2.1

Naim Frashëri – Prijës shpirtëror i shqiptarëve dikur dhe sot

Spread the love

Ata që kanë shkruar e kanë “harruan” se Naimi ishte një besimtar i devotshëm. Si i tillë, ai dëshironte, ai përpiqej, jo vetëm të bëhet Shqipëria, por edhe të ndriçohet, të lulëzohet. Të gjitha veprat e Naimit, qofshin në prozë apo në poezi, për të rritur apo për fëmijë, dëshmojnë bindshëm se ai ishte besimtar dhe vepronte si një prijës shpirtëror, sepse në çdo varg, në çdo rresht, në çdo strofë apo në çdo pjesë të shkrimeve ka ide, simbole, porosi hyjnore, profetike, që janë shpresë, burim frymëzimi, mburojë shpëtimi.

Në veçanti, Naimi në librin e tij “Mësime”, botuar në Bukuresht, më 1894, e fillon, ejv’Allah, me bismillah: “Me emrin e Zotit, Dhembjemath e Mëshirëshumë!

Kështu fillon Kur’ani i madhërueshëm dhe kështu edhe përfundon. Naimi në librin “Mësime”, ndër të tjera, shkruan:

Dashuria e Zotit është krejt’ e urtësisë,
Ata, që duan Zotnë, kërkojnë të vërtetën.
Mësoni dituritë e gjithësisë,
atëherë do kuptoni fuqinë e mirësinë e Zotit.

Gjithë ç’bëri në jetë Zot’i Math e i vërtetë,
e bëri me tmadhe urtësi, me ligje tmbaruarë!
Zoti është Mbret’i gjithësisë!
Drit’ e gjithësisë!
”.

            Ndërsa për Kuranin, Fjalën e Allahut, Naimi thotë:

Kjo fletore është udhërrëfenjës për të mirët,
që s’bëjnë kurrë të ligë dhe besojnë Zotnë e madh e të vërtetë,
që i falën dhe apënë nga ç’u falë Zoti.
Ata janë dritë e Zotit e të shpëtimit
”.

            Udhëheqësit e shqiptarëve, qoftë ata të politikës apo të kulturës, si dje ashtu edhe sot, me pak përjashtime, e quajnë Naimin, me të drejtë, Apostull i Shqiptarizmit, por sa vlen kjo kur nuk i besojnë Zotit, nuk janë në rrugë të Zotit, kur emrin e Zotit e shkruajnë ende me shkronjë të vogël. Ai është Krijues, Ai është Një, kurse krijesat, emrat e partive të veta, që i krijuan e i ndërrojnë sa herë t’u teket i shkruajnë me shkronja të mëdha! Naimi i quan besimtarët muslimanë, siç ishte edhe vet: “Ata janë dritë e Zotit e të shpëtimit”.

Naimi shqip na këshillon: “O njerëz! Mos u bëni të pabesë, e mos delni nga udh’e Zotit”.

A janë në rrugë të Zotit ata që i kanë ngritur Naimit busta, përmendore, shtatore; shumë rrugë, shkolla e mbajnë emrin e tij të nderuar, por a mjafton kjo, kur nga këto shkolla hyjnë e dalin nxënës pa nxënë, pa mësuar, pa dëgjuar asgjë për Zotin, Krijuesin?! Ka edhe shtëpi botuese me emrin “Naim Frashëri”, i cili na këshillon të mos dalim nga Udh’e Zotit, por nga shtëpia botuese “Naim Frashëri” ende dalin libra kundër Zotit. A kanë mend ata që veprojnë kështu? A janë në udhë të Zotit? Ne, a duhet t’i mbyllim sytë e veshët para zërit, fjalës së Naimit, i cili na këshillon shqip: “O njerëz! Mos dilni kurrë nga udhë e Zotit e mos u ndani nga e drejta dhe nga e vërteta”. Këto janë këshillat e Naimit për shqiptarët, nga shkrimi “Thelb’i Kuranit”.

