coran1

A është Bismilahi dhe Amini pjesë e sures Fatiha

Spread the love

“Allahu i Madhëruar ka 100 mëshira (rahmete). Një e ka zbritur në tokë dhe e ka ndarë ndërmjet krijesave të Tij. Me anë të saj ata duhen dhe mëshirojnë njëri-tjetrin. Ndërsa 99 të tjerat i ka mbajtur për Vete, që me anë të tyre të mëshirojë robtë e Tij në Ditën e Kijametit”

Dijetarët muslimanë janë të një mendimi se “bismilahi” është pjesë e “Fatihasë” dhe e të gjitha sureve të Kur’anit. Dëshmi e kësaj thënieje të tyre është shkrimi i saj në krye të sureve, sepse ne e dimë që Kur’ani është i mbrojtur prej çdo shtese, dhe se bismilahi është përdorur që në kohën e Profetit Muhamed (paqja qoftë mbi të dhe Familjen e tij).

Argumenti më i fortë i tyre është mendimi i përbashkët i sahabëve dhe i pasuesve të tyre rreth qënies së “Bismilahi-t” konstante në fillim të çdo sureje të Kur’anit me përjashtim të sures “Teube”. Ata ishin të urdhëruar që të mos shkruhet asgjë që nuk është prej Kur’anit, prandaj ata nuk e kanë shkruar në fund të Fatihasë thënien: “Amin”. Më poshtë, autori i tefsijrit “El Menar”, transmeton nga Maliku, Ebu Hanife e të tjerë, të cilët kanë mendimin se, “Bismilahi” është ajet i pavarur dhe ka zbritur që të sqarojë fillimin e sureve dhe ndarjet në mes tyre.

Këtu po transmetojmë disa hadithe sipas mundësive që përshtaten me këtë kërkim.

1. Muavija, i biri i Amarit ka transmentuar: I thashë Ebu Abdullahit (paqja qoftë mbi të!): “Kur të çohem për të falë namaz, a ta lexoj “Bismilahin” para Fahtihasë?” Ai tha: “Po”. Pastaj i thashë: “Po kur të përfundoj Fatihanë, a të lexoj “Bismilahi Rrahmani Rrahim” para sures?” Ai tha “Po” .

2. Ed-Darkatanij ka transmetuar nga Aliu se atë e pyetën rreth Fatihasë. Ai tha:“Bismilahi Rrahmani Rrahim është ajet”.

3. Bajhakiu transmeton me sened tek ibn Xhubejr, nga ibn Abbasi, i cili ka thënë: “Djalli ua harroi njerëzve më të madhin ajet të Kur’anit, Bismilahi Rrahmani Rrahim” (si tregues i përhapjes së mosleximit të saj në fillim të sureve). ]

Mëshira e Allahut, e posaçme dhe e përgjithshme

Është e njohur në mesin e disa komentuesve se, cilësori “Rrahman” është tregues i mëshirës së përgjithshme të Allahut të Madhëruar. Ajo përfshin të dashurit dhe armiqtë, besimtarët dhe mohuesit, të mirët dhe të këqijtë. Pra, mëshira e Tij përfshin të gjitha krijesat dhe mirësia e Tij është e përhapur për të gjitha ekzistencat. Të gjitha gjallesat i përfshin kënaqësia e dhënies së jetës, duke marrë pjesën e tyre prej sofrës së mirësive të Tij të pashtershme. Kjo është mëshira e

Tij e përgjithshme, e cila përfshin të gjithë botën ekzistuese pa dallim dhe ç’ka noton në galaktikë.

Sifati “Rrahim” tregon për mëshirën e Tij të posaçme për njerëzit e mirë dhe besimtarët e sinqertë. Ata e meritojnë këtë mëshirë si pasojë e besimit të tyre dhe e veprave të mira që kryejnë. Kjo është e ndaluar për të devijuarit dhe keqbërësit. Treguese për këtë kuptim është fakti se, cilësori (atributi) “Rrahman” në Kur’anin famëlartë përmendet në formë të pakufizuar, gjë që tregon për përgjithësinë e saj. Mirëpo, përcaktori “Rrahim”, përmendet herë herë e kufizuar, që tregon se ky atribut është i veçantë, siç është thënia e Allahut të Madhëruar në suren “Ahzab”, ajeti 43 “Ai është Mëshirues ndaj besimtarëve.”

Në një hadith të trasmetuar nga imam Xhafer ibn Muhamed Sadik (paqja qoftë mbi të!) thuhet: “Allahu është Sunduesi i çdo gjëje, Rrahman (Mëshirues) për të gjitha krijesat e Tij dhe Rrahim vetëm për besimtarët”.

