30. Tolerantia

Ç’dmth-në tolerancë?

Spread the love

Sipas kuptimit gjuhësor, termi tolerancë vjen nga fjala latine tolerantia që do të thotë: durim, zemërgjerësi, të epurit, të thyerit, të përkulurit, të përmbajturit.[1] Ndërsa në kuptimin fetar, ka kuptim më të gjerë. Tolerancë (lat. tolerantia) në përgjithësi do të thotë: durimi, qëndrimi zemërgjerë ndaj pikëpamjeve, zakoneve, sjelljeve, qëndrimeve, vlerësimeve etj. të tjetrit dhe të tjerëve, të cilët dallojnë nga pikëpamjet, zakonet, sjelljet, qëndrimet apo vlerësimet tona ose, për më tepër, janë të kundërta me to; pranimi dhe respektimi i të drejtës së tjetrit apo të tjerëve që të besojnë, të mendojnë, të sjellen, të jetojnë etj. sipas bindjes së tyre, e cila nuk përputhet me bindjen tonë.[2]

Disa dijetarë muslimanë, kur diskutojnë për tolerancë, thonë se kjo shprehje ka kuptimin që edhe në momentet kur diçka nuk të shkon për qejfi pse nuk të pëlqen, je i detyruar ta pranosh. Pra, kemi të bëjmë me një mundim që ia bëjmë vetes sonë. Ndërsa toleranca islame (arab. tesamuh, turq. hoşgörü) është diçka tjetër. Në tolerancën islame nuk ekziston ajo që njeriu të detyrojë vetveten, por, që njeriu të pranojë dhe të pajtohet me realitetin. Pra, në tolerancën islame nuk ka dhunë dhe shtrëngim (ikrah).[3]

Autor: Besmir Yvejsi

(Revista “Vlera”, nr. 27, tetor-nëntor 2018, fq. 13)

Vazhdon
___________________________
[1] Grup autorësh, “Fjalor i fjalëve të huaja”, boton: “Instituti Albanologjik i Prishtinës”, shtypi “Rilindja”, Prishtinë 1988, zëri: toleránc/ë, ~a, fq. 620.
[2] Akademik Ekrem Murtezai, “Fjalor i terminologjisë fetare”, boton: “Kryesia e B.I.K.”, Prishtinë 2007, zëri: tolerancë-a, fq. 626.
[3] Ilber Ortaylı, “Tolerans ve Tesamuh, Osmanlı’da hoşgörü”, Stamboll 2000, fq. 21.