Se poeti Naim Frashëri është poet kombëtar, se është një nga mjeshtërit më të mëdhenj të fjalës shqipe, se është mendimtar i madh dhe Apostull i Shqiptarizmës e pranojnë shumica e lexuesve, studiuesve, sikur e pranojnë se është edukator i kombit shqiptar, që u jepte këshilla të shumta e shumë të vlefshme shqiptarëve, por përse nuk e pranojnë si besimtar dhe si prijës shpirtëror, me edukatë të Islamit, nxjerrë nga Thelbi i Kur’anit?

Këto jo vetëm që s’pranohen, jo vetëm që anashkalohen, por ç’është edhe më keq, ato tjetërsohen, shtrembërohen, shëmtohen, siç bëri prof. Dhimitër S. Shuteriqi, i cili thotë: “Librat shkollorë të Naimit ndihmojnë për të formuar botëkuptimin materialist tek nxënësit. Poeti vërtet fut në këndimet e tij pjesë të ndryshme që predikojnë një moral fetar. Por nga ky moral ai përpiqet të ruaj parimet humanitare të përgjithshme, pa pranuar dogmën dhe përrallat biblike”.

Mjerisht, gati të gjithë studiuesit shqiptarë kështu, si prof. Dhimitër S. Shuteriqi, e shohin Naimin si materialist, ateist, pa menduar për Zotin, Kuranin, madje Thelbin e Kur’anit e quajnë:  “dogmë e përralla biblike”! A ndodh kudo kjo? Studiuesit shqipëtarë, intelektualët tanë, me ndonjë përjashtim, ende janë ateistë, pa Zot! Dhe, bota pa Zotin, siç tha poeti gjerman, Ludwing Strauss, ka shumë fytyra, por s’ka sy! Kurse, Naimi, në vargjet në vijim, thotë se Zotin:

I verbëri s’mund ta shohë, i dituri mund ta njohë”.

            Kur një herë studentët e pyetën të diturin, shkencëtarin, profesorin e nderuar, Louis Pasteur-in, (1822-1895), bashkëkohanik i Naimit, por nga Franca e qytetëruar, se përse beson në Zot, dijetari, shkencëtari L. Paster u përgjigj: “Mu për atë që kam menduar dhe kam studiuar”. Studiuesit shqiptarë as që mendojnë për Zotin, as që kanë studiuar rreth Tij, prandaj nuk e shohin Naimin si besimtar, si prijës shpirtëror, sepse janë të verbër, pa sy, me shumë fytyra, me shumë parti. Naimi, sipas veprave që la, dëshmohet se ishte besimtar dhe prijës shpirtëror i shqiptarëve, që i lutej Zotit me këtë lutje:

Zot i math e i Vërtetë! Të qofshim falë!
Falna urtësi, njerëzi, vëllazëri, bashkimi,
Udhë Tënde të drejtë, nxirrna në dritë,
mos na lë në errësirë, mërgona nga sharja,
nga vjedhja, nga zilija, nga zemërimi,
e mos na lë kurrë në mundim e në të keqe
”.

            Naimi, siç shkruante, Kuranin e kishte burim frymëzimi, te Perëndia kishte shpresë:

Kam shumë shpresë te Perëndia,
Që të mos jetë kështu Shqipëria,
Po të ndritohet, të lulëzohet
”.

            Naimi i lutej Zotit me këto fjalë:

O Zot! Fali Shqipërisë e Shqipëtarëve që i falen emërin Tënd,
gjithë të mirat, që ke në jetë dhe mërgoi nga gjithë të ligat. Amin!

            Ne, shqiptarët, jo vetëm që s’po falemi në emër të Zotit, aq sa duhet, ashtu siç duhet, por edhe emrin e Tij po e shkruajmë ende me shkronjë të vogël! Naimi, përveç që ishte atdhetar, dijetar, poet kombëtar, s’duhet harruar, sepse bëhemi edhe më horë, se ai ishte një prijës shpirtëror.

Shkruan: Mexhid Yvejsi, marrë pjesërisht nga libri: “101 personalitete fetare-atdhetare, kulturore-letrare”, botues: Instituti për shkencat humane “Ibni Sina”, Prishtinë 2013, fq. 80-92.