jamnewsimage20233236

BIOGRAFIA E SHEHID AJATULLAH MUHAMMED BAKIR ES-SADR

Spread the love

BIOGRAFIA E SHEHID AJATULLAH
MUHAMMED BAKIR ES-SADR

Muhammed Bakir Ibn Sejjid Hajdar Ibn Ismail EsSadri, dijetar, udhëheqës fetar, mësues dhe personalitet i shquar politik, lindi në Kazimain afër Bagdatit, në Irak në vitin 1350 hënor, sipas hixhretit, përkatësisht në vitin 1931 sipas Isait (paqja qoftë mbi të!).

Rrjedh nga një familje e vjetër dhe shumë e njohur, e cila ka nxjerrë një sërë personalitetesh të shquara në Irak, Iran dhe Liban. Disa prej tyre janë: 1. Sejjid Sadrud-din Es-Sadri, i cili duhet të ndiqet në qytetin e Komit; 2. Muhammed Es-Sadri, udhëheqës fetar i cili luajti rol mjaft të rëndësishëm në revolucionin irakian kundër Britanisë, i cili u organizua dhe u udhëhoq nga ana e liderëve fetarë, të cilët ia dolën që ta mposhtnin Britaninë. Ai, gjithashtu, është edhe themeluesi i Forcave të Pavarura të Mbrojtjes (Haras El-Istikhal);

3. Musa Es-Sadri, udhëheqësi (lideri) i shiitëve të Libanit. Shehid Muhammed Bakir Es-Sadër
Në moshën katër vjeçare Muhammed Bakir EsSadrit i vdiq i ati. Kështu, edukimin dhe përkujdesjen ndaj tij e morën përsipër nëna e tij, një grua me virtyte të larta fetare dhe vëllai më i madh, Ismaili, i cili, gjithashtu, në Irak ishte i njohur si muxhtehid (dijetar, i cili është i aftë që në mënyrë të pavarur të sjellë vendime ligjore).

Ismaili thoshte që Muhammedi që në rininë e tij të hershme filloi të shquhet me intelegjencën e tij të theksuar. Që në moshën dhjetë vjeçare filloi të mbante ligjërata nga historia islame, si dhe, nga disa lëmi të tjera të kulturës islame. Ai ishte i aftë që pa ndihmën e mësuesit t’i kuptonte pyetjet e vështira teologjike-fetare. Në moshën njëmbëdhjetë vjeçare filloi ta mësonte lëndën e logjikës, madje, shkroi edhe një libër në të cilin i kritikonte filozofët, ndërsa në moshën trembëdhjetë vjeçare vëllai, Ismaili filloi t’ia mësonte Usulul-Ilmul-Fikhun (Bazat e shkencës së fikhut të bazuara në Kur’an, Hadith etj.)

Kur mbushi gjashtëmbëdhjetë vjeç, duke patur dëshirë të flaktë për zgjerimin e diturive sa më të mira e të mëdha në lëmitë e ndryshme islame, vajti në qytetin e Nexhefit. Katër vjet më vonë shkroi veprën “Gajatulfikr fil-Usul” (“Domethëniet themelore mbi Usulin”), që është si një lloj enciklopedie mbi Usulin. Nga kjo vepër është botuar vetëm një vëllim.

Muhammed Bakir Es-Sadri në moshën njëzet e pesë vjeçare filloi ta mësojë bahs harixh-in (shkallën më të lartë në edukimin e lëmisë së Usulit). Vlen të theksohet, se në këtë kohë ishte më i riu nga të gjithë studentët tjerë. Gjithashtu, mësoi edhe lëndën (shkencën) e fikhut (ligjit islam). Duhet të theksohet edhe fakti se në moshën tridhjetë vjeçare u bë muxhtehid.

Në punimet e tij sulmonte materializmin dialektik dhe në vend të tij paraqiste qasjen islame në dallimin mes të vërtetës dhe humbjes – (të pavërtetës). Ka shkruar shumë mbi ekonominë islame, kështu që, me të (Muhammed Bakir Es-Sadrin), shpesh-herë konsultoheshin organizata të ndryshme islamike, siç është fjala Banka Islame e Zhvillimit, etj.

