Disa fjalë për Natën e Mi’raxhit
Hyrje
Më 27 Rexheb sipas kalendarit hënor (ose data 15 maj 647 shkurt 621, një vit para Hixhretit) është nata e Mi’raxhit. Sipas dijetarëve muslimanë, është udhëtimi në qiell i Profetit Muhamed (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij), pak para emigrimit të tij në Medine dhe pas vizitës së tij në qytetin Taif.
Mi’raxhi në Kuranin e Shenjtë
Mi’raxhi si term nuk përmendet në Kuranin e Shenjtë por përmendet se Profeti Muhamed (pqmtf) udhëtoi për në xhaminë Aksa (që sot gjendet në Jerusalem):
“I lavdëruar qoftë Ai që e mbarti robin e Tij (Muhamedin) natën nga Xhamia e Shenjtë (në Mekë) në Xhaminë e Largët (të Jeruzalemit), rrethinën e së cilës e kemi bekuar, për t’i treguar atij disa nga mrekullitë Tona”. (Kurani i Shenjtë, surja “El-Isra”, ajeti 1).
Dhe dijetarë të tjerë muslimanë thonë që ajetet e sures en-Nexhm (Ylli) na japin gjithashtu informacione mbi udhëtimin e Mi’raxhit:
“Ndërkohë që ai e ka parë atë edhe një herë tjetër,
te Sidretul Munteha-ja,
ku ndodhet Xheneti i Strehimit.
Kur Sidrën çfarë nuk e mbulonte?!
Shikimi i tij nuk u shmang dhe as nuk e kaloi masën,
por ai pa disa nga mrekullitë më madhështore të Zotit të tij!” (Kurani i Shenjtë, surja En-Nexhm (Ylli), ajetet 13-18).
Mi’raxhi sipas haditheve të Profetit Muhamed (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij)
Nga hadithet e Profetit Muhamed (pqmtf) mësojmë më shumë detaje. Përveç udhëtimit të Mi’raxhit (ngjitja në qiell) është edhe udhëtimi natën (el-Isra). E gjithë ngjarja filloi kur Profeti Muhamed (pqmtf) ishte në Qabe dhe engjëlli Xhibril ia solli atij Burakun (mjetin bartës). Buraku e çoi Profetin Muhamed (pqmtf) në Xhaminë Aksa në Jerusalem dhe atje bëri lutje. Më pas me engjëllin Xhibril udhëtoi në horizontet qiellore ku takoi disa nga profetët e hershëm, Ibrahimin, Musain, Jahjain dhe Isain (paqja qoftë mbi të gjithë). Nga ky udhëzim, Profeti Muhamed (pqmtf) i solli si dhuratë muslimanëve pesë kohët e namazit që vlejnë sa pesëdhjetë kohë.
Një hadith (thënie) e Profetit Muhamed (pqmtf) thotë se: “Namazi (lutja) është mi’raxh (udhëtim shpirtëror) i besimtarit”.