3. Jeta dhe vepra e Imam Zejnul-Abidinit a.s.

Jeta dhe vepra e Imam Zejnul-Abidinit (paqja qoftë mbi të)

Spread the love

Hyrje

Më 05 Sha’ban sipas kalendarit hënor (ose data 06 janar 658, 38 vite pas Hixhretit) ka lindur Hazret Imam Ali ibn Husejni apo Zejnul-Abidini (paqja qoftë mbi të), imami i katërt i Ehli Bejtit.

Lindja e tij

Në ditën e pestë të muajit Sha’ban të vitit 38 pas Hixhretit/Emigrimit të Profetit Muhamed (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij) nga Meka në Medine, lindi Aliu nga nëna Hazreti Shehribane (Shahrbanu) dhe babai Hazreti Imam Husejni (paqja qoftë mbi ta). Aliu lindi në qytetin e Medinës.  Nëna e tij ishte Shehribanja, vajza e mbretit të fundit të dinastisë Sasanide të Persisë, Jazdegerdit të tretë, ndërsa babai ishte Husejni, djali i Imam Aliut (paqja qoftë mbi ta).

Vepra dhe personaliteti i tij

Ali ibn Husejni u edukua në një ambient fetar dhe kjo ishte ndikuese në personalitetin e lartë të tij në fjalë dhe vepra. Sipas Imam Malikut: “Ai u quajt Zejnul-Abidin për shkak të adhurimeve të shumta që bënte”.  Ndërsa djali i tij, Hazret Muhamed Bakiri (paqja qoftë mbi të) për të thotë: “Sa herë që ai kujtonte mirësitë e Allahut binte në sexhde, dhe sa herë që lexonte ajetet e Kuranit binte në sexhde. Kur mbaronte namazet farze ai binte në sexhde, dhe sa herë që bënte pajtim në mes dy personave ai binte në sexhde”. Sipas kësaj ai u quajt Imam Sexhad apo “ai që binte vazhdimisht në sexhde”. Ai kishte pesëmbëdhjetë fëmijë, ndër më të dalluar në histori janë Hazret Muhamed Bakiri dhe Hazret Zejd bin Aliu.

Ky ishte ndër të vetmit që mbijetuan pas tragjedisë së Qerbelasë, sepse mrekullisht, në ato ditë ishte shumë i sëmurë dhe nuk ndodhej në Qerbela, dhe pas vrasjes së babait të tij, Imam Husejnit, Hazret Ali ibn Husejni e mori vijueshmërinë e udhëheqësisë shpirtërore (Imametit), dhe ndër detyrat kryesore të tij ishin: ringjallja e përmendjes së Imam Husejnit, lutjet, marrja përsipër e problemeve dhe misioni mësimor.

Misioni i tij

Imam Zejnel-Abidini e mori përsipër ta vazhdojë misionit e babait të tij, Imam Husejnit. Në kohën e tij mbretëronte kaosi nga përndjekja dhe likuidimi i përkrahësve të Ehli Bejtit nga urdhrat mbretëror të Abdul-Melik ibn Mervan dhe Velid ibn Abdul-Melikut. Urdhrat e tyre i çonte në vend guvernatori i tyre, Haxhaxhi, i cili ishte një njeri i pamëshirshëm, xhelat, dhe historia e bën përgjegjës për vrasjen e disa dhjetra mijëra personave, kryesisht, ndjekës së mësimeve të Ehli Bejtit. Imam Zejnul-Abidini vazhdonte të ndiqte vijën e tij reformuese të bashkësisë së muslimanëve në fushën kulturore, udhëzuese, në urdhërimin në të mirë dhe ndalimin nga e keqja. Këto mësime nxisnin për mirësi dhe rigjallërim që njerëzit të ecnin duke mbajtur fenerin ndriçues me morale dhe udhëzime.

Kjo gjë i pengonte pushtetit dhe u urdhërua arrestimi dhe burgosja e tij, që ta frikësonte dhe ta detyronte që të heqte dorë nga misioni i tij fetar. Dhe kështu ndodhi, që Imam Zejnel-Abidinin e helmuan. Ai ndërroi jetë më 25 Muharrem të vitit 95 pas Hixhretit, ose më 20 Tetor 713. Varri i tij gjendet në Medine, në varrezet “El-Bakij”. Deri më 1925 varri i tij gjendej si një mauzole, por pushteti mbretëror saudit, e shkatërroi dhe sot është varr pa nishan.

Ndikimi i tij

Imam Zejnul-Abidini është imami i katërt me radhë i Ehli Bejtit. Ndikimi i tij tek masat e muslimanëve është shumë i theksuar. Sipas studiuesit të njohur William Chittick vepra me lutje e Imam Zejnul-Abidinit “Sahife Saxhadije”: “Është libri më i vjetër i lutjeve sipas burimeve islame dhe një nga veprat më thelbësore të spiritualitetit islamik të periudhës së hershme”. Përveç kësaj përmbledhjeje të lutjeve, Imamit i atribuohet edhe libri me pesëmblëdhjetë lutje përgjëruese me titull “Munaxhat”.

Libri që përmban lutjet e Imam Zejnul-Abidinit “Sahife Sexhadije” dhe “Munaxhat” është përkthyer edhe në gjuhën shqipe në një vëllim, ka tekstin arabisht dhe shqip. Është i botuar në Tiranë më 2008 nga shoqata “Flladi”, dhe ka 516 faqe. Nga dy përmbledhjet e tij të lutjeve po i shkëpusim dy lutje përgjëruese, njëra është për moralet e larta, kurse tjetra për shpresën:

– “O Zoti im! Me mëshirën Tënde plotësoje qëllimin tim, me diturinë që është tek Ti saktësoje diturinë time dhe me fuqinë Tënde përmirësoje atë që është prishur në mua”.

– “O Zoti im! Kush trokiti tek Ti të kërkojë heqjen e dhimbjes dhe Ti nuk ia hoqe; kush erdhi në portën Tënde duke shpresuar afrimin tek Ti dhe Ti nuk i dhe atij përparësi?! A është mirë që unë të sprapsem shpresëhumbur prej portës Tënde? Unë nuk njoh tjetër veç Teje të jetë cilësuar Mikbamirës?! Si të shpresoj në një tjetër veç Teje dhe gjithë e mira është në dorën Tënde?!