Gjithashtu, përfaqësonte organizimin e lëvizjes islame, përkatësisht ishte ideatori kryesor i një organizate të tillë, e cila në vendet më të ndryshme të botës islame, do të ishte e aftë të punonte në drejtim të realizimit të ndryshimeve shoqërore të shumëpritura. Ai ishte themeluesi i “ Hizbul-da’vel-Islamijjetu” (“Partia e Thirrjes Islame”). Predikonte se politika është pjesë e Islamit. Njëherazi, i ftonte myslimanët që të njiheshin me traditën e pasur islame, si dhe, të çliroheshin nga çdolloj ndikimi të jashtëm, e pikërisht nga ndikimi i kapitalizmit dhe marksizmit. U bënte thirrje myslimanëve që të largoheshin nga pasiviteti dhe t’i arrijnin këto synime tejet të rëndësishme duke i zgjeruar mësimet e tyre në mbarë botën islame, njësoj siç shkatërronin mësimet islame imperialistët e pamëshirshëm.

Myslimanët duhet, patjetër, që nëpërmjet lidhjes së fortë të sistemeve të tyre shoqërore, ekonomike dhe politike, të bashkuar si një trup i vetëm t’u qëndrojnë në ballë këtyre sulmeve.

Për shkak të bindjeve të tija politike dhe mësimeve të shëndosha, të cilat kritikonin regjimin e partisë BA’S në Irak, regjim ky, i cili i thyente të drejtat njerëzore dhe normat islame, Ajatullah Muhammed Bakir Es-Sadri u burgos dhe u transferua nga Nexhefi në Bagdat. Pas kësaj u lirua nga burgu, por për një kohë të shkurtër – vetëm deri në qershor të vitit 1979, kur sërish në qytetin e Nexhefit u burgos.

Motra e tij Bintul-Huda, e cila, gjithashtu, ishte eksperte në çështjet e mësimeve teologjike islame, organizoi protesta kundër burgosjes së merxheas. Një sërë protestash kundër burgosjes së Ajatullah Sadrit u organizuan në mbarë Irakun dhe jashtë tij, në shtete të tjera.

Ndoshta, pikërisht kjo ndikoi në lirimin e tij nga burgu. Mirëpo, edhe përkundër kësaj u mbajt për plot 9 muaj në burgim shtëpiak. Tensioni mes tij dhe Partisë BA’S sa vinte e acarohej. Në këtë kohë shpalli fetva (vendim juridik bazuar në Sheriat) që myslimanëve u është haram (rreptësisht e ndaluar) anëtarësimi në Partinë joislamike të BA’S-it. Fill pas kësaj, më 5 prill të vitit 1980 sërish u burgos dhe u transferua në Bagdat. Ai dhe motra e tij Bintul-Huda tri ditë pas burgosjes u vranë. Trupat e tyre të pajetë u kthyen në qytetin e Nexhefit ku edhe u varrosën. Vdekja e tyre është e mbështjellur me një vello të madhe misteri. Shumë pyetje mbetën pa përgjigje, siç janë p.sh: cili ishte synimi i cili qëndronte prapa vrasjes së tyre, si dhe identiteti i atyre që e udhëhoqën tërë këtë operacion… ?

Ajatullah Sadri shkroi një varg artikujsh gazetareske. Gjithashtu, shkroi një numër të madh librash, shumica nga fusha e ekonomisë, sociologjisë, teologjisë dhe filozofisë. Më të njohura nga këto libra janë:

1. “ El-Fetva El-Vahida” (“Fetva të qarta”);
2. “ Menhaxhus-Salihin” (“Rruga e të drejtëve”)-
Në këtë libër është paraqitur pikëpamja bashkëkohore mbi mesail-in;
3. “ Iktisaduna” (“Ekonomia jonë”)-
Libri përbëhet prej dy vëllimesh, në të cilat diskuton me detaje mbi ekonominë islame, si dhe, e sulmon njëkohësisht si kapitalizmin ashtu edhe komunizmin;
4. “ El-Medresetul-Islamijjetu” (“Shkolla islame”);
5. “ Gajatul-fikr fil-Usul” (“Domethëniet themelore mbi Usulin”);
6. “Ta’ligat ‘ala el-Asfar” (“Komentimi i katër librave mbi udhëtimet e Mulla Sadrit”);
7. “ Menabiul-kudra fi devletul-islam” (“Burimet e fuqisë së Shtetit Islam”);
8. “ El-bank El-Islamijjetu” (“Banka Islame”);
9.“ Durus fi Ilmul-Usul” (“Ligjërata mbi parimet e Ligjit Islam”);
10. “ El-Mursil, Ver-Resul, Ver-Risale, (“Dërguesi, i Dërguari dhe mesazhi”);
11. “ Ahkamul-Haxh-xh” (“Rregullat e Haxhit”);
12. “ El-Usus el-mentikija lil-istikra” (“ Themelet logjike të përfundimeve”);
13. “ Felsefetuna” (“Filozofia jonë”); dhe
14. “ Ehlul-Bejti a.s (“ Familja e Pejgamberit (paqja qoftë mbi ta!)”) si dhe një varg librash të tjerë…