Gjendet një argument tjetër, i cili është: “Rrahman është prej emrave të posaçëm të Allahut dhe nuk përdoret tek të tjerët, ndërsa Rrahim është përcaktor që i vendoset Allahut dhe robëve të Tij.”

Kur’ani e cilëson me këtë cilësi Profetin Muhammed (paqja dhe bekimi i All’llahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ku thotë: “…Atij i vjen rëndë për gjynahet që bëni ju, jua dëshiron të mirën me gjithë zemër që ju të shkoni rrugës së drejtë dhe është i butë e i mëshirshëm me besimtarët.”

E mbyllim temën me këtë hadidh kuptimplotë të Profetit Muhamed (paqja qoftë mbi të dhe Familjen e tij), në të cilin thuhet: “Allahu i Madhëruar ka 100 mëshira (rahmete). Një e ka zbritur në tokë dhe e ka ndarë ndërmjet krijesave të Tij. Me anë të saj ata duhen dhe mëshirojnë njëri-tjetrin. Ndërsa 99 të tjerat i ka mbajtur për Vete, që me anë të tyre të mëshirojë robtë e Tij në Ditën e Kijametit”

Përse nuk përmenden cilësitë e tjera të Allahut te fjala “bismilah”?

Tek “Bismilahi” përmenden vetëm dy cilësi të Allahut të Madhëruar që janë “Rahmanije” dhe “Rahimijeh”. Cili është shkaku? Përgjigja sqarohet, nëse mësojmë se çdo punë duhet të fillohet nën hijen e asaj cilësie që përfshin të gjitha krijesat e universit dhe që i shpëton nevojtarët në çaste të vështira e të ndërlikuara. Këtë të vërtetë e sqaron Kur’ani në suren “A’raf”, ajeti 157), i cili thotë: “Mëshira Ime përfshin çdo gjë”: Dhe nëpërmjet gjuhës së mbajtësve të Arshit, në suren “Gafir”, ajeti 7, Kur’ani thotë: “O Zoti ynë me mëshirën Tënde ke përfshirë çdo gjë”. Në anën tjetër shohim të Dërguarit dhe ndjekësit e tyre të cilët ndërmjetësojnë rahmetin e Allahut ku janë në pozicione të vështira.

Kombi i Musait (paqja qoftë mbi të!) iu lut Allahut që t’i shpëtojë nga padrejtësitë e Faraonit, duke ndërmjetësuar me rahmetin e Tij: “Na shpëto për hak të rahmetit Tënd.” (Surja Junus -86)

Është e natyrshme se kur ne i lutemi Allahut të Madhëruar, i thërrasim me sifatet që janë të përshtatshme me nevojat.

Isai (paqja qoftë mbi të!) kur i kërkoi Allahut sofrën nga qielli, tha: “O Allah, o Zoti ynë! – tha Isai, i biri i Merjemes – Zbritna një sofër nga qielli, … dhe na jep mirësi, se Ti je Dhuruesi më i mirë!”

Nuhi (paqja qoftë mbi të!) iu lut Allahut, kur ishte në udhëtim duke thënë: “O Zoti im më zbrit në një vend të bekuar.Ti je vendosësi më i mirë”.

Zekeria (paqja qoftë mbi të!) iu lut Allahut duke i kërkuar fëmijë për ta trashëguar duke thënë: “O Zoti im, mos më lër të vetmuar, sepse Ti je trashëguesi më i mirë.”

Pra, kur të fillojmë ndonjë punë, duhet që të ndërmjetësojmë me mëshirën e gjerë e të përgjithshme të Allahut. A gjendet cilësi më e përshtatshme se kjo, me qëllim që të realizohet suksesi në punë dhe të mposhten problemet dhe vështërsitë? Fuqia, e cila tërheq zemrat në drejtim të Allahut dhe i lidh ato me Atë është cilësia e rahmetit, sepse ajo është njësoj si ligji i gravitetit. Besimtarët e vërtetë i pastrojnë zemrat e tyre nëpërmjet kuptimit të bismilahit në fillim të çdo pune. Ata janë të lidhur vetëm me Allahun. Atij i kërkojnë ndihmë dhe i luten duke ndërmjetësuar me mëshirën e Tij, e cila përfshin çdo gjë. Bismilahi na mëson se veprat e Allahut janë të bazuara tek Rahmeti. Njerëzit të cilët ecin në rrugën e Allahut duhet ta ndërtojnë jetën e tyre mbi bazat e Rahmetit dhe dashurisë dhe ta braktisin dhunën. Njëqind e trembëdhjetë sure të Kur’anit, me përjashtim të sures “Teube”, fillojnë me rahmetin e Allahut, ndërsa surja “Teube” fillon me njoftimin e luftës, në vend të bismilahit.




There is 1 comment

Add yours

Post a new comment