësi të ndryshme, ajo është quajtur “nëna e fatkeqësive” (ummul masaibu).

Heroina madhështore, zonja Zejneb (paqja qoftë mbi të!), ishte zëri i fortë që lëkundi themelet e dinastisë emevite. Ajo ishte e guximshme dhe nuk i frikësohej vetëm e vetëm Allahut të Madhëruar.

Pas martirizimit të imam Huseinit (paqja qoftë mbi të!) dhe të shtatëdhjetë e dy dëshmorë të tjerë në fushën e Kerbelasë, zonja e madhe Zejneb (paqja qoftë mbi të!) sëbashku me gratë dhe vajzat e Ehli Bejtit (paja qoftë mbi të!) u morën robërësha, u lidhën me zinxhirë dhe u dërguan në pallatin e Jezidit në Damask. Ajo i thotë Jezidit: “O Jezid. Përpiqu sa të mundesh dhe thur intriga sa të duash. Betohem në Allahun se ti kurrë nuk do ta fshish përmendjen tonë.” Të vërtetën ka thënë sepse edhe sot e kësaj dite besimtarët muslimanë e kujtojnë ndodhinë e Qerbelasë, Imam Huseinin dhe familjen e tij në çdo vit.

Zonja e madhe Zejneb u martua me Abdullah ibn Xhaferr. Ai ishte njeri fisnik dhe shumë bujar. Nga martesa e tyre e bekuar lindën fëmijët: Muhamed, Ali, Aunul Akbar, Abas dhe Ummu Kulthum. Aunul Akbar dhe Muhamed ranë dëshmorë në Kerbela.

Zonja e madhe Zejneb (paqja qoftë mbi të!) ishte zëri i imam Huseinit, gjaku i tij, vetja e tij, të shikuarit e tij, të dëgjuarit e tij, zemra e tij dhe shpirti i tij (i imam Huseinit).

Ajo ka ndërruar jetë më 15 Rexheb të vitit 62 të hixhrit. Zonja e madhe Zejneb (paqja qoftë mbi të!) është e njohur te muslimanët. Hulumtuesit kanë mendime të ndryshme rreth vendit të vdekjes së zonjës Zejneb dhe vendvarrimit të saj. Disa transmetime tregojnë se Abdullah ibn Xhaferr u largua nga Medina së bashku me zonjën Zejneb dhe shkuan në një fshat që ishte pronë e tij. Ai fshat ndodhej pranë Damaskut dhe quhej Rauijeh. Zonja Zejneb (paqja qoftë mbi të!) vdiq në këtë fshat dhe u varros në vendvarrimin e njohur me emrin e saj.

Disa hulumtues të tjerë kanë thënë se emevitët e dëbuan zonjën Zejneb nga Medina te një prej fshatrave të Shamit. Ajo vdiq aty dhe u varros në atë vend ku gjendet edhe mezari i saj në Damask. Thuhet se emevitët duke parë se zonja Zejneb përbënte rrezik për pushtetin e tyre, ata e helmuan atë. Pranë vendvarrimit të saj gjenden edhe shkollat fetare të medhhebit Xhaferrij. Gjithashtu, ka transmetim se vendvarimi i saj është në Egjipt.

Imam Ali Khamenei thotë: Po të bëjmë një krahasim përmbledhës mes zonjës së madhe Zejneb dhe gruas së Faraonit mund të na sqarohet madhështia e pozitës së zonjës Zejneb (paqja qoftë mbi të!). Kur gruaja e Faraonit ishte nën trysninë e torturave faraonite tha: “O Zoti im! Më nderto mua te Ti një vendbanim në Xhennet dhe më shpëto prej Faraonit dhe veprës së tij.” (Sure “Tahrim”, ajeti 11). Në realitet ajo kërkoi vdekjen. Ndërsa zonja e madhe Zejneb (paqja qoftë mbi ttë!) i shihte me sytë e saj të gjithë të dshurit e saj në Ditën e Ashurasë duke shkuar në thertore dhe martirizoheshin. Ajo e pa sulmin e armiqve dhe nëpërkëmbjen e shenjtërisë së familjes së Profetit. Përballë këtyre fatkeqësive zonja e madhe Zejneb (paqja qoftë mbi të!) nuk tha: “O Zot më ndihmo!” Por ajo tha: “O Zot! Pranoje prej nesh këtë kurban.”

Zonja Zejneb (paqja qoftë mbi të!) është e dyta prej grave të larta e të pastra të Ehli Bejtit të Profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). E gjithë jeta e saj është e mbushur me mësime e hulumtime. Ajo është prej grave të pavdekshme në historinë islame. Ajo nderohet dhe respektohet nga muslimanët. Jeta e saj është e shkruar me germa drite që ndriçojnë në çdo kohë dhe në çdo vend.

E lus Allahun që të na mbarësojë në fitimin e kënaqësisë së Tij në këtë jetë dhe na mundësoftë të jemi në shërbim të fesë së Tij dhe të dashurve të Tij! Allahu na bashkoftë me profetin Muhamed dhe me familjen e tij të pastër në Jetën Tjetër!